Imam Jahja bin Sharaf en-Neveviu (v. 677)
Burimi: Sherh Sahih Muslim, fq. 1670
www.perlatmuslimane.com
Imam Muslimi thotë: na ka transmetuar Jahja ibnu Jahja: na ka lajmëruar Jahja ibnu Zekerija nga El Amesh, ky nga Ebi Sufjan dhe ky nga Xhabir (radijAllahu anhu) i cili ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ tre ditë përpara se të vdiste duke thënë:
’’Askush prej jush nuk duhet të vdesë, përveçse duke patur mendim të mirë për Allahun.” (hadithi nr 2877).
Lidhur me thënien e të dërguarit të Allahut ﷺ:
’’Askush prej jush nuk duhet të vdesë, përveçse duke patur mendim të mirë për Allahun.”
dijetarët kanë thënë se ky është një paralajmërim kundër humbjes së shpresës dhe dëshpërimit nga humbja e mëshirës së Allahut dhe njëkohësisht është një inkurajim për të patur shpresë sidomos në momentin e vdekjes.
Allahu (subhanehu ue teala) thotë në hadithin kudsi:
“Unë jam ashtu siç mendon robi im për Mua.”
dhe duke marrë parasysh të dy hadithet, dijetarët sqarojnë se ”të paturit mendim të mirë për Allahun” do të thotë që besimtari duhet të shpresojë që Allahu do ta mëshirojë dhe do ta falë atë. Disa dijetarë kanë thënë gjithashtu se gjatë kohës kur besimtari gëzon mirëqenie dhe shëndet, ai duhet ta ketë si shpresën ashtu dhe frikën ndaj Allahut të balancuara. Të tjerë thonë se frika ndaj Allahut në krahasim me shpresën tek Allahu duhet të jetë më e madhe por kur momenti i vdekjes afrohet, shpresa e besimtarit në mëshirën e Allahut duhet të jetë më e madhe. Kjo sepse duke qenë se qëllimi i të paturit frikë ndaj Allahut është që ta ndalosh veten tënde nga gjynahet dhe veprat e tjera të këqija dhe njëkohësisht ta shtosh bindjen ndaj Allahut bashkë me veprat e mira, realizimi i këtyre gjërave shpesh nuk është e mundshme gjatë kësaj situate, d.m.th. në momentet e fundit të vdekjes.
Përkundrazi në këtë situatë të paturit mendim të mirë për Allahun është e pëlqyeshme pasi kjo gjë do të bëjë që besimtari të ketë ndjenjën e të paturit nevojë dhe të qenit i nënshtruar totalisht kundrejt Allahut të Lartësuar. E mbështet këtë kuptim hadithi tjetër që vjen më pas:
“Çdo njeri do të ringjallet në atë gjendje që ka vdekur.” (Muslimi 2878)
Dijetarët e shpjegojnë këtë hadith duke thënë se çdo njeri do të ringjallet në të njëjtën gjendje në të cilën ka vdekur, sikurse hadithi tjetër që vjen më pas i cili thotë:
“Kur Allahu dëshiron të dënojë një popull, dënimi i prek të gjithë ata, pastaj secili do të ringjallet sipas veprave (individuale) të tij.” (Muslimi 2879)
Apo si në hadithin tjetër:
“Vërtet njerëzit do të ringjallen në bazë të asaj që kanë patur për qëllim.” (Muslimi 2884)