“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Si falet jacia në vendet ku menjëherë pas muzgut vjen agimi?

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: “Mexhmu’ul-Fetaua ue Rasail”, 12/206-207

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Çfarë të veprojmë në vendet ku muzgu nuk largohet për një kohë të gjatë nga qielli, që është shenjë e hyrjes së namazit të jacisë? Kjo gjë njerëzve ua vështirëson pritjen (e namazit të jacisë).”

Përgjigje: “Nëse muzgu nuk largohet deri në hyrjen e kohës së namazit të sabahut, apo largohet për një kohë të shkurtër dhe menjëherë hyn agimi, kohë kjo brenda së cilës nuk mund të falet jacia, atëherë këtu është gjykimi sikurse të mos ketë kohë të namazit të jacisë. Prandaj, këta kohën e namazit të jacisë e llogarisin sipas vendit më të afërt, në të cilin ka kohë të jacisë. Disa prej dijetarëve kanë thënë se duhet ta llogarisin sipas kohës së namazit në Meke, ngase ajo është Nëna e Qyteteve (Ummul-Kura).

Por, nëse muzgu largohet para agimit për një kohë të gjatë, saqë mund të falet namazi i jacisë, atëherë është e detyrueshme të pritet koha e jacisë, përveç nëse kjo gjë është e vështirë. E në rast të tillë, lejohet që jacia të bashkohet me akshamin në kohën e akshamit, në mënyrë që të mos jetë e vështirë dhe e mundimshme, duke u bazuar në fjalën e Allahut:

يُرِيدُ اللَّهُ بِكُمُ الْيُسْرَ وَلا يُرِيدُ بِكُمُ الْعُسْرَ

“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” 2:185

Dhe në fjalën tjetër të Allahut:

وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَج

“Ai nuk ju ka obliguar me asnjë vështirësi në fenë tuaj…” 22:78

Në Sahihun e Muslimit transmetohet nga Abdullah ibn Abasi radijAllahu anhu se Profeti salAllahu alejhi ue selem:

أن النبي صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ جمع بين الظهر والعصر، وبين المغرب والعشاء في المدينة من غير خوف ولا مطر”،قالوا: ما أراد إلى ذلك؟ قال: ” أراد أن لا يحرج أمته

“…bashkoi namazin e drekës me të ikindisë dhe namazin e akshamit me atë të jacisë në Medine, jo nga frika apo shiu.” E pyetën: “Pse ai e bëri këtë?” Ai u përgjigj: “Ai donte t’ia lehtësonte umetit të tij.”

Ai kishte për qëllim se do të ishte gjë e vështirë për njerëzit nëse atyre nuk u lejohej t’i bashkojnë namazet.”

Shpërndaje: