Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Berbahari

Burimi: Sherh es Sunneh Teksti (metni) i librit është marrë nga botimi i Darul Minhaxh Riad, Arabi Saudite, botimi i parë, viti 1426h.

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Emri i tij

Ai është imami, muxhahidi, Shejkhu i Hanbelive dhe më i dituri i tyre në kohën e tij: Ebu Muhamed el-Hasen ibën Ali ibn Halef el Berbahari (Allahu e mëshiroftë!). ”Berbaha” është një ilaç që importohej prej Indisë.

Lindja e tij

Imam el-Berbahari (Allahu e mëshiroftë) ka lindur në vitin 253 hixhri, në kohën e sundimit të El Mu’tezzi Bilah Muhamed ibën el Halifeh el Mutevekkil Alallah Xhafer ibn el Mu’tesim bilah el Abasiji.

Shoqërimi me dijetarët

Imam el Berbahari (Allahu e mëshiroftë) ka qenë bashkëkohës me disa prej imamëve, si: imam Ibn Maxheh el Kazuinijji, Ebi Davud es Sixhistani, autori i ”Sunnetit”, Hanbel ibën Is’hak, imam Ebi Bekr el Merrudhijji, Is’hak ibn Ibrahim ibn Hani, Ebi Bekr el Halali, Ibn Kutejbeh ed Dejneuvrijji etj. Po ashtu, imam el Berbahari është shoqëruar me një grup prej shokëve të imamit të Ehlus Suneh uel-Xhema’ah, Ahmed ibn Hanbel (Allahu e mëshiroftë), si dhe ka marrë dije prej tyre. Kjo ka ndikuar shumë në formimin e personalitetit të tij.

Mësuesit e tij

Imam el Berbahari (Allahu e mëshiroftë) ka mësuar dhe përfituar nga disa prej shokëve të imam Ahmed ibn Hanbelit (Allahu e mëshiroftë). Prej tyre po përmendim:

1. Imami, fekihu, muhadithi Ahmed ibn Muhamed ibn el Haxhaxh

Ebu Bekr el Merrudhijji, i cili ka vdekur në vitin 275 h.

2. Imami, zahidi (asketi) Sehl ibn Abdullah ibn Junus et Testerijju

Ebu Muhamed, i cili ka vdekur në vitin 283 h.

3. El Fet’h ibën Shuhruf, njëri prej adhuruesve dhe asketëve më të mëdhenj.

Transmetohet se imam Ahmed ibn Hanbeli (Allahu e mëshiroftë)

ka thënë: ”Nuk ka nxjerrë Horosani si El Fet’h ibn Shuhrufi.”

Ai ka vdekur në vitin 273 h.

Nxënësit e tij

Kanë përfituar nga dija e këtij imami një numër i madh nxënësish, prej të cilëve po përmendim:

1. Imami dhe fekihu Ebu Abdullah Ubejdilah ibn Muhamed el Ukberijju, i njohur si ”Ibn Battate”.

2. Imami dhe predikuesi Muhamed ibën Ahmed ibën Ismail el-Bagdati Ebu el Husejn ibn Semune.

3. Ahmed ibn Kamil ibn Halef ibn Shexherah Ebu Bekrin el Kadij.

4. Imami dhe fekihu El Husejn ibn Abdilah el-Bagdati el-Hanbelijju

Ebu Alij en Nexhadu es Sagir, i cili ka vdekur në vitin 360 h.

5. Muhamed ibn Ahmed ibn Salih ibn imam Ahmed ibn Hanbel, i cili ka vdekur në vitin 330 h.

Thëniet e dijetarëve në lidhje me imam El-Berbaharin dhe asketizmin e tij

Ibn Kethiri thotë: ”Dijetari, asketi, fekihu hanbeli dhe predikuesi… Ishte i ashpër ndaj bidatçinjve dhe mëkatarëve dhe i respektuar prej njerëzve.”

Ebu Abdil-lah el-Fekihi ka thënë: ”Kur të takosh ndonjë banor të Bagdadit që e do Ibn Beshsharin dhe El-Berbaharin, dije se ai është prej Ehli Sunnetit.”

Ibnul Xheuzi ka thënë: ”…Ai mblodhi dije, ishte asket dhe u tregua i ashpër kundër bidatçinjve.”

Imam el-Berbahari ishte i njohur për modestinë dhe asketizmin e tij. Argument i kësaj është ajo që ka përmendur Ebu el Husejn ibn Beshari, ”se ai nuk e ka pranuar pjesën e tij nga trashëgimia e të atit, e cila ishte 70 000 dërhemë.”

Disa fjalë të këtij imami të madh

”Shembulli i bidatçinjve është si shembulli i akrepit, i cili e fsheh kokën dhe trupin në dhe, por lë jashtë vetëm bishtin e tij. E, kur i jepet mundësia, të kafshon. Po kështu është puna edhe me bidatçinjtë, ata qëndrojnë të fshehur mes njerëzve dhe sapo u jepet mundësia, e shfaqin atë që duan.”

”Ulja në kuvendet në të cilat ka këshillim i hap derën dobisë, kurse ulja për të debatuar ia mbyll derën dobisë.”

Librat e tij

Në biografinë e këtij imami kanë përmendur se El-Berbahari (Allahu e mëshiroftë) ka shumë libra, porse prej tyre gjendet vetëm libri Sherhu Sunneh.

Vdekja e tij

Imam el Berbahari (Allahu e mëshiroftë) ka vdekur në vitin 329 h. Në biografinë e tij kanë përmendur se ai ka jetuar 76 ose 77 vjet.

Shpërndaje: