Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Bërja selfie gjatë veprimeve të adhurimit

Shejkh Abdurr-Rrezak bin Abdul-Muhsin El-Abbad El-Bedr
Burimi: https://youtu.be/GogEYQUJ2xM
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Lëreni mënjanë faktin se kjo ka prishur haxhin e shumë njerëzve në këto kohë duke mos iu kushtuar kujdes adhurimit për shkak të preokupimit me fotografi në vende të ndryshme të haxhit. Ai bën foto në çdo ritual, në çdo vend të shenjtë dhe në çdo veprim. Pastaj ua dërgon fotot kolegëve, të afërmve dhe miqve që ta shohin. Ky haxh është bërë për njerëzit, që ata ta shohin haxhin e tij.

“Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo.” Ali Imran, 3:97

Dhe profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që e kryen haxhin për Allahun dhe nuk sillet në mënyrë të pahijshme …”

“Për Allahun” do të thotë vetëm për Allahun, nuk dëshiron që dikush ta shohë atë.

Syefaqësia në kohët e hershme ishte që dikush të fliste për veprat e tij. Nëse një person kthehej nga haxhi, ai u tregonte njerëzve për veprat e tij për të marrë lavdërime. Tani kjo nuk është e nevojshme.

Ai u dërgon atyre fotografi një nga një deri në atë pikë sa me disa prej tyre puna bëhet serioze dhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne pamë dhe të tjerët panë një person që kishte ardhur nga vendet e shenjta. Ai ngriti duart në pozitën e një njeriu që bën dua. Sapo iu bë fotografia, i uli duart. Ai nuk i ngriti duart për hir të Allahut. Ai nuk i ngriti duart për hir të Allahut.

Ai i ngriti duart vetëm që njerëzit ta shihnin fotografinë e tij teksa po i ngrinte ato, por në të vërtetë nuk i ngriti për hir të Allahut, aspak fare! Duart e tij nuk u ngritën për hir të Allahut. Nuk u ngritën për t’i bërë dua Allahut -subhanahu ue te ala-. U ngritën vetëm për të bërë një fotografi. Një prej vëllezërve fisnikë ma tregoi këtë dhe ai është i pranishëm këtu në ligjëratën tonë tani.

Ai pa një person në xhaminë e profetit ﷺ duke ecur së bashku me shokun e tij. Pastaj ai u ul në pozitën e teshehudit në namaz. Shoku i tij e fotografoi dhe menjëherë pas kësaj ai u ngrit. Një foto sikur ishte “duke u falur”, por ai nuk u fal për Allahun. Ai as nuk e kreu namazin. Ai e bëri atë veprim vetëm që të bëhej fotografia. Kjo është një fatkeqësi, pasha Allahun, kjo është një fatkeqësi jashtëzakonisht e madhe.

Si përmbledhje, personi që e bën haxhin, atij që i është dhënë sukses, është i detyruar të jetë jashtëzakonisht i brengosur për pranimin e haxhit të tij. Ai duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm ndaj çështjeve që mund të zhvleftësojnë veprimet e tij. Haxhi i tij nuk do të gjendet në librin e veprave të mira përveç nëse e bën atë duke kërkuar fytyrën e Allahut. Dhe të përpiqet të veprojë në përputhje me atë që Allahu ka lejuar, duke ia drejtuar sinqeritetin vetëm Atij që adhurohet me të drejtë (Allahut) dhe duke ndjekur të dërguarin ﷺ.

Sikurse ka thënë Allahu -te ala-:

“Prandaj kushdo që shpreson takimin me Zotin e vet le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet.” El-Kehf, 18:110

Dhe Allahu tha:

“Ai i Cili ka krijuar jetën dhe vdekjen për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë.” El-Mulk, 67:2

Fudejl ibn Ijad -rahimehullah- tha: “Vepra të sinqerta dhe e sakta”.

Ai u pyet: “O Ebu Ali, çfarë është vepra e sinqertë dhe e saktë?”

Ai u përgjigj: “Nëse është e sinqertë, por jo e saktë, nuk do të pranohet. Dhe nëse është vepruar si duhet, por jo sinqerisht, nuk do të pranohet, derisa të jetë e sinqertë dhe e saktë. Vepra e sinqertë është ajo që bëhet vetëm për Allahun. Vepra e saktë është ajo që bëhet sipas sunnetit.

Shpërndaje: