Imam Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Ligjërata: Fataua Xhuddah (34)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ka shumë gjëra të qortueshme në tesavuf. Gjëja më e rrezikshme në të është ajo që në mënyrë të vazhdueshme thoshte udhëheqësi i tyre i njohur Ibn Arabi (i varrosur në Damask) dhe është ai që ngriti flamurin e panteizmit (Uahdetul Uxhud- uniteti i ekzistencës). Dhe ajo që kihet për qëllim me panteizëm (uahdetul uxhud) është mohimi i Krijuesit, se nuk ka Krijues dhe krijesë. Çdo gjë është natyrë siç thonë komunistët dhe ateistët të cilët nuk besojnë se ky univers ka një Krijues (tebareke ue teala), i Cili është i pastër nga kjo që thonë këta njerëz të padrejtë (kufarë) dhe kjo që ata thonë është një padrejtësi tepër e madhe. Me unanimitetin e të tërë atyre që i përkatësohen Sufizmit, nuk kemi gjetur asnjë prej tyre që të distancohet nga Ibn Arabi i cili në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë fliste me këtë devijim të madh e që është panteizmi. Ai ka thënë p.sh. në një nga librat e tij:
“As qeni, e as derri nuk është tjetër veçse i adhuruari ynë.
Allahu nuk është asgjë tjetër veçse një murg në kishën e tij.”
Ai gjithashtu ka thënë:
“Çdo gjë që ti sheh me sytë e tu, është Allahu.”
Gjithashtu ai që ecën në rrugën dhe parimet e tij thotë:
“Kur mexhusët (adhuruesit e zjarrit) e adhuronin zjarrin ata në të vërtetë nuk adhuronin askënd tjetër përveç Zotit të vetëm, me pushtet absolut.”
Ky është udhëheqësi i Sufive. Ne nuk kemi gjetur asnjë prej Sufistëve të cilët e interpretojnë Sufizmin si një sjellje brenda kufijve të sheriatit dhe pasimit të moralit Muhamedian, nuk kemi gjetur asnjë prej tyre që të jetë distancuar nga Ibn Arabi. Kemi takuar shumë Sufista dhe kemi bërë debat me ta rreth deklaratave të kufrit të Ibn Arabiut.