“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Besimi në Uluhijetin e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Shpjegimi i librit Bazat e fesë, fq. 19-22.

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Besimi në Uluhijetin e Allahut do të thotë: “se vetëm Allahu është Zoti i vërtetë dhe nuk ka asnjë rival.” Fjala ‘Ilah’ do të thotë: Ai që adhurohet me dashuri dhe lartësohet me respekt.

Allahu i Lartësuar thotë:

”’Dhe i Adhuruari juaj është i Adhuruar i Vetëm, nuk ka të adhuruar me të drejtë përvec Tij, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!” 2:163

Dhe gjithashtu thotë:

”Allahu dëshmoi se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt dhe dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, Fuqiplotit e më të Urtit.” 3:18

Çdo gjë që adhurohet pos Allahut është e rreme dhe e kotë. Thotë Allahu i Lartësuar:

”Kjo, ngase Allahu është Ai i Vërteti, dhe gjithçka që ata lusin pos Tij është e kotë. Allahu është vërtet Ai i Larti, i Madhi.” 22:62

Të emërtuarit “Zotër”, nuk ju jep të drejtën që të adhurohen me meritë. Thotë Allahu në lidhje me “el-Latin, el-Uzzan dhe Menatin”:

”Ata janë vetëm emra që ju dhe baballarët tuaj i keni emëruar, sepse Allahu nuk zbriti për ta asnjë tregues e asnjë të drejtë. Ata (idhujtarët) ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).” 53:23

Dhe Allahu tha në lidhje Hudin (alejhi-selam) kur ai i tha popullit të tij:

”A më kundërshtoni mua për emra (të idhujve) që i keni emëruar ju dhe prindërit tuaj, e për të cilët Allahu nuk ju ka shpallur kurrfarë argumenti?” 7:71

Kurse në lidhje me atë çfarë Jusufi (alejhi-selam) u tha dy të burgosurve të tjerë që ishin me të:

O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen të adhuruar të ndryshëm ose Allahu, i vetmi Ngadhënjimtar? Ju nuk adhuroni përveç Tij, veçse se emra të cilët i keni shpikur ju dhe baballarët tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” 12:39-40

Për këtë arsye edhe profetët i thoshin popujve të tyre:

“O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!” 7:79

Por mushrikët refuzuan ta pranojnë këtë, dhe adhuruan zota të tjerë përveç Allahut, kërkonin ndihmën e tyre dhe mbështeteshin tek ata. Kotësin e idhujtarëve Allahu e ka kundërshtuar adhurimin e idhujve me dy argumentet mendore:

E para: Këta që i quajnë zota, nuk kanë asnjë atribut hyjnorë. Ata vetë janë të krijuar dhe nuk posedojnë aftësinë për të krijuar gjë. Ata nuk mund t’u japin atyre ndonjë përfitim apo t’i mbrojnë nga dëmet. Ata nuk mund të japin jetë apo vdekje. Atyre ju mungon sundimi dhe aftësia për të mbisunduar mbi diçka në qiej dhe univers.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

”Mirëpo, ata (idhujtarët) adhurojnë në vend të Tij zota të tjerë, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin vdekjen apo jetën e as që të ringjallin.” 25:3

Allahu gjithashtu ka thënë:

Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i konsideroni zota në vend të Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë dhe as që kanë ata në to ndonjë pjesë. Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre. Ndërmjetësimi tek Ai nuk bën dobi, përveçse (ndërmjetësimi) i atij që Ai i jep leje. Kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre (ndërmjetësuesve), ata do të thonë: ‘Çfarë tha Zoti juaj?’ Ata (melaiket) do të përgjigjen: ‘Të vërtetën!’ Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.” 34:22-23

”A mos vallë ata i përshkruajnë Atij ortakë që nuk mund të krijojnë asgjë, e ata vetë janë të krijuar?! Ata (Idhujt), nuk mund t’u japin ndihmë atyre e as veten nuk mund ta ndihmojnë?!” 7:191-192

Pasi që kjo është gjendja e zotave të rreme, pra adhurimi i tyre është ndër budallallëqet më të pakuptimta dhe nga trillimet më të kota.

E dyta: Idhujtarët e pranonin se Allahu është Zoti i Vetëm dhe Krijuesi, sundimi i të gjitha gjërave ishte në duart e Tij. Ai është Mbrojtësi dhe askush nuk mund të kërkoj ndihmë nga dikush për t’u mbrojtur nga Ai. Pranimi i Rububijetit të Allahut e bën të domosdoshme edhe pranimin e Uluhijetit të Tij.

Allahu ka thënë:

”O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar juve dhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm. Ai i Cili e ka bërë për ju tokën vendbanim dhe qiellin kulm; e prej qiellit lëshon ujë dhe nëpërmjet tij bëri që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos i bëni Allahut shok (në adhurim) duke qenë se ju e dini.” 2:21-22

”Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: “Allahu!” Atëherë, përse largohen prej Tij?!” 43:87

Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i rregullon gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhammed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?! E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?” 10:31-32

Shpërndaje: