Imam Ibn Kethir Ed-Dimeshkij (v. 774)
Tefsir El-Kuran El-Adhim (3/423-424)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu -azze ue xhel- ka thënë:
“E kur të shohin ty mosbesimtarët e vetmja gjë që duan është që të tallen me ty (e thonë): A ky është ai të cilin Allahu e ka dërguar si të dërguar? Po të mos ishim besnikë ndaj zotave tanë, ai do të na shtynte që t’i braktisim ata. Por kur të shohin dënimin do ta kuptojnë se kush është më i devijuar! A e sheh atë që epshet e tij i ka zgjedhur si zot? A merr ti përgjegjësi për një person të tillë? Apo mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë veçse si bagëti, jo, ata janë edhe më të devijuar.” El-Furkan, 25:41-44
Allahu -te ala- tregon sesi idhujtarët e nënçmonin të dërguarin e Allahut ﷺ sa herë që e shihnin atë.
Allahu -te ala- tha:
“Kur të shohin kufarët, të marrin vetëm për tallje, duke thënë: “Ky është ai që flet keq për zotat tuaj?” Ndërkohë, ata e mohojnë këshillën e të Gjithëmëshirshmit.” El-Enbija, 21:36
Do të thotë e akuzonin atë për mangësi dhe të meta.
Këtu Allahu -te ala- tha:
“Kur të shohin kufarët, të marrin vetëm për tallje, duke thënë: “Ky është ai që flet keq për zotat tuaj?“
Këtë e thoshin me përbuzje dhe nënçmim:
“Edhe para teje janë tallur me të dërguar.” Er-Rad, 13:32
Allahu -te ala- tregoi dhe tha:
“Po të mos ishim besnikë ndaj zotave tanë, ai do të na shtynte që t’i braktisim ata.”
Domethënë, ai gati i largoi ata nga idhujtaria, por ata duruan, rezistuan dhe këmbëngulën. Si rrjedhojë, Allahu i kërcënoi ata duke u thënë atyre:
“Por kur të shohin dënimin do ta kuptojnë se kush është më i devijuar!”
Pastaj Allahu i sqaroi profetit të Tij ﷺ se ai që Allahu e ka caktuar të jetë i humbur dhe banor i zjarrit, nuk mund të udhëzohet nga askush, nëse Allahu -azze ue xhel- nuk dëshiron:
“A e sheh atë që epshet e tij i ka zgjedhur si zot?”
Çfarëdo që dëshiron, ndien dhe pëlqen, i bëhet fe dhe udhëzim.
Allahu -te ala- ka thënë:
”A është ai që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)? Me të vërtetë. Fatir, 35:8
A merr t’i përgjegjësi për një person të tillë?
Ibn Abbasi ka thënë: “Gjatë epokës pagane, një burrë adhuronte një gur të bardhë për një kohë. Kur gjente një gur më të bukur, fillonte ta adhuronte atë në vend të të parit.”
Pastaj Allahu -te ala- tha:
“Apo mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë veçse si bagëti, jo, ata janë edhe më të devijuar.”
Gjendja e tyre është më e keqe se ajo e bagëtive që kullosin. Bagëtitë e dinë për çfarë janë krijuar. Këta njerëz janë krijuar për ta adhuruar Allahun ndërsa njëkohësisht adhurojnë të tjerë pasi që arsyetimet e tyre kanë pushuar dhe të dërguarit janë dërguar tek ata.