“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Bin Baz – A justifikohet njeriu për injorancën e tij? nr (1)

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: http://binbaz.org.sa/mat/20731

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “A ekzistojnë rregulla dhe parime për të qenë injoranca arsyetim? A është injoranca si arsyeje në përgjithësi, domethënë pavarësisht kohës dhe vendit? A mund të justifikohet e gjithë shoqëria Islame për injorancë në formën e përgjithshme, apo shoqëria në të cilën ka përzierje mes myslimanëve dhe jomyslimanëve? A keni ndonjë këshillë për këtë çështje?” Cilat janë bazat dhe rregullat për të përcaktuar se a i ka arritur argumenti ndokujt? A konsiderohet të jetë ngritur argumenti për dikë që i është treguar ndonjë ajet apo hadith në lidhje me çështjen e caktuar?”

Përgjigje: “Injoranca në këtë fushë duhet sqaruar: njeriu arsyetohet në lidhje me dispozitat e Fik´hut dhe Akides që mund të jenë të fshehta (të pakapshme) për të. Kurse, nuk justifikohet njeriu në lidhje me çështjet të cilat janë të qarta. Kjo sepse personi i tillë është i pakujdesshëm dhe neglizhent. Thotë Allahu Xhele ue ‘Ala:

وَمَا كَانَ اللّهُ لِيُضِلَّ قَوْمًا بَعْدَ إِذْ هَدَاهُمْ حَتَّى يُبَيِّنَ لَهُم مَّا يَتَّقُونَ

“Allahu kurrë nuk e humb një popull që më parë e ka udhëzuar në rrugë të drejtë, derisa t’ua sqarojë atyre se nga çka duhet të ruhen.” (9:115)

Allahu nuk ka thënë: “derisa t´u qartësohet atyre”, por ka thënë: “… derisa t’ua sqarojë atyre…”

Allahu i Lartësuar gjithashtu ka thënë:

وَمَا كُنَّا مُعَذِّبِينَ حَتَّى نَبْعَثَ رَسُولاً

“Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se t’u dërgojmë të Dërguar.” 17:15

Allahu nuk tha: “…para se ata të kuptojnë fjalën e të Dërguarit”, por tha: “… para se t’u dërgojmë të Dërguar.” Prandaj, është obligim për udhëheqësit dhe të gjithë umetin që ta kuptojnë fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem, të kuptojnë Kur´anin, e të pyesin për atë që është e paqartë për ta, sepse Profeti dhe Kur´ani janë predikues për njerëzit. Allahu në Kuran thotë:

يَا أَيُّهَا الرَّسُولُ بَلِّغْ مَا أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ

“O i Dërguar! Kumtoje atë që të është shpallur nga Zoti yt!” 5:67

Ai gjithashtu thotë:

وَأُوحِيَ إِلَيَّ هَذَا الْقُرْآنُ لأُنذِرَكُم بِهِ وَمَن بَلَغَ

“Ky Kur’an më është shpallur, në mënyrë që t’iu tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet.” 6-19

Umetit i është komunikuar feja përmes predikimeve të Kuranit dhe të Dërguarit. Ai që jeton në mesin e myslimanëve duke qenë Kur´ani dhe Sunneti në dispozicionin e njerëzve, dhe i cili nuk interesohet e as nuk pyet për çështjet e fesë, ai assesi nuk është justifikuar për injorancë. Ndërsa, kur kemi të bëjmë me disa gjëra precize si për shembull: në disa gjykime të llojit të caktuar, mbi disa lloje të kamatës apo kontratave të ndryshme të cilat mund të jenë të panjohura për të, atëherë injoranca në lidhje me këtë është e justifikueshme nëse personi i tillë me të vërtet nuk mund të ketë njohuri mbi to.

Shembull tjetër i kësaj është kur një njeri i thotë të bijve të tij: “Kur të vdes unë, më digjni, e pastaj hirin tim hidheni në det. E atëherë nëse Allahu është në gjendje, le të më dënojë.” Ai me injorancën e tij rreth mundësisë së përsosur të Allahut mendon se do shpëtojë nga Ai. Atëherë kur i bashkon pjesët e trupit të tij nga toka e deti, Allahu e arsyeton atë dhe e pyet: ”Çfarë të shtyu ta veprosh këtë?” Kurse ai thotë: “Frika ime ndaj Teje.” Allahu ia fali mëkatin këtij si rrjedhojë e frikës së madhe që kishte ndaj Allahut dhe për shkak të injorancës së tij në këtë çështje precize.

E njëjta gjë vlen edhe për shumë çështje të tjera, si për shembull: në lidhje me kontratat në fushën e tregtisë, apo në lidhje me disa gjëra të ndaluara për të cilat argumentet janë të panjohura për atë. Kurse, për atë që dëgjon Kur´anin dhe Sunnetin e që ka dikë që mund ta udhëzojë ndërsa ai nuk interesohet fare e nuk pyet, duhet mos harruar se idhujtaria është mëkati më i madh. Njeriu nuk duhet ta marrë lehtë këtë. Një shembull tjetër mund të jetë: mosbindja ndaj prindërve e cila është çështje e qartë. E njëjta gjë vlen edhe për disa njerëz të cilët e lënë namazin; kjo është diçka e qartë në mesin e myslimanëve dhe personi i tillë nuk justifikohet. Lidhur me çështjet precize (specifike) të cilat mund të jenë të fshehta, njeriu justifikohet për to.”

Pyetësi: “Me fjalë të tjera, njerëzit e rëndomtë janë të detyruar të pyesin rreth asaj që është e pa qartë për ta?”

Përgjigje: “Allahu thotë:

الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ فَاسْأَلُواْ أَهْلَ

“Pyetni dijetarët për atë që ju nuk dini!” 21:7

Ata e kanë obligim të pyesin. Allahu nuk i ka justifikuar jobesimtarët në përgjithësi sepse i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ishte në mesin e tyre. E njëjta gjë ishte edhe në Medine, Ai nuk i justifikoi hipokritët dhe çifutët pasi që ata dëgjuan Fjalën e Allahut, e dëgjuan Kuranin por nuk e pranuan atë.”

Shpërndaje: