Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Bindja ndaj udhëheqësit dhe përgjigjja ftesës së tij

Imam Muhamed bin Ali Esh-Sheukani (v. 1250)
Raf’ul-Esatin fi Hukmil-Ittisal bil-Salatin, fq. 448-449
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Kontakti i ndaluar me udhëheqësit i referohet takimeve që nuk sjellin ndonjë përfitim fetar për muslimanin ose që mund të kenë pasoja negative.

Por çfarë duhet të themi kur në Kuran kemi ajete të qarta që na urdhërojnë t’i bindemi udhëheqësve, menjëherë pas bindjes ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ?

Në librat bazë të haditheve është transmetuar nga shumë rrugë të ndryshme transmetimi se është obligim bindja ndaj udhëheqësit dhe se duhet bërë durim ndaj padrejtësive të tij. Në vijim do t’i cekim disa hadith autentike që urdhërojnë bindjen ndaj tyre.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Dëgjo dhe bindju prijësit edhe nëse të rreh dhe ta merr pasurinë, dëgjo dhe bindju!”.” 

Transmeton Muslim (3/1476).

Po ashtu në një tjetër hadith autentik, ai ﷺ tha:

“Jepuni atyre të drejtat e tyre dhe lutjuni Allahut për të drejtat tuaja.”

Transmeton Bukhari (13/7052) dhe Muslimi (3/1843).

Është transmetuar në mënyrë autentike se profeti ﷺ ka urdhëruar që t’u bindemi udhëheqësve përderisa ata falin namazin1 dhe sipas disa haditheve, përderisa ata nuk bien në mosbesim të qartë2.

Nëse një udhëheqës kërkon takim me dikë, ai duhet t’i përgjigjet ftesës me kusht që kontakti të mos përfshijë mëkate dhe që ai person të vazhdojë të thërrasë në të mirë dhe të ndalojë të keqen nëse ka mundësi ta bëjë këtë. Përndryshe ai është i arsyetuar dhe nuk konsiderohet mëkatar për deri sa nuk e pranon dhe nuk e mbështet të ndaluarën.


1, 2, Transmeton Muslimi (3/1853).

Shpërndaje: