Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Blerja e rrobave të reja për gruan dhe fëmijët për Bajram

Shejkh Abdilah bin Ubejd el-Xhabirij 

Burimi: http://ar.miraath.net/audio/942
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: A është bashkëshorti i detyruar t’i jap para gruas së tij që të blejë rroba për festa apo të ashtu quajtura dhurata për nderë të festës, sepse ka bashkëshortë të cilët nuk i japin para grave për të blerë rroba të reja për Bajram.

Përgjigje: Duke e pasur parasysh se ti je muslimane, unë supozoj që ti ke për qëllim dy festat e Islamit, domethënë Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Nuk mendoj se ke për qëllim festat periodike që shumica e muslimanëve i festojnë për shkak se ata pasojnë popujt tjerë qorrazi. Këto festa janë të ndaluara.

Fakti që ju me sa duket i referoheni dy festave Islame dhe të bazuara në sheriat, Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, unë them se:

1 – Unë të këshilloj ty dhe gratë tjera muslimane, dhe sidomos gratë që i përmbahen sunnetit, që të jenë të durueshme me bashkëshortët, të jetojnë në harmoni me ta. Ndërsa burrat t’ua mundësojnë grave të tyre atë që është e drejtë nga aspekti fetar dhe nga ajo që është e zakonshme ndërmjet dy bashkëshortëve.

2 – Unë i këshilloj burrat që të kenë durim me gratë dhe bijat e tyre; t’u japin dhurata djemve, vajzave dhe grave të tyre aq sa Allahu ja ka mundësuar.

Ajo që unë ju këshillojmë juve grave dhe ajo çka i kemi këshilluar edhe burrat tuaj, është që të bashkëjetoni në mirësi, në atë që ju sjell juve dashuri, harmoni, të silleni në atë mënyrë që ua forcon lidhjen tuaj dhe të bashkëpunoni në vepra të mira dhe devotshmëri.

Ndërsa juve grave posaçërisht, ju këshilloj që të jeni të sjellshme ndaj bashkëshortëve të cilët nuk kanë gjendje të mirë ekonomike dhe t’i kuptoni ata nëse nuk kanë mundësi të blejnë për ju dhurata qofshin ato rroba apo edhe bizhuteri të ndryshme. Ju këshilloj me këtë gjë ngase Allahu ju ka obliguar që të keni bashkëjetesë të mirë.

Bazuar në këtë, burri që ka kushte të mira e ka obligim që të shpenzojë nga ajo që i ka dhënë Allahu për fëmijët e tij dhe nënën e tyre, që t’i gëzojë ato në lidhje në këto dy festa. Kjo vlen veçanërisht në qoftë se veprat e tilla janë nga traditat dhe zakonet tek ju. Mos u bë inferior që të fusësh gëzimin në shtëpinë dhe familjen tënde.

Ndërsa në lidhje me motrën e cila po pyet, them se nuk ka rëndësi nëse ai të jep para për të blerë rroba ose dhurata të tjera për Bajram apo në qoftë se ju të dy shkoni në dyqane dhe blini atë që ti dëshiron. Në parim, është gruaja ajo që di më së miri se çka i nevojitet asaj, bijave të saj dhe fëmijëve të vegjël, ndërsa burri zakonisht e di më së miri se çka kanë nevojë bijtë e tij të mëdhenj.

Si përmbledhje e gjithë kësaj, ju të gjithë jeni të obliguar që të jeni tolerant dhe të jeni të durueshëm me njëri-tjetrin. Nëse gruaja kërkon shumë nga burri i saj, ai duhet të jetë i butë dhe ta arsyetojë atë. Gjithashtu, ju gratë muslimane jeni të detyruar që t’ua lehtësoni gjendjen burrave dhe mos kërkoni furnizim dhe veshje që ata nuk ia arrijnë dot. Dhe unë të përgëzoj me hadithin:

“Kush lë diçka për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson atë me një më të mirë.”

Shpërndaje: