Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 226-229
Përktheu: Valdet Gashi
Bukhari dhe Muslimi transmeton nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) i cili tha:
“Profeti ﷺ ishte njeriu më bujar dhe ai ishte më bujari gjatë Ramazanit kur Xhibrili e takonte atë dhe e lexonte Kuranin. Xhibrili e takonte atë çdo natë në Ramazan për të lexuar Kuranin me të. Kur Xhibrili e takonte të dërguarin e Allahut ﷺ, ai ishte më bujar se sa dërgimi i erës.” 1
Imam Ahmedi gjithashtu e transmetoi këtë hadith me shtojcën:
“Nuk i kërkohej atij diçka vetëm se ai dhuronte atë.”
Bujari do të thotë që të japësh diçka në sasi të mëdha. Allahu (te ala) është përshkruar me bujari. Tirmidhi transmetoi nga Sad bin Ebi Uakas i cili tha se profeti ﷺ ka thënë:
“Allahu është bujar dhe e do bujarinë dhe është fisnik dhe e do fisnikërinë.” 2
Në transmetimin e njohur nga el-Fudejl bin Ijadh, ai ﷺ tha:
“Allahu (te ala) thotë çdo natë: “Unë jam Bujari dhe nga Unë vjen bujaria dhe unë jam Fisniku dhe prej meje vjen fisnikëria.”
Allahu është më Bujari prej bujarëve. Bujaria e Tij rritet shumëfish gjatë periudhave të caktuara të Ramazanit. Në të Ai shpalli:
“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet.” 3
Çdo natë Allahu liron njerëz nga zjarri. Pasi që Allahu (azze ue xhel) i kishte dhuruar profetit të Tij ﷺ karakteret më të përsosura dhe më fisnike, ai edhe u bë njeriu më bujar. Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
“Unë jam dërguar për të përmbushur karakteret fisnike.”
Kjo dëshmon se profeti ﷺ ishte absolut njeriu më bujar. Në mënyrë të ngjashme, ai ishte më i miri, më i dituri, më i guximshmi dhe më i përsosuri në të gjitha karakteristikat e lavdërueshme.
Ai ishte bujar në çdo mënyrë të mundshme. Ai ishte bujar në dhurimin e dijes dhe pasurisë. Ai ishte bujar për të sakrifikuar jetën e tij për Allahun (azze ue xhel), për të bërë që feja e Tij të fitoj dhe të udhëzojë robërit e Tij. Ai u bëri dobi atyre në çdo mënyrë të mundshme duke u dhënë ushqim të uriturve dhe duke këshilluar të paditurit, dhe duke u kujdesur për nevojat dhe barrat e tyre. Profeti ﷺ gjithmonë ka pasur këto karakteristika. Enesi ka thënë:
“I dërguari i Allahut ﷺ ishte njeriu më i mirë, njeriu më trim dhe njeriu më bujar.”
Gjithashtu Muslimi transmeton nga Enesi se ai ka thënë:
“Kurrë nuk iu kërkua diçka të dërguarit të Allahut ﷺ për Islamin, vetëm se e dhuronte atë. Një njeri erdhi tek ai dhe i dha atij një luginë dele. Pastaj njeriu u kthye te populli i tij dhe u tha: “O populli im! Bëhuni musliman! Muhammed jep pa pasur frikë varfërinë.”
Ai transmetoi gjithashtu se Safuan bin Umeje ka thënë:
“I dërguari i Allahut ﷺ më dha atë që më dha. Nuk ishte njëri që e urreja më shumë se atë. Por më pas ai u bë njeriu që e kam dashur më së shumti.”
Ibn Shihab ka thënë: “Në ditën e Hunejnit ai i dha atij njëqind deve, pastaj përsëri një njëqind, dhe pastaj përsëri një njëqind.”
Bukhari dhe Muslimi transmetuan nga Xhubejr bin Mutim i cili tregoi se beduinët u zvarrisin pas profetit ﷺ kur ai po kthehej nga Hunejni dhe i kërkuan që t’ua shpërndante prenë e luftës. Ai tha:
“Po të kisha pasur më shumë deve sa këto gjemba të pemëve, unë do t’u kisha shpërndarë mes jush. Pastaj ju nuk do të më konsideronit koprrac, gënjeshtar apo frikacak.”4
Bukhari dhe Muslimi transmetoi nga Xhabiri i cili ka thënë:
“Kurrë nuk iu kërkua diçka të dërguarit të Allahut ﷺ dhe ai të thoshte: “Jo.” Ai më tha: “Nëse do të marrim pasuri nga Bahrejni, unë do të jap ty kaq shumë dhe tregoi me të dy duart.”
Bukhari ka transmetuar nga Sehl bin S’ad i cili tregoi:
“Profetit ﷺ ia dhanë një rrobe për të cilën ai kishte nevojë dhe e veshi atë. Pastaj një njeri e pyeti nëse ai mund t’ia dhuronte atë dhe ia dha atij. Si rezultat njerëzit filluan ta qortojnë njeriun dhe i thanë: “Ai ishte në nevojë për të, dhe ti e di që ai nuk thotë jo nëse i kërkohet diçka.” Pastaj njeriu tha: “Unë ia kërkova atë vetëm që ta kem qefin. Dhe ajo u bë qefini i tij.”
1 Bukhari (1902) dhe Muslimi (2308).
2 Tirmidhi (2799).
3 2:186.
4 Bukhari (2821).