Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Burri e ka në dispozicion divorcin

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fataua Ulema el-Beled el-Haram, fq. 652
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Cila është urtësia në atë se burri e ka në dispozicion divorcin? Cili është gjykimi për tu ndarë nga gruaja pa ndonjë arsye? Cili është gjykimi që gruaja të ndahet nga burri i saj pa ndonjë arsye?

Përgjigje: Sa i përket asaj se burri është ai i cili ka në dispozicion divorcin, duhet ditur se kjo është drejtësi. Sepse, janë burrat që kanë në dispozicion edhe marrëveshjen e martesës dhe për këtë arsye është ai duhet të ketë dispozicion këtë çështje. Po ashtu, ai ka përgjegjësi për kujdesin ndaj gruas. Allahu (Te ala) ka thënë:

“Burrat janë përgjegjës dhe mbikëqyrës për gratë.” (4:34)

Në qoftë se është burri që ai ka përgjegjësinë dhe kujdesin, atëherë sipas shikimit të drejtë është ai i cili e ka në dispozicion këtë çështje.

Po ashtu, sepse burri ka mendje më të plotë se sa gruaja dhe ai ka largpamësi më shumë. Prandaj, ti e sheh se ai dëshiron të ndahet vetëm kur e sheh veten të detyruar për këtë. Ndërsa nëse çështja do të ishte në duart e gruas, ajo do të  kishte qenë më shkurtëpamëse dhe të gjykonte në bazë të emocioneve të saj.

Ndoshta asaj i pëlqen një person dhe rrjedhimisht ajo ndahet nga burri i saj, sepse ajo ka parë një person i cili duket më i bukur se burri i saj.

Ka shumë urtësi pas kësaj çështje që nuk mund të më kujtohen tani. Nga ana tjetër, këto tri që i përmenda i përkasin urtësive më të mëdha pse burri e ka në dispozicion divorcin.

Sa i përket pyetjes së dytë, që burri të ndahet nga gruaja pa ndonjë arsye, ka disa dijetarë që thonë se ka pesë gjykime të ndryshme të cilat e trajtojnë divorcin.

Ai mund të jetë i detyrueshëm.

Ai mund të jetë i ndaluar.

Ai mund të jetë i rekomanduar.

Ai mund të jetë i urryer.

Ai mund të jetë i lejuar.

Në parim, divorci është një veprim i padëshiruar, sepse bëhet fjalë për të thyer një nyjë të dëshiruar dhe të inkurajuar nga sheriati. Po ashtu, ekziston rreziku që të lindin dëme të mëdha. Për shembull, në qoftë se bashkëshortët kanë fëmijë së bashku. Në rast divorci ndahet kjo familje dhe probleme të tjera shfaqen.

Megjithatë, është i lejuar divorci nëse detyrohesh dhe nuk mund të arrish të jetosh i lumtur me gruan. Kjo i përket dhuntive të Allahut (Azze ue Xhel), sepse në qoftë se dy bashkëshortë mbeten të pakënaqur së bashku, e tërë jeta e tyre do të rrënohet. Por falë dhuntive të Allahut, është i lejuar divorci në qoftë se ai është me të vërtetë i nevojshëm.

Sa i përket gruas që dëshiron të ndahet, konsiderohet të jetë e ndaluar nëse nuk ka ndonjë arsye. Shembuj të kësaj janë që bashkëshorti të ketë fe të mangët, moral të mangët ose se ajo nuk është në gjendje të bëj durim më me të. Në këtë rast, lejohet për të që të kërkojë divorcin, ashtu sikurse veproi gruaja e Thabit bin Kajsit (radijAllahu anha) kur ajo shkoi tek profeti (salAllahu alejhi ue selem) dhe tha:

Ajo erdhi tek Profeti (paqja qoftë mbi të) dhe tha:

“O i dërguari i Allahut, unë as nuk po  e kritikoj moralin e Thabit bin Kajsit e as fenë e tij, por unë e urrej kufrin në Islam.

Me këtë ajo kishte për qëllim se ajo kishte frikë se ajo nuk do të jetë në gjendje që të përmbushë të drejtat e burrit të saj në Islam dhe prandaj kërkoi divorcin.

Profeti (alejhis-salatu ues-selam) i tha asaj: “A do t’ia kthesh kopshtin e tij të cilin ai ia kishte dhënë asaj si mehër martese?

Ajo tha: Po.

Atëherë, ai (salAllahu alejhi ue selem) i tha burrit të saj Thabitit (radijAllahu anhu):

Merre kopshtin dhe ndahu prej saj.” [1]

Po ashtu profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha:

“Gruaja që i kërkon divorcin burrit të saj pa ndonjë arsye, i është ndaluar aroma e xhenetit.”

Transmeton Ebu Daudi (2226). Autentik sipas Albanit në “Sahih Sunen Ebi Daud (2226)”.

Ky hadith është argument se kërkesa e saj për divorc pa një arsye të ligjshme, i përket një nga mëkateve më të rënda sepse kjo u përmend me një kërcënim.


1 Bukhari (5273).

Shpërndaje: