“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Çka duhet bërë në Ramazan dhe urtësitë e agjërimit

Imam Abdurr-Rrahman bin Nasir es-Sa’di (v. 1376) dhe

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: 48 Su’alani anis-Sijami, Ibn Uthejmin.
Dhe Fetua Ramadan vol. 1, fq. 32-34. Edua es-Selef.
Duke iu referuar ‘el-Irshad ila marifatil ahkam nga Imam es-Sa’di me disa rishikime

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Muaji i Ramazanit është një muaj i bekuar. Gjatë kësaj Allahu zbriti Kuranin. Në të Ai e bëri agjërimin një prej shtyllave të Islamit. Gjatë këtij muaji e kemi namazin e natës; një akt vullnetar që e ngritë në shkallë më të lartë personin, e bënë atë më të mirë dhe bëhet një faktor kontribues për të shpëtuar nga zjarri i xhehenemit. Në dy Sahihet (Bukhariut dhe Muslimit) transmetohet se profeti ka thënë:

”Kushdo që agjëron gjatë Ramazanit me besim të sinqertë dhe duke shpresuar që të arrij shpërblimin e Allahut, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme. Ai i cili falet në natën e Kadrit me besim të pa lëkundur dhe shpresë për shpërblim, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”

Kjo do të thotë: Ai që agjëron dhe falet për shkak të besimit të tij në Allahun (te ala) dhe se ai beson dhe pranon ligjin e Tij, në nënshtrim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu për agjërimin dhe namazin e natës. Ai i cili agjëron dhe fal namazin e natës gjatë Ramazanit dhe natës së Kadrit për shkak të këtyre dyjave – imaninit dhe shpresës në shpërblimin e Allahut– është ai të cilit i falen mëkatet e kaluara.

Nëse shikojmë prapa në kohë, ne gjejmë se shumë ngjarje të mëdha kanë ndodhur gjatë këtij muaji të bekuar – ngjarje, kujtimet e të cilave sjellin gëzim për besimtarët. Para së gjithash, Allahu (te ala) zbriti Kuranin gjatë këtij muaji. Ai filloi shpalljen gjatë këtij muaji dhe e bëri të bekuar Ramazanin. Me këtë Kuran arritën muslimanët të çlironin pjesë të mëdha të botës në lindje e perëndim. Duke u kapur për Kuranin, muslimanët arritën famë dhe flamuri Islam u ngrit kudo. Ne jemi gjithashtu të bindur dhe të sigurt se umeti Islam do t’i kthehen Kuranit dhe të gjykuarit me të – dhe pastaj umeti do të rimarrë lavdinë e mëparshme me lejen e Allahut.

Megjithatë ai që merr mjaltin duhet të shijojë thumbin dhe ai i cili mbledh trëndafila ndien eren e tyre’. Gjithashtu fitorja duhet të paraprihet me një sprovë të atyre që ruajnë/mbajnë Islamin dhe thërrasin në të. Kjo është sepse Allahu thotë në librin e Tij:

Dhe sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë juve, derisa Ne t’i njohim ata prej jush që përpiqen fort (për çështjen e Allahut) dhe durimtarët; dhe Ne do të provojmë veprat tuaja të vërteta (cili është gënjeshtar dhe cili është i drejtë).” [Muhammed 47:31]

”Apo mendoni se do të hyni në xhenet pa sprovime të atilla të cilat u erdhën edhe atyre të cilët kanë kaluar para jush? Ata u goditën me varfëri të thellë e me mjerime dhe u tronditën aq shumë, saqë edhe i dërguari mes tyre dhe ata që besonin me të thanë: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?!” Po! Padyshim ndihma e Allahut është afër!” [el-Bekare 2:214]

Një tjetër ngjarje e madhe që ka ndodhur në Ramazan ishte çlirimi i Mekës. Meka qeverisej nga adhuruesit e idhujve dhe politeistëve që e kishin shkatërruar atë me kufër, shirk dhe mëkate. Të premten e 20-të Ramazanit në vitin e 8 pas hixhretit profeti marshoi si fitimtar në Mekë, derisa ai arriti në Qabe. Kurejshitët të cilët ishin mundur plotësisht dhe ishin nën mëshirën e profetit, pritnin me shqetësim se çfarë do të bëjë profeti me ta.

Ai u tha atyre:

”O kurejshit! Çka prisni që të bëjë me ju?
Ata thanë: Ne presim mirësi nga ti sepse ti je një vëlla yni dhe nip i mirë.

Profeti u tha atyre: ”Shkoni, ju jeni të lirë.”

Ai i fali ata dhe i la të lirë përkundër faktit se ai kishte mundësinë të bëjë me ta çfarëdo që të dëshironte, dhe kjo është një nga shembujt e shumta të traditës dhe tolërimit të madh të profetit .

Pasi përmendëm disa nga ngjarjet më të mëdha që ndodhën gjatë muajit të Ramazanit mund të themi: Çka duhet të bëjmë gjatë Ramazanit?

Ajo që ne duhet të bëjmë gjatë këtij muaji të bekuar është veprimi i gjërave të obliguara dhe të rekomanduara. Agjërimi është obligativ ndërsa namazi i natës është i rekomanduar. Agjërim do të thotë të heqësh dorë nga gjërat që e prishin atë që nga agimi deri në muzg – duke adhuruar Allahun. Dëshmi për këtë është thënia e Allahut:

”Tash pra, afrojuni atyre dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju (fëmijët, pasardhësit) dhe hani e pini derisa të dallohet peri i (drita e) bardhë në agim qartë nga peri i zi (errësira e natës), pastaj plotësoni agjërimin tuaj deri në rënien e natës (pasardhëse).” [el-Bekare 2:187]

Qëllimi i agjërimit nuk është të trajnuarit e trupit për të duruar urinë, etjen dhe vështirësitë. Përkundrazi qëllimi i agjërimit është për të trajnuar shpirtin që të braktis atë që e do për hir të Allahut, që të kënaqë të Dashurin e tij (Allahun). Atë që vetja e do dhe të cilën e braktis është ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet seksuale. Këto janë dëshirat e njeriut. Allahu është i Dashuri, kënaqësia e të Cilit kërkohet. Prandaj ne duhet të kemi këtë si qëllim tonë kur ne agjërojmë, që të braktisim këto gjëra duke kërkuar kënaqësinë e Allahut.

Urtësia që fshihet pas obligimit të agjërimit për këtë umet është sqaruar nga Allahu (te ala) në Kuran:

”O ju që keni besuar, Ju është obliguar agjërimi, ashtu siç u ishte obliguar atyre para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [El-Bekare 2:183].

”Që të bëheni të devotshëm” do të thotë: që të mund ta keni frikë Allahun, të braktisni atë që Ai ka ndaluar dhe të veproni atë që Ai ka urdhëruar. Kjo përmbledh gjithçka që është thënë në lidhje me urtësinë e agjërimit sepse frika (et-takua) ndaj Allahut është një fjalë gjithë-përfshirëse për të gjitha ato që Allahu i do dhe është i kënaqur me to, gjithashtu të vepruarit atë që Ai e do dhe të braktisurit e gjërave të ndaluara.

Agjërimi është mënyra më e fuqishme që robi të të arrijë lumturinë dhe sukseset e tij në fe, në jetën e kësaj bote dhe në jetën e tij të ardhshme.

Agjëruesi i afrohet Allahut duke lënë gjërat që ai dëshiron dhe ai vendos dashurinë e tij ndaj Allahut para dashurisë së vetvetes (egos) së tij. Për shkak të kësaj Allahu veçoi agjërimin nga veprat e tjera kur Ai bëri që agjërimi t’i takon vetëm Atij, siç transmetohet autentikisht nga i dërguari :

”Të gjitha veprat që njeriu bënë janë për të dhe shpërblimi për veprën e mirë dhjetëfishohet përveç agjërimit, ai është për Mua dhe unë shpërblejë për të [sa të dua].” [Bukhari dhe Muslimi].

Agjërimi është prej themeleve të devotshmërisë sepse Islami nuk plotësohet përveçse nëpërmjet agjërimit pasi që ai është një nga pesë shtyllat e Islamit. Agjërimi bën që imani të rritet, të arrihet durimi dhe që njeriu të mësohet me vështirësitë të cilat e afrojnë më afër Zotit të qiejve. Agjërimi është një nga arsyet që njeriu të shtoj nga veprat e mira, si namazi, leximi i Kuranit, përkujtimi i Allahut (dhikri) dhe lëmosha etj., të cilat sjellin edhe frikën ndaj Allahut.

Profeti ka thënë:

”Nëse agjëruesi nuk braktis thëniet dhe veprat e këqija dhe të kota Allahu nuk ka nevojë që ai të braktis ushqimin dhe pijet.”

Allahu nuk dëshiron që ne të përmbahemi nga ushqimi dhe pija aq sa Ai dëshiron që ne të mos themi dhe të mos veprojmë të keqën dhe të ndaluarën. Kështu robi i afrohet Allahut duke braktisur të ndaluarën në tërësi, prej të cilave mund të numërojmë:

– Fjalimet e rrejshme: d.m.th.. çdo fjalë e ndaluar.

– Të veprojë në përputhje me të (me gënjeshtrën): Këto janë të gjitha akete të ndaluara.

– Braktisja e gjërave të ndaluara që janë në kundërshtim me agjërimin ndërsa këto janë gjëra që edhe e prishin agjërimin sepse nëse ai i përgjigjet grindjes me grindje, grindësi do t’i përgjigjet këtij dhe kështu me radhë. Atëherë agjërimi i tij do të mbështillet nga fyerjet dhe grindjet. Por nëse ai thotë ”unë jam agjërueshëm”, ai i tregon atij të cilit e fyen apo që kërkon të grindet me të që ta kuptojë se ky është në gjendje që t’i përgjigjet atij vetëm me atë që e bën të ndalohet nga veprimet e liga e ky është agjërimi – dhe grindësi ndal veten e tij sepse ai ndihet i turpëruar dhe braktis fyerjet dhe grindjet që mund t’i shkaktojë. Pra përveç obligueshmërisë agjërimi ka edhe urtësinë e cila është për të nxitur në devotshmëri. Nëse ne e dimë këtë ne duhet të shpejtojmë në vepra të mira duke qenë agjërueshëm, si: të bërit dhikër, të lexuarit e Kuranit, të falemi, të japim lëmoshë, të sillemi me butësi ndaj krijesave, të kemi karakter të mirë, të jemi inkurajues për të tjerët që të punojnë siç duhet, etj..

Me pak fjalë, të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të përmirësuar veten. Nëse muslimani do të jetë në gjendje të tillë gjatë tërë muajit, padyshim se gjendja e tij do të ndryshojë në më të mirë. Prandaj edhe është bërë obligim që muslimani duhet të paguajë një lëmoshë (zekat-ul-fitrin) në fund të Ramazanit për të kompletuar pastrimin e shpirtit. Shpirti siç pastrohet duke bërë të mirën dhe duke qëndruar larg së keqes, pastrohet gjithashtu edhe duke dhënë lëmoshë. Prandaj lëmosha është quajtur zekat, që do të thotë pastrim.

Kjo ishte e tëra, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhammedin , mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që pasojnë ata me të mirën deri në ditën e gjykimit.

Shpërndaje:

Dela på facebook
Dela på whatsapp
Dela på telegram