“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Çfarë është e ndaluar që gruaja të veprojë gjatë periudhës së menstruacioneve?

Autor: Imam Ibn Kudameh el-Makdisi 

Shpjegues: Imam Behaud-Din el-Makdisi 

Burimi: El-Uddeh fi Sherhil-Umdeh (1/51-53)
Fusnota: Dr. Abdullah bin Muhsin et-Turki
Mu’esseseh er-Risaleh (1421/2001)
www.perlatmuslimane.com

Menstruacionet e ndalojnë gruan nga dhjetë gjëra:

1 – Falja e namazit dhe obligimet e saj

2 – Agjërimi.

3 – Bërja Tavaf.

4 – Leximi i Kuranit.

5 – Prekja e Mus’hafit.

6 – Qëndrimi në xhami.

7 – Marrëdhëniet seksuale.

8 – Shkurorëzimi.

9 – Numërimi i ditëve përgjatë muajve.

10 – Të obliguarit e guslit, (me të kuptohet) mosha madhore dhe me të njihet periudha e shkurorëzimit.

Shpjegimi:

1. Falja e namazit – Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) ka thënë:

إذا أقبلة الحيضة فدعي الصلاة

“Nëse periudha menstrual ka ardhur, ti duhet ta braktisësh faljen e namazit.” Buhariu (306) dhe Muslimi (333)

Aishah (radijAllahu anha) ka thënë:

“Kur kishim periudhat menstruale gjatë kohës së të dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue selem), urdhëroheshim të bëjmë kaza agjërimin ndryshe nga namazi.” Buhari(321) dhe Muslim (335).

Po të ishte obligim, ai do t’i urdhëronte që edhe namazin ta bëjnë kaza.

2. Agjërimi – Por obligimi i të agjëruarit nuk bie, për shkak të hadithit të lartpërmendur nga Aishja (radija Allahu anha). Gjithashtu, profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë:

أليس إحداكن إذا حاضت لم تصم و لم تصل قلن بلى

“A nuk është e vërtetë që ju nuk faleni dhe nuk agjëroni kur t’iu vijnë menstruacionet?” Ato thanë: “E vërtetë.” Buhari (303).

3. Bërja Tavaf – Kjo do të thotë tavaf rreth Qabesë. Ai (salAllahu alejhi ue selem) i tha Aishes:

إذا حضت فافعلي ما يفعل الحاج ، غير ألا تطوفي بالبيت حتى تطهري

“Nëse të vijnë menstruacionet, bëj të gjitha ato veprime që i bën haxhiu; me përjashtim që të mos bësh tavaf rreth Shtëpisë (Qabesë) derisa të pastrohesh.” Buhari (305) dhe Muslim (384).

4. Leximi i Kuranit – Ngase profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

لا تقرأ الحائض و لا الجنب شيء من القرآن

“Nuk duhet të lexoj asgjë nga Kurani, as gruaja e as xhunubi.” Tirmidhi (131). I dobët sipas Imam Albanit në ”el-Irva’” (192).

5. Prekja e Kuranit – Allahu (Subhaneh) ka thënë:

الْمُطَهَّرُونَ لا يَمَسُّهُ إِلا

“Atë nuk e prek askush përveç të pastrit.” 56:79.

6. Qëndrimi në xhami – Ai (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

لا أحل المسجد للحائض

“Nuk është i lejuar qëndrimi në xhami për gruan me menstruacione.” Ebu Davud (232). Hadithi është i Mirë në ”Nasburr-Rrajeh” (ez-Zejle’i) (1/194) dhe ”Telhisul-Habiir” (Ibën Haxher) (1/140). Ndërsa i Dobët në ”El-Irva” (El-Albani).

7. Marrëdhënia seksuale – Allahu i Madhëruar ka thënë:

فَاعْتَزِلُواْ النِّسَاء فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّىَ يَطْهُرْنَ

“…andaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen.” 2:222.

Dhe profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

اصنعوا كل شيء إلا النكاح

“Bë çdo gjë përveç nikahut (marrëdhënieve intime).” Muslimi (302) dhe Ebu Davudi (258).

8. Shkurorëzimi –

لأن ابن عمر لما طلق امرأته و هي حائض أمره رسول الله صلى الله عليه و سلم بالرجعة حتى تطهر . ثم إن شاء طلق و إن شاء أمسك

“Kur Ibën Umeri e shkurorëzoi gruan e tij e cila ishte gjatë periudhës menstruale, i Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) e urdhëroi atë që ta kthej gruan derisa ajo të pastrohet. Pas kësaj nëse dëshiron e shkurorëzon e nëse dëshiron e mban (nuk e shkurorëzon).” Buhariu (2251) dhe Muslimi (1471).

9 . a) Numërimi i ditëve të shkurorëzimit përgjatë muajve… – Pasi ti ketë ardhur periudha menstruale, ajo llogarit periudhën e shkurorëzimit. Ai (Subhaneh) ka thënë:

وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاَثَةَ قُرُوَءٍ

“E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tre menstruacione…” 2:228

10. Menstruacionet obligojnë Guslin... – Ai (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

دعي الصلاة قدر الأيام التي كنت تحيضين فيها ثم اغسلي و صلي

“Lëre faljen e namazit për aq kohë sa ti ke periudhën menstrual. E më pas, pastrohu dhe fale namazin.” Buhariu (319) dhe Muslimi (333).

b) …puberteti …- Do të thotë, që vajza është e moshës madhore, atëherë kur asaj i shfaqen menstruacionet. I dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) ka thënë:

لا يقبل الله صلاة حائض إلا بخمار

“Allahu nuk pranon namazin e femrës me menstruacione (të moshës madhore) pa shami.” Ebu Davudi (641), Tirmidhiu (377) dhe Ibn Maxheh. Hadithi është autentik në ”El-Irva’” (196).

Nga ky hadith, kuptojmë të obliguarit e mbulesës për shkak se femrës i vijnë menstruacionet. Dhe të obliguarit me obligime islame për të është, për shkak të menstruacioneve. Ky është argument se me shfaqjen e menstruacioneve, femra konsiderohet e moshës madhore.

c) … me të njihet periudha e shkurorëzimit – Në qoftë se asaj i kanë ardhur menstruacionet, periudha e shkurorëzimit llogaritet sipas tyre. Ai (Subhaneh) ka thënë:

وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاَثَةَ قُرُوَءٍ

“E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tre menstruacione…” 2:228

Ndërsa, para se t’i vijnë menstruacionet, ajo e llogarit periudhën e shkurorëzimit me muaj e jo me menstruacione. Allahu (Subhaneh) ka thënë:

وَاللَّائِي يَئِسْنَ مِنَ الْمَحِيضِ مِن نِّسَائِكُمْ إِنِ ارْتَبْتُمْ فَعِدَّتُهُنَّ ثَلَاثَةُ أَشْهُرٍ وَاللَّائِي لَمْ يَحِضْنَ وَأُوْلَاتُ الْأَحْمَالِ أَجَلُهُنَّ أَن يَضَعْنَ حَمْلَهُنَّ

“Kurse, gratë e të cilëve, që nuk e kanë në rregull menstruacionet, nëse nuk e keni ditur, iddeti (koha e pritjes) së tyre është tre muaj, sikurse edhe ato që nuk kanë pasur menstruacione. Shtatzënat presin deri sa të lindin.”

Shpërndaje: