“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Gjykimi për të mësuar dhe praktikuar magjinë

Komisioni i Përhershëm për Kërkime dhe Fetva
Fetvaja nr. 6289
Kryetar: Abdul Aziz Ibn Abdullah Ibn Baz
Zv.Kryetar: Abdurr-Rrezak Afifi
Anëtar: Abdullah Ibn Gudejan
Anëtar: Abdullah Ibn Ku’ud
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetja e parë: Çfarë nënkuptohet me fjalët: “Mësojeni magjinë por mos punoni me të!”

Pasi disa njerëz pretendojnë se ky është një hadith i dobët?

Përgjigje: Nuk lejohet të mësohet magjia as për ta praktikuar dhe as për ta parandaluar atë. Allahu -te ala- na ka treguar qartë në Librin e Tij se mësimi i magjisë është kufër (mosbesim).

Allahu -te ala- ka thënë:

”Në të vërtetë, Sulejmani nuk kishte rënë në mosbesim por shejtanët kishin rënë në mosbesim, duke ua mësuar njerëzve magjinë dhe atë që u zbriti dy melekëve në Babiloni – Harutit dhe Marutit. Ata nuk ia mësonin atë (magjinë) askujt pa i thënë: “Në të vërtetë, ne jemi sprovë kështu që mos u bëj jobesimtar (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” El-Bekare, 2:102

Gjithashtu profeti ﷺ na ka treguar se magjia është një nga mëkatet e mëdha shkatërruese dhe ka urdhëruar të largohemi prej saj, duke thënë:

“Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese.”

Transmeton Bukhari (2767)  dhe Muslimi (89).1

Dhe përmendi magjinë si njëra prej tyre.

Gjithashtu edhe në Sunenin e Nesaiut transmetohet:

”Kushdo që lidh një nyje dhe pastaj fryn në të, ka bërë magji. Dhe ai që bën magji, ka bërë shirk.”

Sa i përket fjalës që u përmend: “Mësojeni magjinë, por mos punoni me të!” 

Ky nuk është hadith, as i saktë dhe as i dobët, sipas asaj që ne dimë.

Suksesi është nga Allahu. Lavdërimi dhe bekimi qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.


1 Hadithi i plotë: Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Qëndroni larg nga shtatë mëkatet shkatërruese.”

Ata thanë: “O i dërguari i Allahut! Cilat janë ato?”

Ai u përgjigj: “Bërja shirk Allahut, magjia, vrasja e njeriut, gjë që Allahu e ka ndaluar përveçse me të drejtë (ligjore), ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, lëshimi i frontit, akuzimi i besimtareve të ndershme për imoralitet.”

Transmeton Bukhari (2767)  dhe Muslimi (89).

 

Shpërndaje: