Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (vdiq. 1421)
Burimi: Fetaua Erkanul-Islam nr. 57
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Cili është vendi i fëmijëve të muslimanëve dhe fëmijëve të kufarëve të cilët vdesin të vegjël?”
Përgjigje: “Vendi i fëmijëve të besimtarëve është Xheneti, ngase ata shkojnë me prindërit e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:
وَالَّذِينَ آمَنُوا وَاتَّبَعَتْهُمْ ذُرِّيَّتُهُمْ بِإِيمَانٍ أَلْحَقْنَا بِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَمَا أَلَتْنَاهُمْ مِنْ عَمَلِهِمْ مِنْ شَيْءٍ كُلُّ امْرِئٍ بِمَا كَسَبَ رَهِينٌ
“Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.” 1
Sa i takon fëmijëve që janë edukuar nga prindërit të cilët nuk janë muslimanë, mendimi më i saktë është të themi se Allahu e di më së miri se çfarë do të kishin vepruar ata.
Në këtë jetë, ata kanë të njëjtin gjykim si prindërit e tyre, por në lidhje me gjykimin mbi ta në botën tjetër, Allahu i Lartësuar e di më mirë se çfarë do të kishin vepruar ata po të kishin jetuar. Kjo është diçka për të cilën ka folur Profeti (salAllahu alejhi ue selem), që ceket në Sahihun e Buhariut (1384). Allahu e di më së miri se cili është vendi i tyre në Ahiret.
Në fakt, kjo nuk është diçka që është e rëndësishme për ne. Gjëja më e rëndësishme për ne është gjykimi mbi ta në jetën e kësaj bote. Gjykimi mbi ta – kam për qëllim për fëmijët e jobesimtarëve – është se ata kanë gjykimin e prindërve të tyre. Ata nuk duhen të pastrohen, nuk mbështillen me qefin, nuk u falet namazi i xhenazes dhe nuk varrosen në varrezat e muslimanëve.”
1 Et-Tur 52:21