“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Dallimi mes muxhizes dhe kerametit – Bin Baz

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh El-Akide El-Uasitijeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Dallimi ndërmjet muxhizes (mrekullisë që Allahu ua jep të dërguarve të Tij), kerametit (dhuntisë së jashtëzakonshme që Allahu ua jep eulijave të Tij), dhe ngjarjeve të jashtëzakonshme djallëzore që shfaqen përmes magjistarëve dhe sharlatanëve, është si vijon:

Muxhize është ngjarja e jashtëzakonshme që Allahu ua jep të dërguarve dhe profetëve të Tij, me të cilën ata i sfidojnë njerëzit, në mënyrë që këta të besojnë dhe t’i binden mesazhit me të cilin Allahu i ka dërguar. Përmes saj Allahu i Plotfuqishëm i ndihmon dhe i mbështet ata në misionin e tyre.

Prej këtyre mrekullive janë ndër të tjera, ndarja e hënës dhe zbritja e Kuranit i cili në mënyrë absolute është mrekullia më e madhe që i është dhënë ndonjëherë një të dërguari. Po ashtu ndër mrekullitë e tjera përfshihen rënkimi i trungut të palmës nga malli për të dërguarin e Allahut dhe dalja e ujit në formë burimi nga gishtat e tij, të cilat janë përmendur nga Bejhaki në Delailu En-Nubueh, si dhe shumë mrekulli të tjera.

Ndërsa kerameti është ajo ngjarje e jashtëzakonshme që Allahu ua jep miqve të Tij besimtarë (eulijave), si p.sh. dija, fuqia, etj., apo ngjarje si hija që binte mbi Usejd ibn Hudejrin kur ai lexonte Kuran (Muslimi (796), apo drita që shfaqej mbi Abad ibn Bishrin dhe mbi Usejd ibn Hudejrin, të cilët, kur u ndanë nga i dërguari i Allahut ﷺ, në momentin që u larguan nga njëri-tjetri, secilit prej tyre i shfaqej dritë që vinte prej shkopit të kamxhikut (Bukhari (3805)).

Prej kushteve që një ngjarje e jashtëzakonshme të konsiderohet keramet është që personit të cilit i jepet kjo dhunti të jetë besimtar i devotshëm dhe të zbatojë Sheriatin. Nëse është e kundërta, atëherë ngjarjet e tilla janë nga shejtani.

Gjithashtu duhet theksuar se mungesa e kerameteve tek disa muslimanë nuk nënkupton se ata kanë iman të dobët sepse çdo keramet që ndodh ka shkaqet e veta, dhe prej tyre janë:

1 – Forcimi dhe qëndrueshmëria e imanit tek robi, prandak shumë nga sahabët nuk panë asnjë keramet për shkak të fuqisë dhe sigurisë së plotë në besimin e tyre.

2 – Ngritja e argumentit kundrejt armikut sikurse në rastin e Khalidit, kur ai piu helmin. Ai kishte rrethuar një fortesë dhe armiqtë nuk pranuan t’ia dorëzonin derisa ai të pinte helmin; ai e piu dhe më pas e pushtoi fortesën1.

Një tjetër shembull i kerameteve është ai që i ndodhi Ebi Muslim El-Khaualanit, kur El-Esued El-Ensi e hodhi në zjarr dhe Allahu e shpëtoi atë sepse ai kishte nevojë për këtë keramet. Po ashtu në historinë e Ummu Ejmenit, gjatë nisjes për hixhret dhe pas një etjeje të madhe, ajo dëgjoi një zë nga lart, ngriti kokën dhe pa një kovë me ujë; ajo piu prej saj, dhe pastaj kova u largua. Këtë e tregon Ibn Haxheri në El-Isabeh.

Kerameti mund të jetë gjithashtu një sprovë, përmes së cilës njerëzit testohen: disa bëhen të lumtur, ndërsa për të tjerët mund të jetë dënim. I lumtur është ai që falënderon Allahun për këtë dhunti, ndërsa i shkatërruar është ai që mahnitet me veten e tij dhe nuk i përmbahet fesë.


1 Hejthemi në Mexhmu (9/350) ka thënë: “E kanë transmetuar Ebu Ja’la dhe Tabarani në formë të ngjashme. Në një nga zinxhirët e transmetimit tek Tabarani, transmetuesit janë të besueshëm por transmetimi është i ndërprerë (mursel); transmetuesit e të dyve janë të besueshëm (thikat), vetëm se Ebu Sefer dhe Ebu Burdete ibn Ebi Musa nuk kanë dëgjuar prej Khalidit, dhe Allahu e di më së miri.”

Shpërndaje: