Imam Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Ligjërata: Silsilat-ul-Huda uen-Nur (36)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmusliamne.com
Pyetje: A lejohet anëtarësimi në një sindikatë si për shembull sindikata e mjekëve ku mjekët betohen me betimin e Hipokratit? Secila sindikatë ka betimet e veta specifike. A lejohet një gjë e tillë?
Përgjigje: Unë besoj se të tëra këto sindikata nuk janë të organizuara sipas Islamit dhe se ato bazohen në rregulla që kundërshtojnë Islamin. Këto sindikata për shembull me sa di unë dhe ndoshta jam gabim në këtë perceptim që unë kam për to, në mënyrë të detyrueshme mbledhin para nga anëtarët e kësaj sindikate. Çka ndodh pastaj me ato para? Ato (paratë) përfundojnë nëpër banka. Kështu anëtari i kësaj sindikate do të marrë pjesë me ta në këtë veprim, pra kjo nuk lejohet. Ky është vetëm një shkak prej shkaqeve të tjera (që ndalohen sindikatat). Sigurisht, më mungon njohja në detaje e (funksionimit dhe organizimit) të këtyre sindikatave, por në përgjithësi unë e di se ato bazohen në rregulla që bien në kundërshtim me ligjin Islam. Kështu që nuk i lejohet muslimanit të jetë anëtar në sindikatë përveçse nëse është i detyruar. Unë nuk mendoj se ky rregull (i të qenit i detyruar) mund të zbatohet në këtë rast.
Pyetje: Për sa i përket fondeve dhe siguracioneve që shteti ua ka bërë detyrim punonjësve dhe këto para përfundojnë nëpër banka ose diku tjetër (çfarë gjykimi ka për këtë)?
Përgjigje: Kjo nuk është në zgjedhjen tënde (pasi je i detyruar nga shteti), ndërsa anëtarësimi në një sindikatë bëhet me zgjedhjen (vullnetin) tënde, pra janë dy çështje që dallojnë nga njëra tjetra.
Pyetje: Porse kur punëmarrësi e lë punën për shkak të daljes në pension, ai i merr këto para?
Përgjigje: I lejohet që të marrë vetëm atë që i takon:
“E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kapitali juaj (pa përfitim të kamatës) – askënd nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” 2:279
Pyetje: Cili është gjykimi nëse një inxhinier, mjek ose farmacist është i detyruar të anëtarësohet në një sindikatë dhe jo me zgjedhjen (vullnetin) e tij ?
Përgjigje: Unë i jam përgjigjur kësaj.