Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (vdiq. 1421)
Burimi: “Mexhmu’ Fetaua ue Rasail”, pyetja 152.
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Dënimi në varr, a i ndodh trupit apo shpirtit?”
Përgjigje: “Në parim, kjo ndëshkimi i ndodh shpirtit, ngase gjykimet që i përkasin jetës pas vdekjes (jetës në varr), kanë të bëjnë me jetën e shpirtit. Trupi është një copë mishi që shkatërrohet. Prandaj, trupi nuk ushqehet në mënyrë që të mbetet ashtu siç është. Por, atë e hanë gjallesat e tokës. Mirëpo, Shejkhul-Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ka mundësi që shpirti të lidhet me trupin dhe të dënohet apo shpërblehet në atë formë.” Gjithashtu, një mendim tjetër i Ehlus-Sunnetit, thotë se, dënimi apo ndëshkimi në varr i ndodh trupit e jo shpirtit. Për argument, kanë atë se, kur janë hapur disa varre, në trupat e të varrosurve janë parë shenja nga ndëshkimi i Allahut. Gjithashtu, disa varre kur janë hapur, në trupat e tyre janë parë shenja të mirësive dhe shpërblimit të Allahut për ta. Më kanë treguar disa njerëz se, në këtë qytet që po jetojmë në ‘Unejze, disa punëtorë derisa po gërmonin tokën për të ndërtuar portat në hyrje të qytetit, kishin hasur në njerëz të varrosur! Qefinin e tyre e kishte ngrënë toka, ndërsa trupat e tyre ishin aq të njomë dhe toka nuk i kishte dëmtuar aspak! Më është thënë se, mjekra e njërit prej tyre ishte ende e lyer me kanë dhe i vinte era parfum edhe më e mirë se ajo e miskut! Kështu që, ata u ndalën së punuari, shkuan tek njëri prej dijetarëve dhe e pyetën në lidhje me këtë ngjarje, kurse ai iu kishte përgjigjur: “Lëreni ashtu siç është, dhe largohuni nga aty, zhvendosni punët më larg nga ai vend.”
Duke u bazuar në këto që i cekëm më lartë, dijetarët thonë se, ka mundësi që shpirti të lidhet/futet në trup dhe pastaj dënimi eventualisht shpërblimi të jetë për të dyja së bashku. Ajo që mbështet këtë mendim, është edhe hadithi i Profetit (salallahu alejhi ue selem), në të cilin thotë:
إن القبر ليطبق على الكافر حتى تختلف أضلاعه
“Me të vërtetë, varri ngushtohet për jobesimtarin saqë, edhe brinjët i ndërthuren në njëra-tjetrën.”
Ky hadith, është argument se, ndëshkimi ndodh mbi trupin, ngase brinjët janë në trup, dhe Allahu e di më së miri!”