Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh Thalathat-il-Usul
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Dëshmia për vdekjen e profetit (salAllahu alejhi ue selem) janë fjalët e Tij (Te ala):
”Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë, e sigurisht që edhe ata do të vdesin. E pastaj, në ditën e gjykimit pranë Zotit tuaj do të grindeni mes vete e Ai gjykon.” 39:30-31
Pasi që njerëzit të kenë vdekur, ata do të ringjallen. Dëshmia për këtë janë fjalët e Allahut (Te ala):
”Ne ju kemi krijuar prej tokës, dhe në të do t’ju kthejmë dhe prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.” 20:55
”Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët, pastaj ju kthen tek ajo dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë (në ditën e gjykimit).” 71:17-18
Shpjegimi
”Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë… – Ky ajet tregon se profeti (salAllahu alejhi ue selem) dhe njerëzit tek të cilët ai u dërgua do të vdesin. Më pas, ata do të gjykohen tek Zoti i tyre. Atëherë Ai do të gjykojë mes tyre me të vërtetën dhe Ai nuk do t’i bëjë mosbesimtarët të triumfojnë mbi besimtarët.
Pasi që njerëzit kanë vdekur, ata do të ringjallen – Në këtë fjalë autori (rahimehullah) sqaroi se njerëzit do të ringjallen pas vdekjes. Pasi të kenë vdekur, Allahu (Azze ue Xhel) do ti ringjall ata për t’i sjellë para drejtësisë. Ky është rezultati i dërgimit të dërguarve, që do të thotë që të punoj njeriu për këtë ditë, ditën e ringjalljes. Gjendja dhe tmerret e kësaj dite janë përshkruar nga Allahu (Subhanehu ue Te ala) në një mënyrë që e shtynë zemrën që të pendohet tek Allahu (Azze ue Xhel) dhe që ti frikësohet kësaj dite. Allahu (Te ala) ka thënë:
”Qysh do të mbroheni ju, nëse mbeteni jobesimtarë, Ditën në të cilën fëmijët do të thinjen? Atë ditë qielli do të çahet e premtimi i Zotit do të përmbushet.” 73:17-18
Në këtë fjali ka shenjë për besimin në Ringjalljen dhe Shejkhu e dëshmoi këtë me këto dy ajete.
”Ne ju kemi krijuar prej tokës… – Do të thotë nga kjo tokë Ne ju krijuam pasi që Ademi (alejhis-salatu ues-selam) u krijua nga balta.
… dhe në të do t’ju kthejmë… – Do të thotë kur ju të varroseni pasi të keni vdekur.
… dhe prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë…. – Me ringjalljen në Ditën e Gjykimit.
” Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët… – Ky ajet është në përputhje me fjalët e Tij (Te ala):
”Ne ju kemi krijuar prej tokës, dhe në të do t’ju kthejmë dhe prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.” 20:55
Ajete me kuptim të ngjashëm janë jashtëzakonisht të shumta. Allahu (Azze ue Xhel) ka sqaruar dhe ka përsëritur çështjen e ditës së kijametit, që njerëzit të besojnë në të, tu rritet besimi dhe të veprojë para kësaj dite të madhe. Lusim Allahun (Subhanehu ue Te ala) të na bëjë që të veprojmë për këtë ditë dhe të jemi të lumtur në të.