Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: I’anat-ul-Mustafid bi Sherh Kitab-it Teuhidit, fq. 596
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
2 -Ubadeh bin es-Samit i tha të birit:
”Biri im! Ti nuk do të ndiesh ëmbëlsinë e besimit derisa ta dish se ajo që të ka goditur nuk ka mundur që të mos godas dhe ajo që nuk të ka goditur nuk ka mundur të godas. E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) duke thënë: ”Gjëja e parë që Allahu krijoi ishte lapsi. Ai tha: ”Shkruaj.” Ai tha: ”Zot! Çfarë të shkruaj? ”Ai i tha: ”Shkruaj kaderin e çdo gjëje deri në Ditën e Gjykimit.” Biri im! E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) duke thënë: ”Kush vdes në besim tjetër nga ky nuk më përket mua.” 1
Djali i tij quhej Uelid bin Ubadeh bin es-Samit. Kur Ubadeh ishte në shtratin e vdekjes, i kërkoi atij që ta këshillonte, ku ai urdhëroi që ta ngrinin ulur, dhe tha:
”Biri im!”
Ai e tha këtë nga dhembshuria dhe përkujdesja. Në mënyrë të ngjashme tha Llukmani:
يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنكَرِ
“O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat.”2
Babai i urdhëron fëmijët e tij të kenë frikë Allahun (Azze ue Xhel) dhe ti përmbahen fesë dhe besimit. Kjo është detyrë e etërve ndaj fëmijëve. Ata duhet ti urdhërojnë që të kenë frikë Allahun, të përmirësojnë akiden dhe t’i përmbahen fesë dhe karaktereve të mira.
1 Ebu Davudi (4700). Autentik sipas Albanit ”Dhilal-ul-Xhenah” (111).
2 31:17