Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Detyra fetare e grave në lidhje me të qëndruarit në shtëpi

Alameh Bekr bin Abdullah Ebu Zejd 

Burimi: “Hirasetul-Fadileh”, fq. 74-75

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Në parim gruaja duhet të qëndrojë në shtëpi dhe kjo duke u mbështetur në fjalët e Allahut (te ala):

وَقَرْنَ فِي بُيُوتِكُنَّ

“Qëndroni në shtëpitë tuaja.” 33:33

Kjo është detyra fetare e grave, ndërsa ato mund të dalin nga shtëpia vetëm në rast nevoje. Prandaj, në vazhdim të ajetit të sipërpërmendur thuhet:

وَلَا تَبَرَّجْنَ تَبَرُّجَ الْجَاهِلِيَّةِ الْأُولَى

“E mos i zbuloni stolitë tuaja ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” 33:33

Kjo do të thotë se gratë nuk duhet të dalin shpesh dhe se nuk duhet të dalin të zbukuruara apo të parfumuara ashtu siç vepronin gjatë kohës së injorancës.

Që femrat janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi është e njëjta gjë sikur ajo të bartë në rrugë mbulesë, por në formën e mureve, të cilat e pengojnë atë që ta shohin burrat e huaj dhe e mbrojnë atë nga përzierjet mes dy gjinive. Nëse femrat janë në prani të burrave të huaj, ato obligohen që të mbulojnë trupin e tyre në tërësi dhe po ashtu edhe zbukurimet e tyre (stolitë dhe çdo gjë tjetër që është zbukurim femëror).

Kushdo që lexon Kuranin Fisnik e sheh se si Allahu (azze ue xhel) në tri prej ajeteve i porositë femrat që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Në realitet, në të shumtën e rasteve ato nuk janë shtëpitë e tyre, por janë pronë e burrave apo e kujdestarëve të tyre. Megjithatë, Allahu i quan ashtu duke dashur të tregojë për vlerën dhe rëndësinë e këtij urdhri. Ato tri ajete janë:

وَقَرْنَ فِي بُيُوتِكُنَّ

“Qëndroni në shtëpitë tuaja.” 33:33

وَاذْكُرْنَ مَا يُتْلَى فِي بُيُوتِكُنَّ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ وَالْحِكْمَةِ

“Mbani në mendje ato që lexohen në shtëpitë tuaja prej shpalljes së Allahut dhe urtësisë (sunnetit)!” 33:34

لَا تُخْرِجُوهُنَّ مِن بُيُوتِهِنَّ

“Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre.” 65:1

Shpërndaje: