Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Dija-Modestia-Sinqeriteti-Dijetarët

Shejkh Sulejman Err-Rruhajli 

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Përpara se të fillojmë me mësimin (dersin) tonë, më pëlqen t’i rikujtoj vëllezërit me një çështje, për çka e lus Allahun ta bëjë të dobishme dhe të përfitojmë prej saj.

S’ka dyshim që, njëra nga pengesat më kryesore dhe më të qenësishme që paraqiten gjatë kërkimit të dijës në rrugëtimin drejt Allahut عز و جل, është dëshira për t’u dukur (për të qenë në qendër të vëmendjes), për t’u bërë i njohur, si dhe synimi që njerëzit të kenë nevojë për ty. Kjo është pengesa kryesore në këtë rrugë. I Dërguari صلى الله عليه و سلم thotë:

لا تعلموا العلم لتباهوا به العلماء و لا لتماروا به السفهاء ولا تخيروا به المجالس فمن فعل ذلك فالنار النار

“Mos e nxini dijen për t’i sfiduar dijetarët, as për t’u dalluar prej të paditurve, dhe as që të zgjidhni mexhliset (apo dhe të zini vend në krye të tyre); kushdo që e bën këtë, zjarri është ndëshkimi për të.”

Të parët tanë të mirë (të devotshëm) رضوان الله عليهم nuk e donin famën dhe nuk pëlqenin të përmendeshim; por dëshironin që e vërteta të triumfonte.

Ejjub Es-Sikhtijani (Allahu e mëshiroftë!) thoshte: “Jam përmendur në mesin e njerëzve, mirëpo nuk dua që kjo të ndodhë.”

Gjithashtu, përmendet se po ky dijetar, kur ecte rrugës, zgjidhte ato rrugica ku nuk e njihte askush; aq sa disa që e njihnin thoshin: “Si ka mundësi që e gjen veten në ato rrugë (si mund të udhëzohet përmes atyre rrugicave)?”

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Do të doja të jetoja në njërin prej vargmaleve të Mekës!” Ndërsa djalit të vet i thoshte: ‘Do të desha që babait tënd të mos i atribuohej asgjë; porse jam sprovuar me fatkeqësinë e të qenit i njohur!” Ai këtë e konsideronte si fatkeqësi. Prandaj, njeriu duhet që dijen ta kërkojë me modesti. Dhe sa herë që njeriut i shtohet dija, i shtohet edhe modestia.

Kur imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) pat thënë: “Me kërkimin e dijes nuk barazohet (krahasohet) asgjë prej nafileve – dhe kjo vlen për atë që nijet të saktë.” E pyetën: “Ç’është nijeti i saktë gjatë kërkimit të saj?” Tha: “Ta kërkojë me modesti dhe të ketë për qëllim që vet të përfitojë i pari prej saj.”

Kështu, nxënësi i dijes duhet që gjatë këtij rrugëtimi gjithherë të tregohet modest dhe, gjithnjë duke qenë edhe i sigurt në atë që merr; meqë siguria nuk krahasohet me asgjë.

Nisur nga kjo, të parët tanë të devotshëm (selefët) nuk garonin se cili prej tyre i pari do të jepte fetva dhe as se cili prej tyre do të kishte më shumë nxënës. (P.sh.) kur pyeteshin për ndonjë çështje, e porosisnin pyetësin të shkonte tek dikush tjetër. Kur shtrohej ndonjë mesele e caktuar, dhe pse e dinin përgjigjen, megjithatë pyetësin e drejtonin tek dikush tjetër; pastaj edhe ky tjetri mund ta drejtonte te dikush tjetër. Për më tepër kjo ndodhte edhe në mesin e disa prej sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Kur përgjigjen e jepte ky i fundit, pyetësi kthehej tek ai i dyti (duke i treguar se çfarë përgjigje kishte marrë), i cili i thoshte: ‘Edhe unë e them po të njëjtë gjë sikurse ai.’ Gjithashtu, kthehej edhe tek i pari, i cili po ashtu i thoshte: ‘Edhe unë e them po të njëjtën gjë sikurse ai.’ Në fakt, ata jo se nuk e dinin përgjigjen, mirëpo fevatë i drejtonin tek dijetarët e tjerë, për të cilët e dinin se janë të ditur dhe largpamës.

Nëse njeriu është sprovuar me dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes, për të qenë i njohur apo që të tjerët të kthehen tek ai, ky njeri, me të vërtetë është sprovuar me një sëmundje shumë të rëndë. Këtë njeri, nuk do e gjesh veçse duke folur për dijetarët e mëdhenj e të besueshëm, për të cilët njerëzit e udhëzuar dëshmojnë për të mirë.

Të tillët, patjetër që kjo do t’i shtyjë të flasin kundër dijetarëve të mëdhenj, të besueshëm, të mirë (devotshëm), të udhëzuar e pasues të Sunnetit, siç janë ‘Dijetarët e Mëdhenj’ dhe ‘Komisioni i Përhershëm për Fetva’, por edhe dijetarë të tjerë të mëdhenj, siç është Shejkh Salih Alu Esh-Shejkh, Shejkh Abdul-Muhsin El-Abad, Shejkh Rabi’ El-Medkhali, Shejkh Ubejd El-Xhabirij, Shejkh Salih Es-Suhejmi, e dijetarë të tjerë të shumtë të cilët i njohin nxënësit e dijes.

Kur disa njerëz flasin dhe tërthorazi i thumbojnë këta dijetarë këtë nuk e bëjnë për të ndihmuar fenë e Allahut, por për faktin se këta dijetarë i shohin si pengesën kryesore për t’u bërë të njohur e me famë. Prandaj të nderuar vëllezër, kur dijetarët kritikojnë ndonjë gjë të caktuar apo kritikojnë ndonjë njeri, në kritikat e tyre gjeni dashurinë që ata kanë për fenë; dashurinë që e vërteta të dalë në shesh dhe të refuzohet e kota. Ashtu siç e gjeni këtë në formën të qartë te kritikat e Shejkh Rabi’ El-Medkhalis.

Vërtet që një njeri i paanshëm (i drejtë) kur lexon kritikat e Shejkhut (Shejkh Rabis), në to gjen dëshirën që feja të triumfojë, i shtyrë nga dashuria për fenë, udhëzimi dhe ndihmesa për të. Nga ana tjetër, në fjalët e disave gjeni synimin për të përmbushur disa aspirata personale; të cilat më pas i shfaqin edhe hapur. Sa herë që u thuhet ndonjë gjë, ata thonë: ‘dijetarët nuk kanë thënë asgjë; dijetarët nuk e kanë sqaruar këtë gjë! E përse ti po e thua këtë?!’ (v.p. kur dijetarët nuk kanë thënë asgjë, ti pse po e flet këtë?!)

Në këtë mënyrë, ai flet kundër dijetarëve. Pas gjithë kësaj, njerëzit vijnë me gjëra të shpikura. Siç ka ardhur etheri nga Ibnu Mes’udi رضي الله عنه në të cilin thuhet: “Ç’është me njerëzit që nuk po më pasojnë mua? Kam mësuar Kur’anin përmendësh, e kam marrë dije; megjithëkëtë ata nuk do të më pasojnë mua derisa të mos shpik diçka në mesin e tyre!” Kështu, ai shpik ndonjë gjë përmes së cilës bëhet i njohur; ose bie në bidat duke bërë padrejtësi e duke e tepruar me tekfirë, apo sjell ndonjë bidat tjetër me të cilin kundërshton Ehli Sunetin dhe Xhematin, vetëm e vetëm që të bëhet i njohur. E kur dijetarët ia sqarojnë se kjo gjë është bidat, tregohet arrogant dhe i kundërshton ata. Nuk i kundërshton me diçka të drejtë, po me të kotën.

E them këtë të nderuar vëllezër, së pari si këshillë për veten time, (sa shumë që kam nevojë për këshillë!); pastaj edhe për vëllezërit e mi, në mënyrë që të mos biem preh e këtyre fatkeqësive.

E lus Allahun عز و جل me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij Madhështore, që ta shërojë atë që është prekur nga kjo fatkeqësi, ta kthej te udhëzimi, te e vërteta dhe Suneti. Allahu na ruajte të gjithëve nga e keqja e kësaj fatkeqësie. Na bëftë të udhëzuar dhe udhëzues, që e duam të mirë dhe të mirët, ndihmëtarë të së vërtetës dhe të pasuesve të saj.

Këto fjalë, i them për shkak të një pyetjeje që më është bërë nga njëri prej nxënësve të dijes në lidhje me këtë temë.

E lus Allahun عز و جل që fjalët e mia të jenë fjalë të hakut, dhe e lus që ato fjalë t’i bëjë të mira e të pranueshme.

Shpërndaje: