Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Disa fjalë për Ramazanin

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Veçse jemi në këtë muaj (të Ramazanit)… Atë që e ndihmon Allahu, ai është duke shijuar mirësitë e Tij. Ky është një muaj fisnik, të cilin Allahu e ka dalluar ndaj muajve të tjerë. Thotë Allahu:

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” 2:185

Allahu e bëri agjërimin e këtij muaji obligim ndërsa namazin e natës vullnetar. Agjërimi në të është shtylla e katërt e Islamit dhe namazi i natës -namazi i teravive dhe i natës (tehexhud) është Sunnet, të cilën e vepronte i dërguari i Allahut . Agjërimi ka gjykime madhështore, sepse në realitet ai është xhihad kundër vetvetes tënde, kundër dëshirave. Personi e lë atë çfarë kërkon vetvetja e tij, ai e lë atë në bindje ndaj Allahut, pra me këtë e vendos bindjen ndaj Allahut para bindjes ndaj vetvetes së tij. Gjithashtu, i lë dëshirat e tij për t’u afruar më afër Allahut dhe kjo është dëshmi e Imanit. Ai që vendos bindjen ndaj Allahut para bindjes ndaj vetvetes, kjo dëshmon për Imanin e tij.

Në të kundërtën, ai që e vendos bindjen ndaj nefsit të tij para bindjes ndaj Allahut, ky është hipokrit. Besimtari në këto ditë të Ramazanit e di se Allahu e ka urdhëruar ta lë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime (gjatë ditës) për Allahun. Dhe prej mëshirës së Allahut është se Ai u ka dhënë atyre një pjesë kohore përgjatë këtij muaji, në të cilën ata mund t’i shijojnë gjërat e lejuara. Ato janë të ndaluara gjatë ditës, por të lejuara natën.

“Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” 2:187

Pra, Ai e caktoi agjërimin në atë mënyrë, që fillon nga agimi dhe përfundon me perëndimin e diellit, sepse atëherë fillon nata. Besimtari i bindet Allahut ‘Azze ue Xhel, bën iftar në kohën e duhur, siç edhe agjëron në kohën e kërkuar. Këtë e bën, ngase ai është rob i Allahut dhe i bindet Allahut në atë çfarë Ai ka urdhëruar, dhe e lë atë çfarë Ai e ka ndaluar. Nuk është e lejuar që njeriu ta vazhdoj agjërimin edhe gjatë natës. Sepse profeti e ka ndaluar këtë gjë.

Ata (shokët e tij) i thanë: “O i dërguari i Allahut ti agjëron vazhdimisht edhe gjatë natës.” Profeti ﷺ vepronte në këtë mënyrë, por kjo është e veçantë vetëm për të. Prandaj ne, hamë në kohën e iftarit ndërsa agjërojmë në kohën kur është për të agjëruar.

Nëse agjëron njeriu, kjo nuk do të thotë se ai duhet ta lë vetëm ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime. Por ai e lë gjithë atë çfarë Allahu ia ka ndaluar atij, me përjashtim të kohës që nuk është për të agjëruar, sepse ka gjëra që janë të ndaluara gjithmonë dhe ka gjëra që janë të lejuara, por janë të ndaluara vetëm në kohën e agjërimit. Ushqimi, pija, marrëdhëniet intime, këto janë gjëra të lejuara kur nuk jemi agjërueshëm. Pra, ato janë të lejuara në një kohë të caktuar dhe të ndaluara në një kohë tjetër. Por gjërat të cilat janë gjithmonë të ndaluara, siç është shpifja, përgojimi, gënjeshtra, të folurit e ndaluar, të shikuarit haram, të dëgjuarit haram etj., këto janë të ndaluara përgjithmonë.

Nëse dikush i vepron këto në kohën e agjërimit, ai e bën agjërimin e tij të pavlerë ose mund ta shkatërrojë agjërimin në tërësi, pra nuk mbetet shpërblim për të tek Allahu.

Dhe kjo gjë bën që, ai ta lë ushqimin dhe pijen, të cilat janë të lejuara jashtë kohës së agjërimit, por ai nuk e ka lënë atë çfarë Allahu ia ka ndaluar përgjithmonë. E që i bie se në realitet nuk ka agjëruar. Nga një aspekt ai ka agjëruar ndaj gjërave që në parim janë të lejuara (ushqimi, pija e marrëdhëniet intime), dhe ka bërë iftar (nuk është ndaluar) ndaj gjërave që Allahu ia ka ndaluar në çdo kohë. Pra këtij nuk i takon shpërblimi, por ajo çfarë ai ka marrë nga agjërimi i tij është vetëm uri dhe etje, siç ka thënë i dërguari i Allahut :

رب صائم حظه من صيامه الجوع و العطش و رب قائم حظه من قيامه السهر

“Disa agjërues fitojnë nga agjërimi i tyre vetëm uri dhe etje. Dhe disa namazli, fitojnë nga namazi i tyre vetëm pagjumësi.”

Përse? Sepse ai nuk e ka bërë namazin për hir të Allahut, por e ka bërë për syefaqësi dhe për tu parë.

“Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” 4:142

Gjërat duhet të jenë të ndërtuar mbi sinqeritet dhe bindje ndaj Allahut. Kur Ai të ka urdhëruar për të bërë iftar, bëj, dhe nëse të urdhëron që të agjërosh, atëherë agjëro. Pra, ti nuk je asgjë më shumë se një rob i Allahut (subhanehu ue te ala).

Çfarë është shumë e habitshme, që shumë njerëz -posaçërisht në këtë kohë- agjërojnë, ata e lënë ushqimin dhe pijen dhe gjërat të cilat qartësisht e prishin agjërimin, por ata nuk falen me kohë. Ata flenë pothuajse gjatë gjithë ditës!

Nuk falin namazin e sabahut, as namazin e drekës, as të ikindisë! Ata zgjohen nga gjumi vetëm kur të vije koha e iftarit. Kur fillon iftari, ata zgjohen për të ngrënë dhe pirë. Namazet u kanë ikur. Këta njerëz nuk kanë agjërim tek Allahu, edhe nëse kanë agjëruar në kohën e agjërimit.

Në të vërtetë ata e kanë lënë ushqimin dhe pijen, por ata nuk kanë agjërim të pranuar tek Allahu!

Përse? Sepse kush e lë namazin nuk ka agjërim. Namazi është shtylla e dytë e islamit dhe agjërimi është shtylla e katërt. Pra, agjërimi nuk pranohet, nëse neglizhohet namazi. Ndërsa, ata e neglizhojnë namazin dhe agjërojnë!?

Agjërimi i tyre nuk do t’i sjellë dobi para Allahun, derisa të mos e falin namazin! Nuk ka fe për atë që nuk e fal namazin, ai nuk ka fe! Sepse namazi është shtyllë e islamit, është faktori dallues në mes të myslimanit dhe jobesimtarit. 

Kush nuk falet është jobesimtarë! Kush e lë plotësisht namazin, është jobesimtarë me konsensusin e dijetarëve. Por kush nuk e ka lënë namazin e tij, por nuk e fal në kohën e duhur, ai e ka neglizhuar namazin e tij.

“Pas atyre erdhën breza, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta.” 19:59

“Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet.” 107:4-5

Allahu i quajti ata namazli! Ata falen, por në një kohë tjetër se sa në kohën e duhur. Pra ata e kanë neglizhuar namazin dhe kohën e tij. Allahu i paralajmëron ata me “mjerim”, e cila ka kuptimin e dënimit, Allahu na ruajttë!

Ai do të dënohet edhe pse ai falet!? Po, ai dënohet! Ai do të dënohet edhe pse ai falet, sepse ai nuk falet ashtu siç ka urdhëruar Allahu, por është falur siç iu ka tekur atij. Kjo do të thotë se ai është rob i vetvetes të tij dhe dëshirave të tij, e jo rob i Allahut.

Myslimani duhet të kujdeset në këto gjëra, ai duhet ta ruajë fenë e tij, ta ruajë namazin e tij, ta ruajë zekatin e tij, ta ruajë agjërimin e tij, ta ruajë haxhin dhe umren e tij, ta ruajë plotësisht fenë e tij. Ky është mysliman.

Por kush vepron një gjë të fesë dhe e lë një tjetër, i tilli është sikur ai që jeton në një shtëpi të prishur –pa dyer ose mure! Shtëpi të shkatërruar! Shtëpi e cila nuk e mbron as nga nxehtësia, as nga të ftohtit e as nga grabitësit.

Po ashtu edhe Islami: Kush nuk vepron sipas asaj çfarë Allahu ka urdhëruar, ajo nuk i sjellë atij dobi, edhe nëse ai përmendet si njëri që i takon Islamit. Islami është ashtu siç ka urdhëruar Allahu:

“Nënshtrim ndaj Allahut, me anë të Njësimit të Tij, kryerje të detyrave dhe largim nga shirku e mushrikët. Ky është Islami.”

Lus Allahun të na bëj neve prej atyre të cilëve thonë fjalë të mira dhe veprojnë vepra të mira. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin e Tij, Muhammedin, mbi familjen e tij dhe shokët e tij.

Shpërndaje: