“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Disa fjalë udhëzuese për agjëruesit e Ramazanit

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Fataua Ramadan – Vëllimi 1, faqe 32, Nr.7 Fetva
Maxhmu Fataua Samaahatu esh-Shejkh Abdul-Aziz ibn Baz – Vëllimi 3, fq. 147-148

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Çfarë këshilla keni për umetin Islam në lidhje me muajin e Ramazanit?

Përgjigje: Me emrin e Allahut, i gjithë lavdërimi i takon vetëm Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi profetin tonë, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij.

Në lidhje me afrimin e muajit të bekuar të Ramazanit, i këshilloj vëllezërit e mi dhe motrat muslimane në përgjithësi që të jenë të devotshëm ndaj Allahut të Fuqishmit dhe të Lartësuarit, të garojnë në vepra të mira, të japin këshilla të sinqerta njëri-tjetrit e të kenë durim, të ndihmojnë njëri-tjetrin në vepra të mira dhe në devotshmërisë, të jeni të kujdesshëm nga të gjitha mëkatet që Allahu i ka ndaluar kudo që të jeni, veçanërisht në këtë muaj fisnik – se vërtet ky është një muaj shumë i vlefshëm në të cilën veprat e mira shumëfishohen. Në këtë muaj, mëkatet i falen atij që agjëron dhe fal namazet vullnetare. Këtë e bën me besim të sinqertë dhe duke shpresuar që të arrij shpërblimin e Allahut.

Profeti  ka thënë:

”Kushdo që agjëron gjatë Ramazanit me besim të sinqertë dhe duke shpresuar që të arrij shpërblimin e Allahut, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”

Profeti gjithashtu ka thënë:

”Kur fillon Ramazani hapen portat e xhenetit ndërsa mbyllen portat e xhehenemit dhe shejtanët lidhen me zinxhirë.”

Profeti gjithashtu ka thënë:

”Agjërimi është mburojë ndaj zjarrit dhe të pengon nga veprimi i mëkateve. Nëse dikush nga ju agjëron ai duhet të heq dorë nga marrëdhëniet seksuale me gruan e tij dhe nga grindjet. Nëse dikush të ngacmon ose dëshiron të grindet me ty, duhet t’i thuash: ”Unë jam agjërueshëm.”

Profeti tha gjithashtu në një hadith kudsij, Allahu thotë:

”Të gjitha veprimet e bijve të Ademit janë për të. Një vepër e mirë është e barabartë me dhjetë herë sa pesha e saj, me përjashtim të agjërimit, me të vërtetë ai është për Mua dhe Unë do ta shpërblejë atë. Robi lë dëshirat e tij, ushqimin dhe pijen e tij për hir Timin. Agjëruesi ka dy gëzime: një kur ai bën iftar dhe e dyta kur ai takon Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se sa aroma e miskut.”

Profeti e kishte zakon t’u jepte lajmin e mirë të mbërritjes së Ramazanit shokëve të tij dhe u thoshte atyre: ”Muaji i Ramazanit ju ka ardhur juve. Ai është muaji i bekimit. Gjatë këtij muaji Allahu lëshon mëshirën e Tij dhe falen mëkatet. Lutjet përgjigjen dhe Allahu ju lavdëron juve tek engjëjt e Tij, kështu që tregojani Allahut virtytet tuaja se vërtet njeriu fatkeq është ai që i është ndaluar mëshira e Allahut.”1

Profeti ka thënë:

”Ai që nuk braktis fjalën dhe veprën e keqe nuk ka nevojë që para Allahut të braktis të ushqimin dhe pijen e tij.”

Në lidhje me atë se si duhet të jemi në Ramazan dhe se si duhet të përpiqemi për të bërë sa më shumë vepra të mira, ka shumë porosi profetike që na mësojnë një gjë të tillë. Prandaj, i këshilloj vëllezërit e mi muslimanë dhe motrat të jenë të drejtë gjatë ditëve ashtu edhe gjatë netëve, dhe të garojnë në vepra të mira. Ndër këto vepra të mira janë:

Të shtosh leximin e Kuranit Fisnik me të kuptuar dhe me meditim, të shtuarit e lartësuarit e Allahut [Subhan-Allah], të lavdëruarit e Allahut [elhamdulillah], të dëshmosh se nuk ka meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut [La ilahe ilAllah ], të dëshmosh Madhështinë e Allahut [Allahu Ekber], të kërkosh falje prej Allahut [es-tagh-firullah], të kërkosh xhenetin dhe të kërkosh mbrojtjen e Allahut nga zjarri i xhehenemit, dhe të bësh lutje tjera të mira.

Unë i këshilloj gjithashtu vëllezërit dhe motrat e mia që të rrisin dhënien e sadakasë gjatë këtij muaji fisnik për t’i kënaqur të mjerët dhe nevojtarët, për të bërë përpjekje në dhënien e zekatit (nga pasuria e tyre) dhe t’ua shpërndajnë nevojtarëve, të bëjnë përpjekje në të thirrurit në fenë e Allahut dhe të mësojnë ata që janë injorantë në lidhje me Islamin, të urdhërojnë në të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja me urtësi, butësi dhe në mënyrën më të mirë, të paralajmërojnë ndaj çdo të keqe dhe të japin mund në të penduarit me sinqeritet në përputhje me thënien e Allahut :

”Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” [En-Nur 24:31 ]

Dhe thënia e Allahut:

”Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të xhenetit ku do të qëndrojnë përgjithmonë si shpërblim për atë që kanë punuar.” [el-Ahkaf 46:13-14]

Allahu na dhëntë sukses në atë që e kënaq Atë dhe na ruajt kundër të gjitha tundimet mashtruese dhe të gjitha tundimit satanike.

Vërtet, Allahu është Bujar dhe plot mirësi.


1 I dobët sipas imam Albanit në Daif et-Terghib nr 592. 

Shpërndaje: