Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
“O gratë e të dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera; nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli (duke u llastuar), që të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, por flisni me maturi dhe drejtë!
“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni bukuritë, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes! Falni namazin, jepni zekatin dhe binduni ndaj Allahut e të dërguarit të Tij! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” 33:32-33
Një pyetëse nga Iraku thotë: “Është një grua fetare që jeton me një familje të udhëzuar, por problemi është se ajo është studente e vitit të parë në një universitet dhe universiteti është me përzierje – meshkuj e femra. Prandaj ajo pyet rreth gjykimit me përzierje, në këtë rast me meshkuj. Ajo gjithashtu thotë se është përpjekur që t’i ndërpresë mësimet, por babai i saj e ka kundërshtuar dhe është mllefosur e inatosur në të, duke i thënë: “nëse i lë mësimet, unë do ta shkurorëzoj nënën tënde.” Apo ajo thotë: “Ai u betua që nëse unë e lë universitetin, atëherë ai do ta shkurorëzojë nënën time.” Kështu ai e ka thënë këtë më shumë se tre herë.
Prandaj, a kam të drejtë unë që të mos i bindem babait e t’i ndërpres mësimet në universitet? Në rast se veproj kështu, a konsiderohet veprimi im shkurorëzim për nënën time (edhe në rast se babai nuk e bën këtë)?”
Përgjigje: “Sa për studimet në universitete të përziera, kjo është një fatkeqësi dhe e keqe e madhe. Ty nuk të lejohet që të studiosh në një universitet me përzierje, për shkak se kjo është rrezik për ty, për fenë tënde, për moralin dhe nderin tënd.
Në këtë mënyrë, për ty vlen që t’i ndërpresësh studimet në këtë universitet, në të cilin ka përzierje mes gjinive të kundërta dhe ta ruash fenë dhe nderin tënd, edhe nëse babi yt inatoset ndaj jush, ngase i dërguari ﷺ ka thënë:
إنما الطاعة في المعروف
“Me të vërtetë dëgjueshmëria (nënshtrimi) është vetëm në drejtësi.”
لا طاعة لمخلوق في معصية الخالق
“Nuk ka bindje ndaj krijesës në atë që është mëkat ndaj Krijuesit.”
Babai yt duhet t’i frikësohet Allahut dhe duhet të të ndalojë ty nga shkuarja në universitet. Atij nuk i lejohet që të të lejojë ty të shkosh, përkundrazi ai duhet të të ndalojë ty. Kjo është obligim për babanë dhe nënën të cilët kanë xhelozi, sepse përzierja jote me meshkuj është rrezik i madh.
Prandaj, nuk të lejohet ty të përzihesh me ta dhe obligim për ty është që të qëndrosh brenda shtëpisë tënde. Dija të cilën ti e ke arritur, është e mjaftueshme dhe ti nuk duhet t’i bindesh babait tënd në këtë çështje. Kjo është e njëjtë, sikurse ai të urdhërojë që të pish alkool apo të bësh zina. Njëjtë edhe nëse ai të urdhëron ty të dalësh jashtë me veshje provokuese, apo e pambuluar, apo të tilla si këto. Të gjitha këto janë veprime të liga dhe ti nuk duhet t’i bindesh atij. “Me të vërtetë dëgjueshmëria (nënshtrimi) është vetëm në drejtësi”, ashtu siç ka thënë i dërguari ﷺ. Dhe Allahu i ka thënë profetit të Tij:
وَلَا يَعْصِينَكَ فِي مَعْرُوف
“…dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme…”60:12
Profeti ﷺ nuk ka thirrur në diç tjetër vetëm se në mirësi, në edukatë dhe sqarim të duhur. Përzierja mes gjinive të kundërta është e keqe e madhe dhe pasojat e saj janë shkatërrimtare.
Andaj, frikësoju Allahut dhe ruaje veten tënde! Edhe babai e nëna jote duhet t’i frikësohen Allahut (xhele ue ala) dhe se ai (babai) duhet të të ndalojë nga kjo. Edhe nëse ai e shkurorëzon nënën tënde, kjo nuk do të t’i bëjë dëm asgjë, ngase Allahu do e bekojë me dikë edhe më të mirë se ai. Nuk lejohet që t’u bindesh prindërve në veprimin e një mëkati. Fakti që ai kërcënon me shkurorëzim të nënës tënde, nuk duhet të të detyrojë ty të mësosh në atë universitet, madje edhe nëse ai vërtetë e shkurorëzon atë. E lusim Allahun që të na udhëzojë të gjithëve!
Moderatori: Mirëpo, nëse ajo nuk i bindet babait të saj, a konsiderohet betimi i tij shkurorëzim për nënën?
Përgjigje: Nëse vajza e tyre shmanget nga studimet, babai i saj çështjen duhet t’ia referojë dijetarëve. Dhe kjo varet se çfarë ka pasur për qëllim me atë shprehje.