“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Dita e Fundit

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherhu Thelathetil Usul, fq. 101-110

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Dita e Fundit është Dita e Gjykimit. Në këtë ditë njerëzit do të ringjallen për të dalë para Allahut, në mënyrë që të marrin shpërblimin për veprat e tyre. Kjo ditë, është quajtur me këtë emër sepse nuk ka ditë tjetër pas kësaj dite. Në këtë ditë banorët e xhenetit do të hyjnë në xhenet dhe banorët e xhehenemit do të hyjnë në xhehenem.

Besimi në Ditën e Fundit përfshin tre çështje:

1 ) Besimi në Ringjalljen.
2 ) Besimi në Gjykimin dhe Shpërblimin.
3 ) Besimi në xhenetin dhe xhehenemin dhe se ato janë vendbanimet e përhershme të krijesave.

E para: Besimi në Ringjalljen.

Kjo do të thotë se të vdekurit do të jetojnë përsëri, pasi i është fryrë surit (burisë) për të dytën herë. Në këtë fazë, njerëzit do të ngrihen nga varret e tyre dhe do të dalin para Zotit të krijesave. Ata do të jenë të zbathur, të zhveshur dhe pa bërë synet. Allahu (te ala) ka thënë:

يَوْمَ نَطْوِي السَّمَاء كَطَيِّ السِّجِلِّ لِلْكُتُبِ كَمَا بَدَأْنَا أَوَّلَ خَلْقٍ نُّعِيدُهُ وَعْدًا عَلَيْنَا إِنَّا كُنَّا فَاعِلِينَ

“Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” 1

Ringjallja është një e vërtetë reale që është konfirmuar nga Libri i Allahut, Sunneti dhe konsensusi i muslimanëve. Allahu (te ala) ka thënë:

ثُمَّ إِنَّكُمْ بَعْدَ ذَلِكَ لَمَيِّتُونَ {15} ثُمَّ إِنَّكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ تُبْعَثُونَ

“Mandej, pas kësaj ju do të vdisni, pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit.” 2

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

يُحْشَرُ النَّاسُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ حُفَاةً عُرَاةً غُرْلًا

“Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të ringjallen këmbëzbathur, të zhveshur dhe të pa bërë synet.” 3

Muslimanët janë të bashkuar në thënien se njerëzit do të ringjallen. Gjithashtu, urtësia e Allahut është që këto krijesa të kenë një kufi përfundimtar. Nga atje, Allahu do t’i shpërblejë njerëzit dhe xhinët sipas sheriatit me të cilin kanë qenë të urdhëruar të punojnë ata. Allahu (te ala) ka thënë:

أَفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثًا وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لَا تُرْجَعُونَ

“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” 4

Ai i tha profetit të Tij (salAllahu alejhi ue selem):

إِنَّ الَّذِي فَرَضَ عَلَيْكَ الْقُرْآنَ لَرَادُّكَ إِلَى مَعَادٍ قُل رَّبِّي أَعْلَمُ مَن جَاء بِالْهُدَى وَمَنْ هُوَ فِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ

“Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhammed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë). Thuaj: “Zoti im e di mirë se kush sjell udhëzim të drejtë dhe kush është në humbje të qartë.” 5

E dyta: Besimi në dhënien e llogarisë dhe shpërblimi.

Robi merret në llogari në varësi të veprave të tij dhe në varësi të tyre edhe shpërblehet. Për këtë gjë tregojnë Kurani, Sunneti dhe Ixhmai (konsensusi) i muslimanëve.

Allahu i (te ala) ka thënë:

إِنَّ إِلَيْنَآ إِيَابَهُمْ {26} ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا حِسَابَهُم

”Vetëm te Ne kthimin e kanë. Dhe vetëm detyrë Jona është llogaria e tyre.” 6

Gjithashtu ka thënë:

مَن جَآءَ بِٱلْحَسَنَةِ فَلَهُۥ عَشْرُ أَمْثَالِهَا ۖ وَمَن جَآءَ بِٱلسَّيِّئَةِ فَلَا يُجْزَىٰٓ إِلَّا مِثْلَهَا وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ

”Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë.” 7 

Gjithashtu ka thënë:

وَنَضَعُ ٱلْمَوَٰزِينَ ٱلْقِسْطَ لِيَوْمِ ٱلْقِيَٰمَةِ فَلَا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْـًٔا ۖ وَإِن كَانَ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ أَتَيْنَا بِهَا ۗ وَكَفَىٰ بِنَا حَٰسِبِينَ

”Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.” 8

Ibn Umeri (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Vërtet Allahu do ta lerë besimtarin t’i afrohet Atij. Pastaj Ai do lëshoi vellon e Tij mbi të dhe do ta mbulojë atë. Pastaj Ai do të thotë: ”A je i vetëdijshëm për këtë mëkat? A je i vetëdijshëm për këtë mëkat?” Ai pastaj do të thotë:” Po, o Zot.”derisa Ai e bën atë që t’i pranoj të gjitha mëkatet që kishte bërë, dhe ai (njeriu) beson se tashmë ka falimentuar. Ai (Allahu) pastaj do të thotë: ”Unë t`i kam mbuluar (mëkatet) ty në jetën e dynjasë dhe Unë sot do të të fal ty.” Pastaj ai e merr librin me veprat e tij të mira. Ndërsa, në lidhje me kufarët dhe hipokritët, ata do të thirren para publikut: ”Këta e kishin zakon të gënjejnë për Zotin e tyre – mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtit.” 9

Gjithashtu, është transmetuar në mënyrë autentike nga profeti (salAllahu alejhi ue selem) se ai ka thënë:

“Në qoftë se ndonjë njeri mendon që të bëjë një vepër të mirë dhe e bënë atë, Allahu e shkruan atë tek Vetja e Tij me dhjetë vepra të mira deri në shtatëqind e edhe më shumë. Dhe në qoftë se dikush mendon të bëjë një vepër të keqe dhe e bënë atë, Allahu e shkruan atë si një vepër të keqe.” 10

Muslimanët janë në Ixhma (konsensus) se marrja në llogari dhe shpërblimi për veprat do të zhvillohet. Kjo është ajo që kërkohet nga urtësia, sepse Allahu i Lartësuar ka zbritur Libra, ka dërguar të Dërguar dhe i ka obliguar robërit që të pranojnë dhe të veprojnë sipas asaj me të cilën kanë ardhur të dërguarit, gjë e cila është e obliguar. Përveç kësaj, Ai i ka obliguar që të luftojnë kundër atyre që e kundërshtojnë Atë, dhe e ka bërë hallall derdhjen e gjakut të tyre, fëmijët e tyre, gratë dhe pasuritë e tyre.

Nëse nuk do të ekzistonte marrja në llogari dhe shpërblimi, këto gjëra do të ishin nga gjërat e kota (të pakuptueshme) ndaj të cilave Zoti i Urtë është i pastër prej atyre (gjërave). Allahu (te ala) tregon për këtë dhe thotë:

فَلَنَسْـَٔلَنَّ ٱلَّذِينَ أُرْسِلَ إِلَيْهِمْ وَلَنَسْـَٔلَنَّ ٱلْمُرْسَلِينَ {7} فَلَنَقُصَّنَّ عَلَيْهِم بِعِلْمٍ ۖ وَمَا كُنَّا غَآئِبِينَ

”Ne patjetër do t’i marrim në përgjegjësi ata, të cilëve u është dërguar (profetë), e do t’i marrim në pyetje edhe të dërguarit. Dhe duke e ditur mirë Ne do t’u rrëfejmë atyre (për atë që punuan), se Ne nuk ishim që mungonim (ishim të pranishëm).” 11

E treta: Besimi në xhenetin dhe xhehenemin, dhe se ato janë vendbanimet e përhershme të krijesave.

Xheneti është vendi i lumturisë të cilin Allahu (te ala) e ka përgatitur për besimtarët e devotshëm. Të cilët besuan në ato gjëra të cilat Allahu i obligoi që të besojnë në to, iu bindën Allahut dhe të dërguarit të Tij, të cilët e adhuruan Allahun me sinqeritet dhe e pasuan të dërguarin e Tij. Në xhenete ka lloj lloj begatish, të cilat asnjë sy nuk i ka parë, as ndonjë vesh nuk ka dëgjuar për to dhe askujt nuk i ka shkuar në mendje t’i imagjinojë (se si mund të jenë begatitë në xhenete).

Allahu (te ala) ka thënë:

إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ خَيْرُ ٱلْبَرِيَّةِ {8} جَزَآؤُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ جَنَّٰتُ عَدْنٍ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدًا ۖ رَّضِىَ ٱللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا۟ عَنْهُ ۚ ذَٰلِكَ لِمَنْ خَشِىَ رَبَّهُۥ

”Ndërsa, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë krijesa më e dobishme. Shpërblimi për ta te Zoti i tyre janë: vendet në xhenete nëpër të cilët burojnë lumenj, e aty janë përgjithmonë, pa këputur. All-llahu është i kënaqur ndaj tyre, e edhe ata janë të kënaqur prej Tij. E ky është për atë, që i ka pasur dronë Zotit të vet.” 12

Gjithashtu i Lartësuari ka thënë:

فَلَا تَعْلَمُ نَفْسٌ مَّآ أُخْفِىَ لَهُم مِّن قُرَّةِ أَعْيُنٍ جَزَآءًۢ بِمَا كَانُوا۟ يَعْمَلُونَ

”Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” 13

Ndërsa sa i përket zjarrit, ai është vendbanimi i dënimit të cilin Allahu (te’ ala) e ka përgatitur për jobesimtarët zullumqarë, të cilët e mohuan Allahun dhe i kundërshtuan të dërguarit e Tij.

Në të ekzistojnë lloje të ndryshme të ndëshkimit dhe të vuajtjeve, të cilat askush nuk mund t’i imagjinojë.

Allahu (te ala) ka thënë:

فَإِن لَّمْ تَفْعَلُوا۟ وَلَن تَفْعَلُوا۟ فَٱتَّقُوا۟ ٱلنَّارَ ٱلَّتِى وَقُودُهَا ٱلنَّاسُ وَٱلْحِجَارَةُ ۖ أُعِدَّتْ لِلْكَٰفِرِينَ

”E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët.” 14

Gjithashtu ka thënë:

وَقُلِ ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّكُمْ ۖ فَمَن شَآءَ فَلْيُؤْمِن وَمَن شَآءَ فَلْيَكْفُرْ ۚ إِنَّآ أَعْتَدْنَا لِلظَّٰلِمِينَ نَارًا أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا ۚ وَإِن يَسْتَغِيثُوا۟ يُغَاثُوا۟ بِمَآءٍ كَٱلْمُهْلِ يَشْوِى ٱلْوُجُوهَ ۚ بِئْسَ ٱلشَّرَابُ وَسَآءَتْ مُرْتَفَقًا

”E ti thuaj: ”E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.” 15

Gjithashtu i (te ala) ka thënë:

إِنَّ ٱللَّهَ لَعَنَ ٱلْكَٰفِرِينَ وَأَعَدَّ لَهُمْ سَعِيرًا {65} خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدًا ۖ لَّا يَجِدُونَ وَلِيًّا وَلَا نَصِيرًا {66} يَوْمَ تُقَلَّبُ وُجُوهُهُمْ فِى ٱلنَّارِ يَقُولُونَ يَٰلَيْتَنَآ أَطَعْنَا ٱللَّهَ وَأَطَعْنَا ٱلرَّسُولَا۠

”Allahu i ka mallkuar jobesimtarët dhe për ta ka përgatitur zjarr të ndezur fort. Aty do të mbesin përgjithmonë dhe nuk do të gjejnë kë t’i mbrojë apo t’i ndihmojë. ”Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: Të mjerët ne, ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të dërguarin!” 16

-Nga besimi në Ditën e Fundit, është edhe besimin në të gjitha gjërat që do të ndodhin pas vdekjes, p.sh;

A) Sprova e varrit: E cila është pyetja që i bëhet të vdekur pasi që varroset për Zotin e tij, fenë dhe profetin e tij. (në këto momente) Ata të cilët kanë besuar, Allahu i bënë të qëndrueshëm me fjalën e qëndrueshmërisë, dhe përgjigjen duke thënë; “Allahu është Zoti im, islami është feja ime dhe Muhammedi (salAllahu alejhi ue selem) është profeti im.”

Ndërsa kafirat Allahu do t`i humbi (duke mos u përgjigjur), dhe do të thonë; “Ah! Ah! Nuk e di!”

Ndërsa Munafiku dhe dyshuesi do të thonë; “Nuk e di! I dëgjova njerëzit të thonë diçka dhe e thashë edhe unë.”

B) Dënimi dhe përgëzimi në varr: Dënimi do të jetë për zullumqarët, munafikët dhe jobesimtarët.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا أَوْ قَالَ أُوحِىَ إِلَىَّ وَلَمْ يُوحَ إِلَيْهِ شَىْءٌ وَمَن قَالَ سَأُنزِلُ مِثْلَ مَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ ۗ وَلَوْ تَرَىٰٓ إِذِ ٱلظَّٰلِمُونَ فِى غَمَرَٰتِ ٱلْمَوْتِ وَٱلْمَلَٰٓئِكَةُ بَاسِطُوٓا۟ أَيْدِيهِمْ أَخْرِجُوٓا۟ أَنفُسَكُمُ ۖ ٱلْيَوْمَ تُجْزَوْنَ عَذَابَ ٱلْهُونِ بِمَا كُنتُمْ تَقُولُونَ عَلَى ٱللَّهِ غَيْرَ ٱلْحَقِّ وَكُنتُمْ عَنْ ءَايَٰتِهِۦ تَسْتَكْبِرُونَ

”E kush është më gabimtar i madh se sa ai që trillon gënjeshtër ndaj Zotit, ose thotë: ”Mua po më shpallet e nuk i është shpallur asgjë, ose se sa ai që thotë: ”Do të thur diçka të ngjashme me atë që e ka zbritur All-llahu”. E, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): ”Shpëtojeni pra vetveten (nëse mundeni)”. ”Tani përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se e thoshit të pavërtetën për Allahun, dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneç.” 17

Gjithashtu (te ala) ka thënë për familjen e Faraonit:

ٱلنَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَعَشِيًّا ۖ وَيَوْمَ تَقُومُ ٱلسَّاعَةُ أَدْخِلُوٓا۟ ءَالَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ ٱلْعَذَابِ

”Ata i nënshtroi zjarrit mëngjes e mbrëmje, e ditën e kijametit (u thuhet engjëjve): ”Ithtarët e faraonit futni në dënimin më të rëndë!” 18

Në ”Sahih Muslim”, transmetohet nga Zejd Ibn Thabit se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

”Sikur të mos vdisnit (direkt si shkak i degjimit), do ta kisha lutur Allahun që t`ua mundësonte të dëgjonit ndëshkimet në varr të cilat unë i dëgjoj.” Më pas u kthye nga ne dhe tha: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga dënimi i zjarrit.” Ata thanë: “Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga dënimi i zjarrit.” Ai tha: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga dënimi i varrit.” Ata thanë: “Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga dënimi i varrit.” Ai tha: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga sprovat e dukshme dhe të fshehta.” Ata thanë: “Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga sprovat e dukshme dhe të fshehta.” Ai tha: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga sprova e Dexhallit.” Ata thanë: “Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga sprova e Dexhalit.” 19 

Ndërsa sa i përket përgëzimit në varr, ai është për besimtarët e drejtë.

Allahu (te ala) ka thënë:

إِنَّ ٱلَّذِينَ قَالُوا۟ رَبُّنَا ٱللَّهُ ثُمَّ ٱسْتَقَٰمُوا۟ تَتَنَزَّلُ عَلَيْهِمُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةُ أَلَّا تَخَافُوا۟ وَلَا تَحْزَنُوا۟ وَأَبْشِرُوا۟ بِٱلْجَنَّةِ ٱلَّتِى كُنتُمْ تُوعَدُونَ

”E, s’ka dyshim se ata që thanë: ”Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhenetin që u premtohej.” 20

Gjithashtu i Lartësuari ka thënë:

فَلَوْلَآ إِذَا بَلَغَتِ ٱلْحُلْقُومَ {84} وَأَنتُمْ حِينَئِذٍ تَنظُرُونَ {85} وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنكُمْ وَلَٰكِن لَّا تُبْصِرُونَ {86} فَلَوْلَآ إِن كُنتُمْ غَيْرَ مَدِينِينَ {87} تَرْجِعُونَهَآ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ {88} فَأَمَّآ إِن كَانَ مِنَ ٱلْمُقَرَّبِينَ {89} فَرَوْحٌ وَرَيْحَانٌ وَجَنَّتُ نَعِيمٍ

”Përse, pra kur arrin shpirti në fyt, e ju në atë moment shikoni (se ç’po i ngjet). E Ne jemi më afër tek ai se ju, por ju nuk shihni. Dhe përse, nëse ju nuk jeni përgjegjës (për vepra), (përse) Nuk e ktheni atë (shpirtin të mos dalë). E nëse ai (i vdekuri) është prej të afërmve (të Zotit). Ai ka (te Zoti) kënaqësi, furnizim të mirë dhe Xhenet të begatshëm.” 21

El-Bera Ibn Azib (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë në lidhje me besimtarin pasi që ai t’i jetë përgjigjur dy engjëjve në varrin e tij:

“Një thirrës nga qielli thërret: “Robi im ka thënë të vërtetën. Shtrojini atij dyshek nga xheneti, visheni atë me veshje të xhenetit dhe hapjani atij një derë për në xhenet.” Tha: “Atij i vjen (nga dera që i hapet) fllad dhe një erë (me parfum) e mirë, pastaj i zgjerohet varri i tij aq sa syri mund të shohë.” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi nga një hadith i gjatë.

-Besimi në Ditën e gjykimit ka dobi të shumta, prej tyre;

E para: Dëshira dhe zelli për të bërë vepra të mira, duke qenë i kujdesshëm ndaj tyre dhe duke shpresuar që të shpërblehesh atë Ditë.

E dyta: Frika për të vepruar ndonjë mëkat dhe të kënaqurit me të, duke pasur frikë ndëshkimin në atë Ditë.

E treta: Besimtari i sheh me shikimin pozitiv gjërat që ai mund t’i humbë në këtë jetë, duke shpresuar lumturinë dhe shpërblimin në botën tjetër.

Jobesimtarët e mohuan ringjalljen pas vdekjes, duke pretenduar se ajo është e pamundur. Ky është një pretendim i kotë, për kotësinë e të cilës dëshmon feja, ndjeshmëria dhe llogjika.

Sa i përket fesë; Allahu (te ala) ka thënë:

زَعَمَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا۟ أَن لَّن يُبْعَثُوا۟ ۚ قُلْ بَلَىٰ وَرَبِّى لَتُبْعَثُنَّ ثُمَّ لَتُنَبَّؤُنَّ بِمَا عَمِلْتُمْ ۚ وَذَٰلِكَ عَلَى ٱللَّهِ يَسِيرٌ

”Ata që nuk besuan menduan se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: ”Po, pasha Zotin tim, patjetër do të ringjalleni dhe do të njiheni me atë që keni punuar, e ajo për Allahun është lehtë!” 22

Të gjitha Librat e shpallura e kanë vërtetuar këtë çështje.

Sa i përket Ndjeshmërisë; Allahu i ka treguar robërve të Tij, se Ai i ngjallë të vdekurit në këtë jetë. Në Suren ”El-Bekare” ka pesë shembuj për këtë çështje.

E para: Kur populli i Musait i thanë atij:

وَإِذْ قُلْتُمْ يَٰمُوسَىٰ لَن نُّؤْمِنَ لَكَ حَتَّىٰ نَرَى ٱللَّهَ جَهْرَةً فَأَخَذَتْكُمُ ٱلصَّٰعِقَةُ وَأَنتُمْ تَنظُرُونَ

”Dhe kur i thatë: ”O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim Allahun haptazi, e atëherë juve u rrëmbeu rrufeja (zjarri) dhe ju e shihnit.” 23

Allahu i bëri ata që të vdesin dhe më pas i ringjalli dhe për këtë çështje tregon Allahu kur Ai i foli Beni Israilëve:

وَإِذْ قُلْتُمْ يَٰمُوسَىٰ لَن نُّؤْمِنَ لَكَ حَتَّىٰ نَرَى ٱللَّهَ جَهْرَةً فَأَخَذَتْكُمُ ٱلصَّٰعِقَةُ وَأَنتُمْ تَنظُرُونَ {56} ثُمَّ بَعَثْنَٰكُم مِّنۢ بَعْدِ مَوْتِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

”Dhe kur i thatë: ”O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim Allahun haptazi, e atëherë juve u rrëmbeu rrufeja (zjarri) dhe ju e shihnit. Pastaj, që të jeni mirënjohës pas vdekjes suaj juve ju ngjallëm.” 24

E dyta: Historia e personit të vrarë, për të cilin u grindën Beni Israilët. Allahu i urdhëroi ata që të therin një lopë dhe më një pjesë prej saj ta godasin atë në mënyrë që ai t`i lajmërojë ata se kush e vrau atë. Për këtë ngjarje Allahu (te ala) thotë:

وَإِذْ قَتَلْتُمْ نَفْسًا فَٱدَّٰرَْٰٔتُمْ فِيهَا ۖ وَٱللَّهُ مُخْرِجٌ مَّا كُنتُمْ تَكْتُمُونَ {73} فَقُلْنَا ٱضْرِبُوهُ بِبَعْضِهَا ۚ كَذَٰلِكَ يُحْىِ ٱللَّهُ ٱلْمَوْتَىٰ وَيُرِيكُمْ ءَايَٰتِهِۦ لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ

”(Përkujtoni) Kur e patët mbytur një njeri dhe u kundërshtuat mes veti për te, e Allahu është zbulues i asaj që e mbanit fshehtë. E ne u thamë: ”Mëshoni atij (të vdekurit) me një pjesë të saj (të lopës së therrur”!) Ja, kështu Allahu i ngjallë të vdekurit dhe ua sqaron argumentet e veta, ashtu që të kuptoni.” 25

E treta: Historia e atij popullit të cilët dolën prej shtëpve të tyre duke ia mbathur nga vdekja, të cilët ishin me mijëra dhe Allahu (te ala) ja mori jetën atyre të gjithëve, më pas i ringjalli përsëri dhe në lidhje me këtë Allahu (te ala) thotë:

أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِينَ خَرَجُوا۟ مِن دِيَٰرِهِمْ وَهُمْ أُلُوفٌ حَذَرَ ٱلْمَوْتِ فَقَالَ لَهُمُ ٱللَّهُ مُوتُوا۟ ثُمَّ أَحْيَٰهُمْ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَذُو فَضْلٍ عَلَى ٱلنَّاسِ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَشْكُرُونَ

”A nuk di për ata, të cilët nga frika prej vdekjes u larguan prej atdheut të vet, e të cilët ishin me mijëra, e Allahu atyre u tha: ”Vdisni”! (ata vdiqën). Pastaj i ngjalli. Allahu është shumë bamirës për njerëz, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës.” 26

E katërta: Historia e atij personit i cili kaloi para një fshati të vdekur, duke menduar se është e pamundur që Allahu i Lartësuar ta ringjalli atë (fshat). Allahu e bëri te vdes atë (personin) njëqind vjet dhe më pas e ringjalli, dhe në lidhje me këtë Allahu (te ala) thotë:

أَوْ كَٱلَّذِى مَرَّ عَلَىٰ قَرْيَةٍ وَهِىَ خَاوِيَةٌ عَلَىٰ عُرُوشِهَا قَالَ أَنَّىٰ يُحْىِۦ هَٰذِهِ ٱللَّهُ بَعْدَ مَوْتِهَا ۖ فَأَمَاتَهُ ٱللَّهُ مِا۟ئَةَ عَامٍ ثُمَّ بَعَثَهُۥ ۖ قَالَ كَمْ لَبِثْتَ ۖ قَالَ لَبِثْتُ يَوْمًا أَوْ بَعْضَ يَوْمٍ ۖ قَالَ بَل لَّبِثْتَ مِا۟ئَةَ عَامٍ فَٱنظُرْ إِلَىٰ طَعَامِكَ وَشَرَابِكَ لَمْ يَتَسَنَّهْ ۖ وَٱنظُرْ إِلَىٰ حِمَارِكَ وَلِنَجْعَلَكَ ءَايَةً لِّلنَّاسِ ۖ وَٱنظُرْ إِلَى ٱلْعِظَامِ كَيْفَ نُنشِزُهَا ثُمَّ نَكْسُوهَا لَحْمًا ۚ فَلَمَّا تَبَيَّنَ لَهُۥ قَالَ أَعْلَمُ أَنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ قَدِيرٌ

”Ose (nuk je i njohur) me shembullin e atij që kaloi pranë një fshati që ishte rrënuar në kulmet e tij, e tha: ”Si e ngjallë Allahu këtë pas shkatërrimit të tij”? E Allahu e bëri të vdekur atë (pyetësin – Uzejrin) njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: ”Sa qëndrove (i vdekur)”? Ai tha: ”Një ditë, ose një pjesë të ditës”! Ai (Allahu) Tha: ”Jo, por ke ndenjur (i vdekur) njëqind vjet, shikoje ushqimin dhe pijen tënde si nuk është prishur, e shikoje edhe gomarin tënd (si i janë shkapërderdhur eshtrat). E për të bërë ty argument për njerëzit (bëmë këtë sprovë), shiko se si i kombinojmë eshtrat e pastaj i veshim me mish. E kur iu bë e qartë atij tha: ”U binda se me të vërtetë Allahu ka mundësi për çdo send!” 27

E pesta: Historia e Ibrahimit, i cili i kërkoi Allahut (te ala) që t`ia mundësoi të shikoi se si i ringjall të vdekurit? Allahu (te ala) e urdhëroi që të therë katër zogj, dhe pjesë pjesë t`i shpërndai në malet që ishin përreth dhe më pas t`i thërras. Pjesët u bashkuan njëra me tjetrën dhe erdhën tek Ibrahimi menjëherë, dhe në lidhje me këtë Allahu (te ala) thotë:

وَإِذْ قَالَ إِبْرَٰهِۦمُ رَبِّ أَرِنِى كَيْفَ تُحْىِ ٱلْمَوْتَىٰ ۖ قَالَ أَوَلَمْ تُؤْمِن ۖ قَالَ بَلَىٰ وَلَٰكِن لِّيَطْمَئِنَّ قَلْبِى ۖ قَالَ فَخُذْ أَرْبَعَةً مِّنَ ٱلطَّيْرِ فَصُرْهُنَّ إِلَيْكَ ثُمَّ ٱجْعَلْ عَلَىٰ كُلِّ جَبَلٍ مِّنْهُنَّ جُزْءًا ثُمَّ ٱدْعُهُنَّ يَأْتِينَكَ سَعْيًا ۚ وَٱعْلَمْ أَنَّ ٱللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

”Përkujto kur Ibrahimi tha: ”Zoti im, më mundëso të shoh se si i ngjallë të vdekurit”? Ai (Zoti) tha: ”A nuk je i besueshëm”? Ai (Ibrahimi) tha: ”Po, por desha që zemra ime të ngopet (bindje)”! Ai (Zoti) tha: ”Merri katër shpendë pranë vete (theri e copëtoi), e pastaj në çdo kodër vëndoje nga një pjesë të tyre, mandej thirri ato, do të vijnë ty shpejtë, e dije se Allahu është i Gjithëfuqishmi, i Urti.” 28

Këto janë shembuj konkrete dhe reale, të cilat tregojnë se është e mundur që të vdekurit të ringjallen. Më herët ne e përmendem se çfarë argumentesh i dha Allahu i Lartësuar Isait të birit të Merjemes, të cilit ia mundësoi që të ringjall të vdekurit dhe të dalin prej varreve të tyre, e gjitha kjo ndodhte vetëm se me lejen e Allahut (te ala).

Ndërsa sa i përket argumenteve të llogjikës, ato janë nga dy aspekte.

E para është: Allahu (te ala) është krijuesi i qiejve dhe të tokës dhe ç’ka ka në to.

Allahu (te’ala) ka thënë:

وَهُوَ ٱلَّذِى يَبْدَؤُا۟ ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ وَهُوَ أَهْوَنُ عَلَيْهِ ۚ وَلَهُ ٱلْمَثَلُ ٱلْأَعْلَىٰ فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ

 “Është Ai i Cili e fillon krijimin, pastaj do ta përsërisë atë (pasi të jetë shuar) dhe kjo është edhe më e lehtë për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë (askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Tij dhe asgjë nuk është e krahasueshme me Të) në qiej dhe tokë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”  29

يَوْمَ نَطْوِى ٱلسَّمَآءَ كَطَىِّ ٱلسِّجِلِّ لِلْكُتُبِ ۚ كَمَا بَدَأْنَآ أَوَّلَ خَلْقٍ نُّعِيدُهُۥ ۚ وَعْدًا عَلَيْنَآ ۚ إِنَّا كُنَّا فَٰعِلِينَ

”(Përkujto) Atë ditë kur Ne e palojmë qiellin sikurse palimi i fletëve në libër. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligim Yni, e Ne e bëjmë këtë.” 30

Allahu tha, kur urdhëroi që t`i kthehet përgjigje atyre të cilëve e mohojnë ringjalljen e kockave pasi që ato janë bërë rërë, duke thënë:

قُلْ يُحْيِيهَا ٱلَّذِىٓ أَنشَأَهَآ أَوَّلَ مَرَّةٍ ۖ وَهُوَ بِكُلِّ خَلْقٍ عَلِيمٌ

”Thuaj: ”I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim.” 31

E dyta: Ndodh që toka ndonjëherë të jetë e vdekur, e thatë dhe nuk ka në të pemë të gjelbërta. Më pas fillon të bjeri shiu dhe ajo bëhet e gjelbërt, e gjallë dhe mbin prej saj lloj lloj bimësh. Ai i cili ka mundësi ta ringjall atë pas vdekjes së saj, ka mundësi që të ringjall edhe të vdekurit.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَمِنْ ءَايَٰتِهِۦٓ أَنَّكَ تَرَى ٱلْأَرْضَ خَٰشِعَةً فَإِذَآ أَنزَلْنَا عَلَيْهَا ٱلْمَآءَ ٱهْتَزَّتْ وَرَبَتْ ۚ إِنَّ ٱلَّذِىٓ أَحْيَاهَا لَمُحْىِ ٱلْمَوْتَىٰٓ ۚ إِنَّهُۥ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ قَدِيرٌ

”Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh atë të thatë (shkretëtirë), e kur Ne i lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e shtohet. E s’ka dyshim se Ai që e ngjalli atë, do t’i ngjallë të vdekurit, pse Ai ka mundësi për çdo gjë.” 32

Gjithashtu i Lartësuari ka thënë:

وَنَزَّلْنَا مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءً مُّبَٰرَكًا فَأَنۢبَتْنَا بِهِۦ جَنَّٰتٍ وَحَبَّ ٱلْحَصِيدِ {10} وَٱلنَّخْلَ بَاسِقَٰتٍ لَّهَا طَلْعٌ نَّضِيدٌ {11} رِّزْقًا لِّلْعِبَادِ ۖ وَأَحْيَيْنَا بِهِۦ بَلْدَةً مَّيْتًا ۚ كَذَٰلِكَ ٱلْخُرُوجُ

”Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluara njëri mbi tjetrin. Ushqim për njerëz, dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja.” 33

Me të vërtetë që kanë humbur disa njerëz të sëmurë të cilët e mohuan ndëshkimin e varrit dhe mirësitë e tij, duke pretenduar se kjo është e pamundur, pasi e kundërshton aktualitetin, dhe thanë; Nëse do ta zbulojmë varrin e një të vdekuri, do ta gjejmë varrin ashtu sikurse ka qenë, as nuk është zmadhuar dhe as nuk është ngushtuar (varri).

Ky pretendim i tyre është i kotë sipas sheriatit, ndjenjave dhe llogjikës.

Sa i përket sheriatit (fesë): Më herët i përmendëm argumentet të cilat tregojnë dhe vërtetojnë ndëshkimet dhe mirësitë në varr.

Në ”Sahih Bukhari” është transmetuar nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhu) se ka thënë:

“Doli profeti (salAllahu alejhi ue selem) prej një kopshti prej kopshteve të Medinës dhe i dëgjoi zërat e dy njerëzve të cilët u ndëshkonin në varret e tyre.”

Pastaj ai e përmendi hadithin në të cilin thuhet:

“Njëri prej tyre nuk ruhej (nga të spërkaturit) kur urinonte.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet:

“Nuk ruhej prej urinës së tij. Ndërsa tjetri merrej me përgojime.”

Sa i përket ndjenjave: Ai që është duke fjetur, ëndërron se ishte në një vend të madh, të bukur duke u kënaqur në të, ose ëndërron se ishte në një vend të ngushtë dhe të braktisur në të cilin është i pakënaqur.

Mund të ndodh që ai të çohet ndonjëherë si shkak i asaj që pa në ëndërr, edhe përse kështu, ai ndodhet në krevatin dhe në dhomën e tij, po në të njëjtën gjëndje që ishte edhe më herët.

Gjumi është vëllai i vdekjes, prandaj dhe Allahu (te ala) e ka quajtur atë (gjumin) “vdekje”.

Allahu (te ala) ka thënë:

ٱللَّهُ يَتَوَفَّى ٱلْأَنفُسَ حِينَ مَوْتِهَا وَٱلَّتِى لَمْ تَمُتْ فِى مَنَامِهَا ۖ فَيُمْسِكُ ٱلَّتِى قَضَىٰ عَلَيْهَا ٱلْمَوْتَ وَيُرْسِلُ ٱلْأُخْرَىٰٓ إِلَىٰٓ أَجَلٍ مُّسَمًّى ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَٰتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ

”Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.” 34

Sa i përket llogjikës: Ai i cili është në gjumë, gjatë gjumit mund të ëndërroj diçka e cila më pas mund të ndodh në realitet, gjithashtu mund të shikoj në ëndërr edhe profetin (salAllahu alejhi ue selem) sipas cilësive të Tij. Ai i cili e ka parë Atë sipas cilësive të Tij, i tilli e ka parë Atë me të vërtetë edhe përse ai që po shikon ëndërrën është në dhomën dhe shtratin e tij, shumë larg nga ajo që ai po shikon. Nëse kjo gjë është e mundur në gjendjet e dynjasë, a nuk mund të jetë e mundur në gjendjet e botës tjetër?

Ndërsa sa i përket pretendimit të tyre se; “Nëse do ta hapim varrin e një të vdekuri, do ta gjejmë varrin sikurse ishte më herët, as nuk është zgjeruar varri dhe as nuk është ngushtuar.”

Përgjigja ndaj këtij pretendimi është:

E para: Nuk lejohet që të kundërshtohen argumentet fetare me këto lloj dyshimesh dhe të ngjashme me to. Nëse ai i cili i ka këto dyshime, do t`i kishte menduar mirë dhe në mënyrën e duhur (argumentet fetare), do të kishte kuptuar për kotësinë e këtyre dyshimeve.

E dyta: Gjendjet në jetën e varrit janë prej çështjeve të gajbit (të fshehta) të cilat nuk mund t`i përceptojë (arrijë) dot ato ndjeshmëria. Nëse do të ishte e mundur që gjendjet (në varr) të përceptoheshin nga ndjesia, atëherë do të kishte humbur dobia e të besuarit në gajb, gjë e cila do të thotë, se ata të cilët e besojnë gajbin dhe ata që e mohojnë, do të ishin të barabartë.

E treta: Dënimin, lumturinë, zgjerimin dhe ngushtimin e varrit, këto përceptohen vetëm nga i vdekuri dhe nga askush tjetër. Kjo është e njëjtë me atë që ëndërron ai që është në gjumë, ku shikon se ai gjendet në një vend të ngushtë dhe të braktisur, apo në një vend të gjërë dhe të bukur, edhe përse kështu, ai gjendet në dhomën e tij duke qenë në shtrat dhe i mbuluar (me batanije).

Ndodhte që profetit (salAllahu alejhi ue selem) i vinte shpallja dhe ai ishte i ulur bashkë me shokët e tij, ai e dëgjonte shpalljen, ndërsa shokët e tij nuk e dëgjonin. Ndodhte që meleku merrte formën e një personi dhe bisedonte me të, në të njëjtën kohë sahabët as nuk e shikonin Melekun dhe as nuk e dëgjonin atë.

E katërta: Të kuptuarit e krijesave është e kufizuar dhe ato kuptojnë aq sa Allahu ka vendosur që të kuptojnë. Ato nuk mund të konceptojnë çdo gjë që ekziston. Shtatë qiejtë, tokat dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, i bëjnë tesbih (e lavdërojnë) Allahut në një mënyrë reale, gjë të cilën Allahu (te ala) ia mundëson që ta dëgjojnë (këtë lavdërim) ndonjëherë kujt të dojë prej krijesave të Tij. Edhe përse kështu, kjo gjë është e fshehur (e pamundur që ta dëgjojmë) prej nesh.

Rreth kësaj gjëje Allahu (te ala) ka thënë:

تُسَبِّحُ لَهُ ٱلسَّمَٰوَٰتُ ٱلسَّبْعُ وَٱلْأَرْضُ وَمَن فِيهِنَّ ۚ وَإِن مِّن شَىْءٍ إِلَّا يُسَبِّحُ بِحَمْدِهِۦ وَلَٰكِن لَّا تَفْقَهُونَ تَسْبِيحَهُمْ ۗ إِنَّهُۥ كَانَ حَلِيمًا غَفُورًا

”Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bënë tesbih), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë.” 35

E njëjta gjë vlen edhe për shejtanët dhe xhinët, ata bredhin nëpër tokë duke shkuar e duke ardhur (sa andej këndej). Disa xhinë prezantuan tek profeti (salAllahu alejhi ue selem) dhe e dëgjuan leximin e Tij, dhe gjatë leximit ata heshtën (duke dëgjuar me vëmendje) dhe u kthyen më pas tek populli i tyre si paralajmërues. Edhe përse kështu, ata janë të fshehur (e pamundur që t`i shikojmë) prej nesh.

Rreth kësaj gjëje Allahu (te ala) ka thënë:

يَٰبَنِىٓ ءَادَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ ٱلشَّيْطَٰنُ كَمَآ أَخْرَجَ أَبَوَيْكُم مِّنَ ٱلْجَنَّةِ يَنزِعُ عَنْهُمَا لِبَاسَهُمَا لِيُرِيَهُمَا سَوْءَٰتِهِمَآ ۗ إِنَّهُۥ يَرَىٰكُمْ هُوَ وَقَبِيلُهُۥ مِنْ حَيْثُ لَا تَرَوْنَهُمْ ۗ إِنَّا جَعَلْنَا ٱلشَّيَٰطِينَ أَوْلِيَآءَ لِلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ

”O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t’ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre. Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.” 36

Nëse krijesat nuk mund të përceptojnë çdo gjë atëherë nuk lejohet që të mohohen gjërat e vërtetuara prej çështjeve të gajbit (të fshehtat) të cilat ato nuk i përceptojnë dot.


1 El-Enbija’ 21:104

2 El-mu’minun 23:15-16

3 Bukhariu dhe Muslimi

4 El-Mu’minun 23:115

5 El-Kasas 28:85

6 Al-Gashijah 88:25-26

7 En-Aam 6:160

8 El-Enbija’ 21:47

9 Bukhariu dhe Muslimi

10 Bukhariu dhe Muslimi

11 Al-A’raf 7:6-7

12 El-Bejjineh 98:7-8

13 Es-sexhde 32:17

14 El-Bekare 2:24

15 El-Kehf 18:29

16 El-Ahzab 33:64-66

17 En-Aam 6:93

18 Gafir 40:46

19 Muslimi

20 Fusilet 41:30

21 El-Vakia 56:83-89

22 Et-Tagabun 64:7

23 El-Bekare 2:55

24 El-Bekare 2:55-56

25 El-Bekare 2:72-73

26 El-Bekare 2:243

27 El-Bekare 2:259

28 El-Bekare 2:260

29 Er-Rum 30:27

30 El-Enbija’ 21:104

31 Ja-Sin 36:79

32 Fusilet 41:39

33 Kaf 50:9-11

34 Ez-Zumer 39:42

35 El-Isra 17:44

36 Al-A’raf 7:27

Shpërndaje: