Imam Ibn Kajim El-Xheuzijeh (v. 751)
Mederixh-us-Selikin (2/293-295)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kur bëhet fjalë për bujarinë në dije, pashë një gjë të çuditshme te Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh -Allahu e mëshiroftë-. Kur ai pyetej për gjykimin e një çështjeje, përgjigjej duke përmendur mendimet e katër imamëve nëse ishte e mundur, arsyen e mospajtimeve mes tyre dhe mendimin më të saktë në atë çështje.
Pastaj ai përmendte çështje të tjera të lidhura, të cilat mund t’i sillnin më shumë dobi pyetësit sesa vetë pyetja e tij. Si rrjedhojë, gëzimi i tij për këto çështje fikhu ishte më i madh se gëzimi që ndiente për vetë pyetjen. Fetvatë e tij janë të përhapura mes njerëzve; kushdo që dëshiron t’i shohë ato, do ta sheh këtë.
Nga bujaria e dijes së njeriut është që të mos mjaftohet vetëm duke iu përgjigjur pyetjes së pyetësit por edhe të përmendë gjëra që lidhen me të në mënyrë që pyetësi të marrë një përgjigje të plotë. Kur sahabët e pyetën profetin ﷺ për abdesin me ujin e detit, ai u përgjigj:
“Uji i tij është pastrues dhe kafshët e tij të ngordhura janë të lejuara.”
Transmeton Ebu Daudi (83), Tirmidhi (69), Nesai (59), Ibn Maxheh (386), Ibn Ebi Shejbeh (1/131), Ibn Khuzejmeh (111), Maliku (43), Shafei nëEl-Musned (1/7) dhe Ahmedi (14594).
Ai jo vetëm që iu përgjigj pyetjes së tyre, por gjithashtu tregoi bujari ndaj tyre duke u dhënë dije që mund t’u nevojitej në të ardhmen më shumë sesa vetë pyetja për të cilën kërkuan përgjigje.
Kundërshtarët e Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijes -Allahu e mëshiroftë- e kritikonin për këtë dhe thoshin se nëse e pyesje, për shembull, për rrugën për në Egjipt, ai të tregonte edhe rrugën për në Mekë, Medinë, Horasan, Irak dhe Indi. Çfarë dobie ka pyetësi nga kjo, thoshin ata?
Pasha Allahun, kjo nuk është mangësi. Mangësi është injoranca dhe mendjemadhësia.