Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Dobia e mosnjohjes së saktë të Natës së Kadrit

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Sherh Sahih El-Bukhari (1/140-141)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Imam Bukhari ka thënë:

Ubade ibn Samit -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ doli të lajmëronte për Natën e Kadrit, por papritmas dy muslimanë filluan të fjaloseshin.

Profeti ﷺ tha: “Dola për t’ju lajmëruar rreth Natës së Kadrit por ngaqë po fjaloseshin filani dhe filani, m’u tërhoq dituria për të. Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju. Andaj kërkojeni në natën e shtatë, të nëntë dhe të pestë (të dhjetëditëshit të fundit).”

Transmeton Bukhari (49).

Qëllimi i hadithit është se ata nuk e kuptuan sesi ky mëkat mund të ishte kaq i madh saqë njohja e Natës së Kadrit u ngrit lart. Megjithatë, kjo ndodhi vetëm atë vit, jo në mënyrë absolute. Përndryshe ne nuk e dimë saktësisht se kur është Nata e Kadrit, pasi ajo lëviz. Një vit mund të jetë në natën e 27-të, ndërsa vitin tjetër në natën e 25-të, e kështu me radhë.

Profeti ﷺ tha:

“Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju.”

Kjo do të thotë se shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju. Dhe vërtet kështu është. Sikur njerëzit ta dinin saktësisht se kur është Nata e Kadrit, ata do të adhuronin vetëm atë natë. Por duke qenë se nuk e dinë, ata përpiqen dhe adhurojnë gjatë të gjitha netëve. Nëse Nata e Kadrit do të ishte caktuar në një natë të veçantë, si të zellshmit ashtu edhe dembelët mund të ndodhte që ata të adhuronin vetëm atë natë. Mirëpo pasi data e saj mbetet e panjohur, vetëm ai që është i zellshëm përpiqet ta arrijë atë. Adhurimi gjatë këtyre netëve është një mirësi dhe shpërblim i madh për ne.**

Prandaj profeti ynë ﷺ tha:

“Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju.”

Profeti ﷺ tha:

“por ngaqë po fjaloseshin filani dhe filani, m’u tërhoq dituria për të.”

Kjo dëshmon se grindja bëhet shkak që mirësia të largohet. Dhe kjo është e vërtetë.

Allahu -te ala- ka thënë:

“Bindjuni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia.” El-Enfal, 8:46

Kur Profeti ﷺ dërgoi Muadh bin Xhebelin dhe Ebu Musa El-Eshariun në Jemen, ai i urdhëroi ata që të jenë në harmoni me njëri-tjetrin dhe të shmangin mosmarrëveshjet.

Shpërndaje: