Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 214
Përktheu: Valdet Gashi
Prej dobive nga braktisja e këtyre tundimeve të përmendura përfshihen, ndër të tjera:
1 – Përulësia. Ngopja, luksi dhe marrëdhëniet me gratë shtyjnë në sherr, mosmirënjohje dhe shkujdesje.
2 – Zemra fiton kohë të lirë për të menduar dhe për të kujtuar Allahun. Ndërsa nëse do të zë veten me këto epshe zemra mund të bëhet e ngurtë dhe e verbër. Këto e ndalojnë robin nga të menduarit dhe të kujtuarit Allahun në të njëjtën mënyrë sikurse ato e ftojnë në shkujdesje. Stomaku bosh e ndriçon zemrën, e zbutë ngurtësinë e saj dhe i jep hapësirë për dhikër dhe meditim.
3 – I pasuri e kupton vlerën e begatisë së Allahut aq sa Allahu i ka dhënë atij, kur ai e sheh dallimin e madh në mes vetes dhe të varfërve në ushqim, pije dhe martesë. Kur ai shmang këto gjëra gjatë një kohe dhe fillojnë t’i mungojnë, ai i kujton njerëzit që kurrë nuk i përjetojnë ato. Kjo kërkon që ai të falënderoj Allahun për begatitë e Tij dhe të jetë i mëshirshëm me vëllain e tij nevojtarë, dhe t’i ndihmoj aq sa mundet.
4 – Agjërimi ngushton rrugët e gjakut në të cilat ecë shejtani tek njeriu. Shejtani ec në njeriun në të njëjtën mënyrë sikurse rrjedhë gjaku. Me agjërimin qetësohen pëshpëritjet e shejtanit dhe epshet, dhe zemërimi shuhet. Prandaj profeti ﷺ tha se agjërimi i mbron ata të cilët nuk mund të martohen.
Ti duhet ta dish se ky adhurim do të plotësohet vetëm në qoftë se braktis të gjitha të ndaluarat sikurse gënjeshtra, padrejtësia, abuzimin e jetëve të njerëzve, pasurisë dhe nderit. Prandaj profeti ﷺ tha:
“Allahu nuk ka nevojë që një person të braktis ushqimin dhe pijet në qoftë se ai nuk braktis mëkatete, gënjeshtrën dhe veprimet përgjatë saj.” [1]
Në një hadith tjetër ai thotë:
“Agjërimi nuk është që të përmbahesh nga ushqimi dhe pijet. Agjërimi është që të qëndrosh larg nga fjalimet e kota dhe të shëmtuara.” [2]
Hafidh Ebu Musa el-Medini ka thënë: “Ky hadith është në përputhje me kushtet e Muslimit.”
Disa nga selefët e kishin zakon të thoshin: “Agjërimi më i lehtë është për t’iu shmangur ushqimit dhe pijeve.”
Xhabiri ka thënë: “Nëse do të agjërosh, ti duhet gjithashtu të lësh të dëgjuarit, shikimin dhe gjuhën që të agjërojë nga gënjeshtrat dhe ndalesat. Mos e ngacmo fqinjin tënd. Ji i qetë gjatë agjërimit. Mos lejo që ditët tuaja të agjërimit të jenë si ditët kur nuk agjëron.”
1 Bukhari (1903).
2 el-Hakim, el-Bejhaki, Ibn Khuzejmeh dhe Ibn Hibani.