Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Domethënia e shahadetit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: Akidat-ut-Teuhid, fq. 50-51

Dar-ul-Asimah 1420/1999

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Domethënia se “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut” është të besosh dhe të bindesh me zemër se askush përveç Allahut nuk ka të drejtë të adhurohet, përmbaju kësaj vepro përgjatë saj. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, mohon se dikush tjetër pos Allahut meriton të adhurohet. Përveç Allahut” pohon se vetëm Allahu ka të drejtë të adhurohet.

Nuk lejohet të thuhet se kjo nënkupton se “Nuk adhurohet askush tjetër përveç Allahut”, sepse kjo bie në kundërshtim me realitetin. Ka të adhuruar të shumtë që adhurohen përveç Allahut. Kjo shprehje e tillë do të thotë se gjithçka që adhurohet është Allah, që i përket të kotave më të mëdha. Ky është besimi i pasusve të Uahdet-ul-Uxhud, të cilët për ndryshe janë paganët më të mëdhenj në tokë.

Kjo shprehje është shpjeguar në mënyrat e mëposhtme të kota dhe të pasakta:

1- Nuk ka të adhuruar përveç Allahut. Kjo është e kotë, sepse do të thotë se gjithçka që adhurohet është Allah.

2- Nuk ka krijues përveç Allahut. Ky kuptim është një pjesë e shahdetit, por jo kuptimi i tij. Ky kuptim pohon vetëm Teuhid-ur-Rububije. Kjo formë e Teuhid është Teuhid i idhujtarëve dhe nuk mjafton.

3- Nuk ka gjykatës përveç Allahut. Edhe ky kuptim është pjesë e shahadetit, por jo kuptimi i tij, sepse nuk mjafton. Nëse një person do të veçonte vetëm Allahun të gjykonte në të gjitha çështjet dhe pastaj të adhuronte dikë tjetër përveç Allahut, ai nuk do të konsiderohej pasues i Teuhidit.

Të gjitha këto shpjegime janë të kota ose jo të plota. Ne i kemi përmendur ato sepse janë në disa libra që qarkullojnë mes njerëzve.

Domethënia e saktë e kësaj shprehje e cila u kuptua nga Selefët dhe dijetarët, është se “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut“.

Domethënia e “Muhammedi është i dërguari i Allahut” është që fshehtazi dhe haptazi të pranosh se ai është robi dhe i dërguari i Allahut, i cili u dërgua tek të gjithë njerëzit, vepro përgjatë saj, bindju urdhrave të tij, poho atë që ai na informoi, shmangu asaj që ai e ndaloi dhe adhuroje Allahun në përputhje me ligjin e tij.

Shpërndaje: