Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 237-239
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Besimtari merr pjesë në dy beteja kundër vetvetes gjatë Ramazanit. Një betejë gjatë ditës kur ai është duke agjëruar dhe një betejë gjatë natës kur ai e fal namazin. Ai që merr pjesë në këto dy beteja dhe u jep atyre hakun e duhur dhe bën durim gjatë kryerjes së tyre, ai do të shpërblehet pa masë.
Ka’bi ka thënë: “Në ditën e gjykimit, një thirrës do të thërret: “Çdo bujk do të shpërblehet për punën që e kryen dhe më shumë. Por njerëzit e Kuranit dhe agjëruesit do të shpërblehen pa kufi.”
Përveç kësaj, ato dyja (agjërimi dhe namazi) do të ndërmjetësojnë për atë njeri para Allahut (azze ue xhel) në ditën e gjykimit. Në Musnedin e imam Ahmedit është transmetuar nga Abdullah bin Amër se profeti ﷺ ka thënë:
“Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në ditën e gjykimit. Agjërimi do të thotë: “O Zot! Unë e ndalova atë nga ngrënia dhe pirja gjatë ditës. Më lejo të ndërmjetësoj për të.” Dhe Kurani do të thotë: “Unë e pengova atë që të fle gjatë natës. Më lejo të ndërmjetësoj për të.” Pastaj ndërmjetësojnë që të dyja për të.” [1]
Agjërimi pra ndërmjetëson për shkak se ka qenë shkaktar që njeriu të ndalohet nga ngrënia dhe nga të gjitha kënaqësitë e tjera të ndaluara gjatë agjërimit. Kjo vlen pavarësisht nëse ndalimi është i lidhur në mënyrë specifike me agjërimin si dëshira për ushqim, pije, marrëdhënie dhe paraloja e saj, ose nëse është një ndalim i përgjithshëm si të flasë fjalë të pahijshme, fjalë të ndaluara, shikimi në gjërat e ndaluara, të dëgjuarit e gjërave të ndaluara dhe të punuarit me gjëra të ndaluara. Nëse agjërimi e pengon atë nga të gjitha këto ndalesa, ai ndërmjetëson për të para Allahut (azze ue xhel) në ditën e gjykimit. Kjo vlen për atë që kujdesej për agjërimin e tij dhe i shmangej epsheve.
Sa i përket atij që e lë agjërimin që t’i shkojë huq dhe nuk iu është shmangur asaj që Allahu ia ka ndaluar, atëherë agjërimi ka drejtë t’i thotë atij: “Allahu e beftë që të dështosh ashtu siç më lejove që të dështojë.”
Disa nga selefët kanë thënë: “Kur të sillet pranë besimtari, i thuhet një engjëlli: “Merri erë në kokë.” Engjëlli e bën këtë dhe thotë: “Po i vjen era Kuran.” Pastaj i thuhet: “Merri erë zemrës së tij.” Engjëlli e bën këtë dhe thotë: “Po vjen era agjërim.” Pastaj i thuhet: “Merri erë këmbëve të tij.” Engjëlli e bën këtë dhe thotë: “Po i vjen era namaz nate.” Atëherë thuhet: “Ai u kujdes për veten e tij, Allahu u kujdestë për të.”
Gjithashtu Kurani do të ndërmjetësojë për të për shkak se e parandaloi atë nga gjumi i gjatë natës. Kushdo që lexon Kuranin dhe vepron sipas tij, ia ka dhënë hakun që e meriton dhe si rezultat i kësaj, ai do të ndërmjetësojë për të.
Profeti ﷺ ka thënë për një njeri:
“Ai nuk e ka Kuranin si një jastëk.” [2]
Kjo do të thotë se ai nuk fle gjatë natës në mënyrë që Kurani t’i bëhet si jastëk.
Ibn Mesudi ka thënë: “Lexuesi i Kuranit duhet të ndryshojë nga të tjerët natën kur ata flenë, ditën kur ata hanë dhe pinë, me lot kur ata qeshin, me devotshmëri kur ata janë në humor, me heshtje kur ata flasin, me përulësi kur ata krenohen dhe me pikëllim kur ata janë të lumtur.”
Muhammed bin Ka’b ka thënë: “Ne i njihnim lexuesit e Kuranit përmes verdhësisë së lëkurës së tyre.” Do të thotë ata ishin zgjuar gjatë netëve dhe faleshin.
Vuhejb bin el-Uerid ka thënë: “I është thënë një burri: “A nuk do të flesh?” Ai tha: “Çudirat e Kur’anit më bëjnë që ta harroj gjumin.”
[1] Ahmedi (6626) dhe el-Hakim (1/554) i cili thotë se: “Hadithi është autentik sipas kushteve të Muslimit dhe Bukharit apo Muslimi e ka transmetuar atë.” Edh-Dhehebi pajtohet me këtë.
[2] Nesaiu (1783) dhe Ahmedi (15664).