Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Dy kushtet e adhurimit

 Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Sherh el-Kaua’id el-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 10

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pasi e ke mësuar se Allahu të krijoi që ta adhurosh Atë, duhet ta dish gjithashtu se adhurimi me të cilin kënaqet Allahu (subhanehu ue te ala) është i saktë vetëm nëse ai arrin dy kushte. Dhe në qoftë se njëri prej tyre dështon, çdo gjë shkon huq.

Kushti i parë: Që vepra sinqerisht t’i përkushtohet Allahut dhe të jetë e zbrazët nga të gjitha llojet e shirkut. Nëse shirku do të përzihej me të, shirku e anulon atë. Për shembull, abdesi anulohet nëse ai përzihet me papastërti. Në mënyrë të ngjashme anulohet adhurimin yt nëse ti e adhuron Allahun dhe pastaj bie në shirk.

Kushti i dytë: Të pasuarit të dërguarin ﷺ. Të gjitha adhurimet të cilat nuk i ka ligjësuar i dërguari ﷺ janë të kota dhe të refuzuara, sepse janë bidat (shpikje e re në fe). Prandaj, ai ﷺ tha:

“Ai që bën një vepër, e cila nuk është urdhëruar nga ne, ajo është e refuzuar.” 1

Në një tjetër formulim thuhet:

“Ai që shpik diçka të re në çështjen (fenë) tonë, ajo i refuzohet.” 2

Adhurimi pra duhet të jetë në përputhje me atë që erdhi i dërguari ﷺ, e jo me atë që njerëzit mendojnë se është e mirë dhe çfarë është në përputhje me qëllimet dhe epshet e tyre. Përderisa ajo nuk mbështetet nga asnjë dëshmi nga Sheriati, veprimi është bidat që nuk i sjell dobi praktikuesit të saj. Në fakt, ajo i bën dëm, sepse kjo është mosbindje edhe nëse ai pretendon se po i afrohet Allahut (azze ue xhel) me të.

Adhurimi duhet pra t’i përmbushë këto dy kushte që të jetë i saktë dhe që t’i bëjë dobi praktikuesit të tij; sinqeriteti dhe përputhja me Sunnetin e të dërguarit ﷺ. Nëse ajo do të përzihej me shirk, ajo anulohet, dhe në qoftë ajo do të përzihej me një risi të shpikur (bidat), ajo gjithashtu anulohet. Nuk ka dobi me adhurimin nëse ai nuk i plotëson këto dy kushte, për shkak se ka të bëjë me diçka që Allahu (azze ue xhel) nuk e ka ligjësuar – dhe Allahu e pranon vetëm atë që Ai ka urdhëruar në librin e Tij dhe nëpërmjet të dërguarit të Tij ﷺ.

Askush tjetër përveç të dërguarit ﷺ nuk është urdhëruar që të pasohet. Të gjithë të tjerët pasohen vetëm nëse ata e pasojnë dhe i binden të dërguarit ﷺ. Ndërsa, ata nuk duhet të pasohen nëse nuk e pasojnë të dërguarin ﷺ:

Allahu (te ala) ka thënë:

O ju që besuat, binduni Allahut dhe binduni të dërguarit, dhe atyre që janë në udhëheqjen tuaj.” En-Nisa’ 4:59.

Ata të cilët janë në udhëheqje janë pushtetarët dhe dijetarët. Është e detyrueshme bindja ndaj tyre në atë që është bindje ndaj Allahut. Megjithatë, nuk është e lejuar bindja ndaj tyre ose pasimi i tyre në gjëra që kundërshtojnë Allahun, për arsye se askujt prej krijesave nuk mund t’u bindesh verbërisht. Të gjithë të tjerëve iu bindemi vetëm nëse ata ndjekin dhe i binden të dërguarit ﷺ. Ky është adhurimi i saktë.


1 Muslimi (1718) nga Aishah (radijAllahu anha).

2 Bukhari (2697) dhe Muslimi (1718) nga Aishah (radijaAllahu anha).

Shpërndaje: