Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

E drejta e Allahut nuk përfundon me përfundimin e Ramazanit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan 

Përktheu: Besim Gjelaj

www.perlatmuslimane.com

Në qoftë se përfundon muaji i Ramazanit, me të vërtetë e drejta e Allahut nuk përfundon, përveç se kur njeriut i vjen vdekja:

وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ

“Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të të vijë ty vdekja.” (Hixhr 99).

Allahu është Zoti i Ramazanit, Ai është Zoti i Sheualit, dhe Ai është Zoti i gjithë muajve të vitit. Kini frikë Allahun në të gjithë muajt! Ruajeni fenë tuaj, ruajeni fenë tuaj gjatë gjithë jetës tuaj, sepse kjo është kapitali i pasurisë tuaj tek Allahu i Lartësuar, është shpëtimi juaj nga zjarri, andaj ruajeni fenë tuaj, kapuni për të (për fenë) në të gjithë muajt dhe në të gjitha kohërat.

Vërtetë muaji i Ramazanit pasohet me falënderim, pasohet me kërkim falje, si dhe pasohet me gëzim për mirësinë e Allahut i Cili na e mundësoi agjërimin e tij dhe faljen në të. Pra ne gëzohemi për këtë mirësi dhe nuk gëzohemi për përfundimin e muajit, porse gëzohemi sepse ne e plotësuam atë me adhurim ndaj Allahut, andaj për këtë gëzohemi:

قُلْ بِفَضْلِ ٱللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِۦ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُواْ هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ

“Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus 58).

Kini kujdes nga gjërat e shumta e të kota, nga lojërat, nga shkujdesjet e shumta dhe largimi nga nënshtrimi ndaj Allahut, sepse shejtani bën përpjekje që t’ua shkatërrojë veprat tuaja, si dhe ta fshijë gjithë atë që keni vepruar nga veprat e mira, i josh disa njerëz se kinse kur mbaron Ramazani, njeriu bëhet i lirë në përgjithësi, thuajse ka dalë nga burgu, atëherë lëshohet në gjëra të kota, në lojëra, në shkujdesje, nuk e fal namazin, si dhe në gjëra të tjera të kota, mos e prishni atë që e ndërtuat, dhe kështu të bëheni si:

وَلا تَكُونُوا كَالَّتِي نَقَضَتْ غَزْلَهَا مِنْ بَعْدِ قُوَّةٍ أَنْكَاثًا

“Mos u bëni ai ajo (grua) që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort…” (Nahl 92).

Kini frikën Allahun robër të Allahut, ruajeni atë që e punuat nga veprat e mira, pendohuni tek Allahu për mangësitë tuaja dhe gabimet tuaja, se me të vërtetë Allahu e pranon pendimin e atij që pendohet!

Shpërndaje: