Shkroi: Imam Muhamed bin Ismail El-Bukhari (v. 256)
Xhami El-Musned (5971)
Shpjegon: Hafidh Ahmed bin Haxher El-Askalani (v. 852)
Fet’h-ul-Bari (10/485)
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com
5971 – Ebu Hurejra-radijAllahu anhu- rrëfeu:
“Një burrë i tha profetit ﷺ: “O i dërguari i Allahut, kush e meriton më së shumti shoqërinë (përkujdesjen, mirësinë) time të mirë?”
Profeti ﷺ tha: “Nëna jote.”
Ai e pyeti: “Pastaj kush?”
Profeti ﷺ tha: “Nëna jote.”
Ai tha: “Pastaj kush?”
Profeti ﷺ tha: “Nëna jote.”
Ai tha: “Pastaj kush?”
Profeti ﷺ tha: “Pastaj babai yt.”
Transmeton Buhariu (5971) dhe Muslimi (2548).
Shpjegimi:
Ibn Battal ka thënë: “Ky hadith dëshmon se nëna gëzon të drejtën për përkujdesje dhe sjellje të mirë tre herë më shumë sesa babai.”
Ai gjithashtu tha: “Kjo përparësi vjen për shkak të barrës së rëndë që ajo mban: shtatzënia, lindja dhe ushqyerja me gji, sakrifica këto që janë të veçanta vetëm për nënën. Këto gjëra i bën vetëm nëna, ato sjellin me vete lodhje dhe mundime të mëdha.”
Pastaj ajo së bashku me babanë e fëmijës merren me edukimin e tij. Veçimi i saj përmendet edhe në fjalët e Tij -te ala-:
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh.” Lukman 31:14
Allahu e urdhëroi njeriun të sillet mirë me të dy prindërit, por më pas e veçoi nënën me këto tre veçori.
El-Kurtubi, në tefsirin e tij për këtë ajet, ka thënë: “Qëllimi i këtij ajeti është të tregojë se nëna meriton një trajtim më të veçantë nga fëmijët e saj. Në rast se lind përplasje mes të drejtave të saj dhe atyre të babait, atëherë përparësi kanë të drejtat e nënës.”
Kadi ‘Ijad ka thënë: “Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nëna ka më shumë përparësi sesa babai në sjellje të mirë dhe respekt. Disa të tjerë thonë se ata janë të barabartë në këtë çështje, dhe ky mendim është transmetuar nga imam Maliku. Megjithatë, mendimi i parë është ai i sakti.”
Disa prej dijetarëve të medhhebit Shafei janë të mendimit se nëna dhe babai janë të barabartë në këtë çështje. Megjithatë, El-Harith dhe El-Muhasibi kanë transmetuar se ekziston një konsensus mes dijetarëve që nëna ka përparësi edhe pse ky konsensus është i diskutueshëm. Sa i përket mendimit të Imam Malikut, ajo që është transmetuar prej tij nuk është e qartë.
Ibn Battal Ibn Battal, kur e trajton këtë çështje, përmend edhe një rast që i është paraqitur imam Malikut, ku dikush e pyeti:
“Çfarë duhet të bëj nëse babai më thërret por nëna më ndalon të shkoj?”
Ai u përgjigj: “Bindu babait por pa qenë i pabindur ndaj nënës.”
Në lidhje me këtë, Ibn Battal thotë: “Kjo do të thotë se ata janë të barabartë në këtë çështje.” Këto janë fjalët e tij, por të thuhet se imam Maliku ka pohuar që të drejtat dhe trajtimi i prindërve janë pa asnjë lloj përparësie ndaj nënës, nuk është aspak e qartë.
El-Lejth u pyet të njëjtën pyetje dhe tha: “Bindu ndaj nënës. Ajo ka të drejtë në dy të tretat e bindjes sate.”
Kjo përgjigje bazohet në transmetimin e lartpërmendur i cili specifikon bindjen ndaj nënës dy herë e jo tre herë siç vjen në transmetimin e Bukharit.