Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: “El-Lubab”, fq. 427-428
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Shumë prej motrave myslimane besojnë se vetëm meshkujt janë ata të cilët duhet të kërkojnë dituri! A mund t’i këshilloni ato në veçanti atyre që jetojnë në një vend si ky (Arabinë Saudite)?”
Përgjigje: “Është e detyrueshme për çdo mashkull dhe çdo femër myslimane që të kërkojë dituri. Gruaja është e obliguar që ta mësojë fenë e Allahut. Ajo duhet të mësojë të drejtat e Allahut mbi të, të drejtat e familjes, burrit e fëmijëve mbi të. Ajo duhet të mësojnë shumë për detyrat e saj. Ajo ka detyra që dallojnë nga detyrat e mashkullit. Detyra e saj më e madhe është në shtëpi:
وَقَرْنَ فِي بُيُوتِكُنَّ وَلَا تَبَرَّجْنَ تَبَرُّجَ الْجَاهِلِيَّةِ الْأُولَى
“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e injorancës!” 33:33
Detyrat e saj në shtëpi janë të mëdha të cilat detyra meshkujt nuk mund t’i kryejnë. Baballarët nuk janë në gjendje që të merren me fëmijët ashtu sikurse nënat. Fëmijët duhet të edukohen me edukatë të mirëfilltë, iman të pastër dhe metodologji të saktë. Kjo është një gjë madhështore e cila nuk arrihet përveçse me përpjekje të madhe.
Femra e ka për detyrë që të mësojë atë që e ka obligim në lidhje me të drejtat e Allahut Tabarak ue Te’ala, burrit të saj dhe fëmijëve të saj. Ai njeri i cili nuk ka dituri mbi të drejtat e Allahut dhe të drejtat e robërve, nuk ka mundësi që t’i përmbushë ato. Ajo duhet të mësojë në lidhje me namazin, zekatin e sadakanë, agjërimin, haxhin e të ngjashme. Ajo duhet të mësojë mbulesën e detyrueshme, drojën, turpin, etikën dhe karakteret.
Në ditët e sotme, ekzistojnë thirrës keqdashës që i drejtohen femrës duke e mësuar atë se si të largohet nga shtëpia dhe të përzihet me meshkuj të huaj, të punojnë së bashku me ta qoftë në çështje politike, administratë dhe në punë të tjera. Me këtë, ata duan që ta shkatërrojnë gruan dhe familjen, duan që ta shkapërderdhin e ta përçajnë atë.
Shumë intelektualë perëndimorë, e të mos flasim për myslimanët dhe të mençurit e tyre, e kanë kuptuar sesa e keqe është kjo lloj propagande e cila bën thirrje kinse në ”lirinë e gruas”, zhveshjen e saj dhe përzierjen me meshkuj të huaj. Shumë njerëz të mençur e shohin si të dëmshme këtë propagande dhe efektet e saj që e shkatërrojnë femrën dhe moralin e saj, e humbin obligimin e saj themelor në shtëpi, gjë e cila shkakton humbjen e fëmijëve të saj dhe pasoja të tjera të hidhura.
Prandaj, themi se femra duhet të mësojë fenë në përpikëri, duhet të mësoj detyrimet dhe të drejtat e saj në të gjitha aspektet, sidomos në situatën aktuale.
Femra duhet të mësojë. Megjithatë, kjo duhet bërë duke e ruajtur dinjitetin dhe moralin e saj. Nuk i lejohet asaj që të përzihet me meshkuj sikurse thërrasin propaganduesit e së keqes. Në përzierjen e tyre me meshkuj të huaj, ekziston shkatërrimi i madh të cilin vetëm Allahu Tabarak ue Te’ala i di pasojat e mëpastajshme.
Ajo duhet të mësojë duke u përqendruar në librat të Selefëve dhe audio-inçizimeve të ligjëratave të pastra në lëmi të ndryshme të fesë. Në qoftë se burri i saj është më i ditur se ajo, ai duhet ta mësojë atë. Në qoftë se vëllai i saj është më i ditur se ajo, ai duhet ta mësojë atë. Me ndihmën e metodologjisë së përshkruar, ajo mund të arrijë mësimin e të vërtetës në formë të detajuar dhe jo vetëm atë që e ka obligim.”