“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Falënderimi i Zotit dhe i robit

Imam Muhamed El-Amin Esh-Shenkiti (v. 1393)
Edua-ul-Bejan (5/247)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Falënderimi është përmendur në dy aspekte: falënderimi i robit ndaj Zotit dhe falënderimi i Zotit ndaj robit.

Falënderimi i robit ndaj Zotit është që ai t’i përdorë të gjitha mirësitë që Allahu ia ka dhënë në mënyrën që e kënaq Atë. Falënderimi për sytë është që të mos shikojnë në atë që nuk e kënaq Allahun. Po kështu edhe me dëgjimin, gjuhën, duart, këmbët dhe të gjitha gjymtyrët e tjera. Falënderimi për pasurinë është që ajo të shpenzohet në bindje ndaj Allahut dhe në atë që Ai e ka urdhëruar. Gjithashtu, zemra duhet të jetë plot mirënjohje, ndërsa gjuha ta shprehë atë me falënderim. Falënderimi i robit ndaj Zotit është përmendur në disa ajete, duke përfshirë fjalët e Allahut -te ala-:

”Andaj përse nuk jeni mirënjohës?!” El-Uakia, 56:70

”Prandaj, më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj ju, dhe më falënderoni e mos më mohoni!” El-Bekare, 2:152

Falënderimi i Zotit ndaj robit është që Ai ta shpërblej atë me bollëk dhe begati për veprat e pakëta të tij.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.” El-Bekare, 2:158

Pastaj do të thonë: “Lavdi Allahut, i Cili e ka larguar hidhërimin nga ne. Vërtet, Zoti ynë është Falës dhe Falënderues.” Fatir, 35:34

Shpërndaje: