Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Falu fillimisht, përshëndet pastaj

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmim (v. 1421)
Sherh Sahih El-Bukhari (3/306-307)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Imam Bukhari -rahimehullah- ka thënë:

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu:

“Një burrë hyri në xhami, ndërsa i dërguari ﷺ ishte ulur në xhami. Burri u fal dhe erdhi te i dërguari ﷺ, dhe e përshëndeti me selam.

Profeti ﷺ ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu falu se nuk je falur!” Personi u kthye dhe u fal ashtu siç u fal herën e parë, pastaj erdhi dhe e përshëndeti me selam profetin ﷺ.

Ai ﷺ ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu falu se nuk je falur!” Një gjë e tillë u përsëritë tre herë.

Burri i tha: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë nuk di më mirë se kaq, andaj më mëso!”

Profeti ﷺ i tha: ”Kur të ngrihesh për tu falur, merr abdes në mënyrë të përkryer, pastaj drejtohu kah kibla dhe thuaj: “Allahu Ekber”, pastaj lexo atë që të vjen më lehtë nga Kurani, pastaj zbrit në ruku dhe qëndro në atë pozicion derisa të qetësohesh, pastaj ngrihu në këmbë dhe qëndro ashtu derisa të qetësohesh, pastaj zbrit në sexhde dhe qëndro në atë pozicion derisa të qetësohesh, pastaj ngrihu (dhe rri ulur mes dy sexhdeve) derisa të qetësohesh në atë pozicion, pastaj vepro kështu në të gjithë namazin tënd!”

Transmeton Bukhari (6251) dhe Muslimi (397).

Hadithi dëshmon se kur një person shkon te një grup njerëzish, ai duhet t’i përshëndesë me selam. Në hadith thuhet:

“…erdhi te i dërguari ﷺ, dhe e përshëndeti me selam.”

Ky hadith gjithashtu tregon se është e preferuar që personi fillimisht të falë dy rekate para se t’i përshëndesë njerëzit, nëse nuk i takon ata deri sa të arrijë te vendi i faljes. Por nëse i takon ata përpara se të arrijë në vendin ku do të falet, si për shembull kur janë ulur pranë derës, ai i përshëndet ata përpara se të fillojë të falet.

Shpërndaje: