Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Mexhmu Fetaua Ibn Uthejmin 17/27-28
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nëse nuk është nevoja për të përdorur këtë metodë të mbetjes shtatzënë atëherë nuk e shohim se është e lejuar. Ngase kjo gjë obligon që femra të operohet dhe t’i nxirren vezoret. Operacioni i tillë bën që të shfaqet aureti pa ndonjë nevojë. Gjithashtu, nga operimi mund të ketë pasoja qoftë edhe pas një periudhe kohore, apo të ndodh ndonjë infeksion.
Pastaj, duhet lënë gjërat që të rrjedhin në natyrshmërinë që i ka krijuar Mëshiruesi Mëshirëploti. Forma e mbetjes shtatzënë sipas natyrshmërisë që e ka caktuar Allahu, është më afër për të qenë i kujdesshëm ndaj gjykimeve të Tij kundrejt rrugëve që i kanë shpikur njerëzit. Ka mundësi që këto rrugë dikujt t’i duken të mira fillimisht, e që më pas zbulohen të metat që lindin më vonë.
Por, nëse kjo është e patjetërsueshme, atëherë nuk shohim të ketë gjë të keqe, por pasi të jenë plotësuar tre kushte:
E para: Që ky fertilizim të bëhet nga sperma e burrit të asaj gruaje, përndryshe, nuk është e lejuar që sperma të jetë e ndonjë burri tjetër, për shkak se Allahu (te ala) thotë:
وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا وَجَعَلَ لَكُمْ مِنْ أَزْوَاجِكُمْ بَنِينَ وَحَفَدَةً وَرَزَقَكُمْ مِنَ الطَّيِّبَاتِ أَفَبِالْبَاطِلِ يُؤْمِنُونَ وَبِنِعْمَةِ اللَّهِ هُمْ يَكْفُرُونَ
“Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut?!” (16:72)
Ky ajet i drejtohet burrave.
E dyta: Që nxjerrja e spermës nga burri të jetë në formë të lejuar. Dhe kjo është përmes marrëdhënieve intime që burri bën me gruan apo përmes masturbimit me dorë të saj. Dhe kështu të shkohet deri tek fertilizimi artificial.
E treta: Që vezoret pas fertilizimit të vendosen në trupin e gruas. Dhe nuk është e lejuar në asnjë mënyrë që vezoret të vendosen në ndonjë grua tjetër. Sepse, kjo bën që sperma e mashkullit të vendoset në mitrën e gruas e cila nuk është e lejuar për të. Thotë Allahu (te ala):
نِسَاؤُكُمْ حَرْثٌ لَكُمْ فَأْتُوا حَرْثَكُمْ أَنَّى شِئْتُمْ وَقَدِّمُوا لِأَنْفُسِكُمْ وَاتَّقُوا اللَّهَ وَاعْلَمُوا أَنَّكُمْ مُلَاقُوهُ وَبَشِّرِ الْمُؤْمِنِينَ
“Gratë tuaja janë “ara” për ju, prandaj iu afroni “arave” tuaja si të doni. Por bëni diçka (të mirë) për veten tuaj (duke përmendur emrin e Allahut para kontaktit). Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).” 2:223
Pra, bërja fëmijë (dhe marrëdhëniet intime (v.p.)) janë të lejuar vetëm me gruan që është nën kurorën e burrit. Dhe mos-plotësimi i këtij kushti, rezulton në atë se vihet sperma në gruan me të cilën nuk është nën kurorën e burrit.”[1]
[1] Fertilizimi artificial mund të jetë edhe përmes futjes së spermës së burrit deri tek vezoret e gruas nëpërmjet injektimit. Kjo është një çështje e cila ka një rrezik të madh. A mund të garantoj dikush që mjeku po e vë spermën e burrit në gruan e tij, apo e ndërron spermën e dikujt tjetër? Për këtë arsye, ne mendojmë se më mirë është mbyllja e rrugëve të tilla përveç në raste specifike, dhe atë kur të njihet besueshmëria e burrit, gruas dhe e mjekut. Në të kundërtën, kjo sjell deri tek futja e spermës së burrit në gruan e cila nuk është kurorë e tij. Kjo është mashtrim në sjellje të pasardhësve. Kështu bëhet përzierja në prejardhje të pasardhësve, gjë e cila është e ndaluar në islam. Prandaj, unë nuk do kisha thënë se një gjë e tillë është e lejuar përveçse në rast specifik dhe atë pasi të njihet mirë burri, gruaja dhe mjeku… (Mexhmu Fetaua Ibn Uthejmin 17/9).