Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Mexhmu-ul-Fataua (16/276-278)
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com
Gjatë Bajramit njerëzit i dhurojnë njëri-tjetrit dhurata, përgatisin ushqime, ftojnë miq në shtëpi, mblidhen dhe festojnë me gëzim. Nuk ka asnjë të keqe në këtë traditë sepse është Bajram. Kur Ebu Bekri -radijAllahu anhu- erdhi tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe pa dy vajza duke kënduar, i qortoi ato. Atëherë profeti ﷺ tha:
“Lëri ato o Ebu Bekr, se çdo umet ka një festë dhe kjo është festa jonë.”
Bukhari (949) dhe Muslimi (892).
Kjo dëshmon se lehtësimi dhe fleksibiliteti i legjislacionit Islam synon t’u sjellë robërve gëzim dhe lumturi gjatë Bajramit.
Është treguar se disa adhurues dhe asketë kaluan pranë një grupi njerëzish që festonin Bajramin dhe thanë:
Ata gabojnë pavarësisht nëse veprat e tyre janë pranuar apo jo. Nëse muaji i tyre nuk është pranuar, atëherë ata që kanë frikë nga Allahu nuk do të vepronin në këtë mënyrë. Dhe nëse muaji i tyre është pranuar, atëherë falënderuesit nuk do të vepronin kështu.’”
Natyrisht kjo bie ndesh me praktikën e profetit ﷺ. Gjatë bajramit, ai i lejoi umetit të tij lirinë dhe gëzimin brenda kornizave të fesë dhe legjislacionit Islam. Në të njëjtën mënyrë, ai i lejoi njerëzit të mbajnë zi për të ndjerët për tre ditë, duke u larguar nga zbukurimi, parfumimi dhe veprime të ngjashme.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk i lejohet një gruaje që beson Allahun dhe ditën e fundit që të mbajë zi për të vdekurin mbi tre ditë, përveç burrit të saj, për të cilin duhet të mbajë zi për katër muaj e dhjetë ditë.”
Transmeton Bukhari (5334) dhe Muslimi (1486).
Bëhet fjalë për trajtimin e shpirtrave në përputhje me rrethanat. Është e njohur se bajrami është një ditë gëzimi dhe lumturie. Le të përjetojë njeriu lirinë, gëzimin dhe lumturinë, me kusht që të mos bëjë diçka të ndaluar. Nëse dikush dëshiron të dëgjojë muzikë dhe këngë me arsyetimin se është bajram, ne themi se kjo është e ndaluar. Një gëzim që kapërcen kufijtë e fesë duhet të ndalohet. Në këtë mënyrë liria shndërrohet në diçka të shëmtuar dhe skllavëruese. Një liri që bie në kundërshtim me legjislacionin Islam nuk është liri, por në të vërtetë është skllavëri ndaj epsheve dhe shejtanit
Prandaj Ibnul-Kajimi -rahimehullah- ka thënë në “En-Nunijeh”:
Ata ikën nga skllavëria për të cilën ishin krijuar,
dhe u sprovuan me skllavërinë ndaj egos dhe shejtanit.”
Ne jemi krijuar për të qenë skllevër të Allahut -azze ue xhel- dhe i përkasim Atij.
Allahu -subhaneh- ka thënë:
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat 51:56.