Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Çfarë është gjykimi se injoranca është justifikim në çështjet e Teuhidit dhe të idhujtarisë? Kur justifikohet njeriu për injorancën e tij?”
Përgjigje: “Ai që arsyetohet për injorancë është ai të cilit nuk i ka arritur diçka nga Kurani apo diçka nga Islami. Ai jeton i izoluar dhe nuk i ka arritur asgjë nga thirrja e Islamit dhe nuk ka dëgjuar asgjë nga Kur´ani. Sa për atë që dëgjon Kuranin, hadithin dhe fjalimet e dijetarëve ai nuk është injorant. Allahu تعالى ka thënë:
وَأُوحِيَ إِلَيَّ هَذَا الْقُرْآنُ لأُنذِرَكُم بِهِ وَمَن بَلَغَ
“Ky Kur’an më është shpallur, në mënyrë që t’iu tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet.” 6-19
Ai që lexon nga Kur’ani dhe kupton gjuhën arabe- ndërsa Kur’ani ndalon idhujtarinë dhe mosbesimin dhe urdhëron në Teuhid- atij i ka arritur shpallja, ky nuk ka arsyetim. Le të marrim përgjigjen në një mënyrë tjetër: themi se atij të cilit injoranca nuk mund t´i shmanget për shkak se jeton i izoluar dhe nuk ka dikë për të pyetur, ky është i arsyetuar. Sa për injorancën që ka mundësi të largohet, si të jetuarit me dijetarët dhe në mesin e myslimanëve, të dëgjuarit e Kur’anit dhe hadithit, ky nuk justifikohet ngase është i pakujdesshëm dhe neglizhon.”
Pyetje: “A ka ndonjë parim të qartë, që aludon të justifikuarit me injorancën gjatë të vepruarit?”
Përgjigje: “Ka dy lloje të injorancës. E para është injoranca që nuk mund të shmanget, si për shembull: të jetuarit në një vend pa dijetarë dhe me pamundësinë e të arriturit e dijes; personi i tillë justifikohet për paditurinë e tij. Lidhur me llojin e dytë që mund të mënjanohet nëse ai pyet apo mëson, ose duke kërkuar të vërtetën dhe gjen dikë që ia sqaron atë, ai nuk justifikohet për injorancën e tij. Në këtë rast injoranca e tij për një çështje është për shkak të neglizhencës dhe pakujdesisë së tij.”
Pyetje: “Si mund të justifikohet njeriu nëse mbytë dikë nga injoranca për dallim nga mos të justifikuarit me injorancë në çështjet e besimit?”
Përgjigje: “Kjo vlen edhe për çështjet e besimit nëse nuk i ka arritur dituria mbi diçka në fjalë. Ai është i justifikuar nëse atij nuk i ka arritur dituria për një çështje. Një shembull i tillë është personi i cili ka thënë: “Më digjni mua. Nëse Allahu është në gjendje, do më dënojë.” Këtu vlen të justifikuarit me injorancë; kjo vlen pra edhe në besim. Ai është i falur derisa të mësohet. Thotë Allahu në Kuran:
وَمَا كُنَّا مُعَذِّبِينَ حَتَّى نَبْعَثَ رَسُولاً
“Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se t’u dërgojmë të Dërguar.” 17:15
Pyetje: “A justifikohet njeriu për injorancën e tij në çështjet e besimit dhe njëshmërisë?”
Përgjigje: “Nuk ka arsyetim në qoftë se mund të mësojë dhe nuk mëson. Por në qoftë se ai nuk mund të mësojë për shkak se nuk ka dijetarë dhe nuk dëgjon asgjë sepse ai është i izoluar dhe larg nga dijetarët, ai justifikohet për aq kohë sa nuk mund të mësojë. Por nëse ka dikush që mund ta mësojë atë, ai nuk justifikohet.”
Pyetësi: “Ai që nuk e di se i Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم është i Dërguari i fundit dhe që mesazhi i tij është universal- ngase atij nuk i kanë arritur argumentet për këtë- a justifikohet personi i tillë për shkak të injorancës?”
Përgjigje: “Nëse një person mund të jetë i paditur për këto çështje, nëse ai për shembull jeton larg dhe nuk i arrin diçka nga dituria e as nuk dëgjon asgjë, ai arsyetohet për injorancën e tij. Por në qoftë se ai jeton në mesin e myslimanëve, e dëgjon Kur’anin- sidomos në ditët e sotme shumica dëgjojnë leksione, seminare, konferenca dhe fjalime të ndryshme përmes radio stacioneve- personi i tillë nuk justifikohet. Dituria tani është përhapur, dëshmitë janë konfirmuar. Dituria është shpërndarë përmes mjeteve të komunikimit në të gjithë botën dhe asgjë nuk është lënë anash. Kjo është Urtësi nga Allahu جل و علا në mënyrë që njerëzit të mos thonë në Ditën e Gjykimi se nuk u ka ardhur atyre askush me lajme të mira dhe paralajmërime. Më parë thirrja Islame u përhap në lindje dhe në perëndim përmes xhihadit, e kur xhihadi u ndal erdhën këto pajisje dhe mjete të komunikimit që përmes tyre përcillen mesazhet. Prandaj askush nuk ka asnjë justifikim.”
Pyetje: “A është injoranca një faktor i mjaftueshëm që pengon të konsideruarit kafir një individ apo duhet sqaruar më shumë?”
Përgjigje: “Injoranca nuk është justifikim nëse ka kush mund t’iu mësojë dhe keni mundësi të mësoni. Nëse ka nga ndokush që mund të mësojë, e ka dikë që mund ta pyes por është i pakujdesshëm dhe nuk pyet, ai nuk justifikohet. Ai nuk ka justifikim nëse atij i ka arritur Kur’ani dhe Sunneti. Sa për injorancën që nuk mund të mënjanohet pasi që personi në fjalë jeton në një zonë të izoluar dhe nuk ka askënd ta pyes e nga kush të mësojë, në këtë rast ai justifikohet. Megjithatë, kjo është e rrallë sot dhe ndoshta edhe nuk ekziston.”