Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Dhil-Xhelali uel-Ikram (1/686-687)
www.perlatmuslimane.com
Dijetarët nuk janë dakord në këtë çështje. Disa thonë se periudha menstruale ka një moshë të caktuar nga e cila fillon, dhe ka një moshë të caktuar ku përfundon. Ata thonë se, periudha menstruale fillon në moshën nëntë vjeçare dhe se gjaku para kësaj moshe nuk është gjak menstrual. Gjithashtu thonë se kjo periudhë mbaron në moshën pesëdhjetë vjeçare dhe se gjaku pas pesëdhjetave nuk është gjak menstrual edhe nëse është i njëjtë sikurse gjaku menstrual. Në këtë rast, ajo është e obliguar të falet e të agjërojë. Megjithatë mendimi më i saktë, është se periudha menstruale nuk ka limit moshe. Allahu Te’ala thotë:
وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى
“Të pyesin ty (Muhammed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme”.” 2:222
Allahu e përmendi periudhën menstruale por pa e kufizuar atë. Edhe Sunneti e ka përmendur në të njëjtën mënyrë. Të kufizosh diçka që është përmendur e pakufizuar në Kuran dhe në Sunnet është e pamundur, ngase kjo gjë kërkon argument, e në mungesë të argumentit, çështja mbetet se, nuk ka periudhë të caktuar për përkufizimin e periudhës menstruale.