Imam Salih bin Feuzan El-Feuzan
Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/sites/default/files/Ramadhan%201-9-1436.mp3
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Lartësoj dhe falënderoj Allahun që na mundësoi të përjetojmë këtë muaj të madh. I lutemi që Ai ta plotësojë këtë muaj për ne me besim dhe vepra të mira, duke përfituar sa më shumë prer Tij. Ky është një muaj plot mirësi dhe bereqet, muaj i adhurimit, i gjallërprit të xhamive me namazin e teravive, i pranimit të lutjeve dhe faljes së mëkateve. Është një muaj i mbushur me të mira të shumta.
I privuar është ai që e përjeton këtë muaj pa përfituar gjë prej tij. I mëshiruar është ai që e shfrytëzon me kujdes këtë kohë të çmuar duke kryer adhurime dhe duke lexuar Kuran. Disa njerëz e kalojnë netët e Ramazanit në thashetheme dhe vende argëtimi, ndërsa ditën e shpenzojnë duke fjetur. Ata nuk i falin namazet farz në kohën e tyre dhe nuk i falin me xhemat duke u justifikuar me agjërimin. Megjithatë, namazi farz është më i rëndësishëm se agjërimi, pasi që ai është shtylla e dytë e Islamit ndërsa agjërimi është shtylla e katërt e Islamit. Namazi është shtyllë e Islamit. As agjërimi dhe as ndonjë ibadet tjetër nuk kanë vlerë nëse namazi nuk kryhet. Në ditën e gjykimit, robi do të japë llogari para së gjithash për namazin e tij, siç përmendet në hadith. Nëse namazi pranohet, pranohen edhe adhurimet e tjera, nëse ai refuzohet, atëherë nuk pranohen as të tjerat. Pra namazi është shtyllë e Islamit.
Gjatë këtij muaji muslimani përfiton shumë mirësi dhe shpërblime të mëdha. Secili do të marrë atë që Allahu ka caktuar për të. Megjithatë, është detyrë e muslimanit ta shfrytëzojë këtë muaj në mënyrën më të mirë, duke falur namaz, agjëruar dhe lexuar Kuran. Ky muaj i madhërishëm është plot begati si gjatë netëve ashtu edhe gjatë ditëve të tij – çdo çast i tij është një mirësi.
Për gjashtë muaj, selefët e lusnin Allahun që t’u mundësonte ta arrinin Ramazanin. Pastaj për gjashtë muaj të tjerë i luteshin Atij që t’ua pranonte adhurimet e kryera gjatë këtij muaji. Gjatë Ramazanit ata merrnin Mus’hafët dhe kalonin kohën në xhami duke lexuar Kuran.
Ata thoshin: “Ne e ruajmë agjërimin tonë dhe nuk e përgojojmë askënd.”
Ky është muaji i mirësive, adhurimeve dhe begative, i ushqimit të të varfërve, i sadakasë dhe i bamirësisë. Mirësitë e tij janë të panumërta për atë që Allahu i ka dhënë sukses. Ndërsa i privuar është ai që është privuar nga Allahu. I mëshiruar është ai të cilit Allahu ia ka lehtësuar dhe ia ka mundësuar ta shfrytëzojë këtë muaj në adhurim dhe vepra të mira, duke u përpjekur për të përfituar sa më shumë prej tij. Ky muaj është një mundësi e madhe për çdo musliman që dëshiron të arrijë shpëtimin.
Profeti ﷺ duke u ngritur në minber tha: “Amin, amin, amin!”
Sahabët e pyetën se pse e tha këtë.
Ai ﷺ tha: ”Më erdhi Xhibrili dhe tha: ‘Larg mëshirës së Allahut qoftë ai që e arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet. Thuaj: Amin.”
Dhe unë thashë: “Amin.”1
Transmeton Bukhari, Muslimi, Tirmidhi dhe Ibn Maxheh.
Ramazani është muaji i faljes. Kur tjetër do të falen mëkatet e një njeriu nëse jo gjatë Ramazanit? Të mos përfitohet nga ky muaj është një humbje e madhe. Por i lumtur është ai që Allahu e ka udhëzuar dhe e ka bërë të vetëdijshëm për këtë bekim.
Në Ramazan hapen dyert e Xhenneti, dyert e ferrit mbyllen dhe shejtanët lidhen me zinxhirë.
Gjatë Ramazanit, dyert e xhenetit hapen, dyert e xhehenemit mbyllen dhe shejtanët prangosen me zinxhirë.
Tirmidhi dhe Ibn Maxheh transmetojnë nga Ebu Hurejra se profeti ﷺ ka thënë:
“Në natën e parë të Ramazanit, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” Një thirrës thërret: ’O ti që kërkon të mirën, shpejto!’ ’O ti që synon të keqen, ndalu!’ Dhe çdo natë të Ramazanit, Allahu liron nga zjarri robërit e Tij.”
Prandaj ky muaj ka vlera të mëdha. Lusim Allahun që të na dhurojë këto mirësi, të mos na privojë prej tyre dhe të na falë neve, prindërit tanë dhe të gjithë vëllezërit tanë muslimanë.
1 Ka’b ibn Uxhra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ tha: ’Afrohuni te minberi.’ Ne u afruam, dhe kur ai u ngjit në shkallën e parë, tha: ’Amin.’ Kur u ngjit në shkallën e dytë, tha: ’Amin.’ Kur u ngjit në shkallën e tretë, tha: ’Amin.’ Pasi zbriti, ne i thamë: ”O i dërguari i Allahut, sot dëgjuam prej teje diçka që nuk e kemi dëgjuar më parë.”
Ai ﷺ tha: ”Më erdhi Xhibrili dhe tha: ‘Larg mëshirës së Allahut qoftë ai që e arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet. Thuaj: Amin.”
Dhe unë thashë: “Amin.”
Xhibrili tha: “Larg mëshirës së Allahut qoftë ai që kur përmendet emri yt, nuk dërgon salavate për ty. Thuaj: Amin.”
Unë thashë: “Amin.”
Kur u ngjita në shkallën e tretë.
Xhibrili tha: “Larg mëshirës së Allahut qoftë ai që i arrin prindërit e tij në pleqëri dhe nuk përfiton nga mundësia që ata të bëhen shkak që ai të hyjë në xhenet përmes sjelljes së tij të mirë ndaj tyre. Thuaj: Amin.”
Unë thashë: “Amin.”
Transmeton Bukhari, Muslimi, Tirmidhi dhe Ibn Maxheh.