“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Frazat e shkurorëzimit të drejtpërdrejta dhe metaforike

Imam Ibn Kudameh el-Makdisi

Burimi: Umdet-ul-Fikh (2/88-91)

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

– Prej frazave të drejtpërdrejta të divorcit janë fjalët e burrit: ”Ti je e shkurorëzuar””Ti je një grua e shkurorëzuar” dhe ”Unë jam ndarë nga ti”. Nëse ai shprehet në këtë mënyrë, gruaja konsiderohet e shkurorëzuar edhe në qoftë se ai nuk ka ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Çdo shprehje tjetër në lidhje me shkurorëzimin përveç këtyre që i përmendëm, konsiderohen të jenë metaforike.

– Shkurorëzimi përmes frazave metaforike ndodhë atëherë kur, nuk është për qëllim vetë shkurorëzimi! Në qoftë se burrin e pyet ndokush: “A je i martuar” dhe ai përgjigjet: ”Jo” dhe ka për qëllim të gënjej, gruaja e tij nuk konsiderohet e shkurorëzuar. Por nëse ai i përgjigjet: ”Unë e kam shkurorëzuar atë”, atëherë ajo automatikisht konsiderohet e shkurorëzuar edhe nëse ai ka për synim të gënjejë.

– Nëse burri i thotë gruas së tij: ”Ti je pa burrë”,”pa martesë”,”e shkurorëzuar”ose ”e ndarë” dhe ai me ndonjërën prej këtyre shprehjeve, e ka për synim shkurorëzimin e saj atëherë, ajo konsiderohet e shkurorëzuar tre herë, në qoftë se ai nuk ka për qëllim që me këtë ta shkurorëzoj vetëm një apo dy herë! Çdo gjë tjetër përveç këtyre shprehjeve, konsiderohen një shkurorëzim i vetëm, përveç se nëse burri me ndonjë shprehje të përdorur e ka për qellim që ta shkurorëzoj gruan tre herë.

– Nëse burri i thotë gruas së tij që ajo të zgjedh për t’u shkurorëzuar apo jo dhe ajo zgjedh për ndarjen, ajo konsiderohet e shkurorëzuar vetëm një herë e jo më shumë!E nëse në këtë rast ajo nuk zgjedhë shkurorëzimin apo zgjedh për të qëndruar me burrin e saj, atëherë nuk ndodh asgjë. Aishah (radijAllahu anha) ka thënë:

”I dërguari i Allahut ﷺ na ka lënë të zgjedhim se a dëshirojmë për të qenë të lira (nga martesa me të). Me këtë a u konsiderua ndonjëra prej nesh e shkurorëzuar?!”

Gruaja ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e saj gjatë asaj ndeje, përveç se nëse burri i´a lejon asaj të vonohet në përgjigje. E nëse burri i thotë gruas: ”Kjo është në duart tuaja” apo ”shkurorëzohu vetë ”, atëherë çështja mbetet në duart e saj derisa martesa të prishet (të ndodhë shkurorëzimi) apo derisa të kenë marrëdhënie seksuale me të.

Shpërndaje: