Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Frika e detyrueshme ndaj Xhehenemit

Imam Zejnudin bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)

Burimi: Et-Tahuifu minen-Nar uet-Ta’riifu bi Hali Daril-Beuuar, faqe. 28-29

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Frika e detyrueshme nga Xhehenemi, është ajo frikë e cila e bën njeriun që ai të kryej obligimet e Allahut dhe të largohet nga ndalesat e Tij. Në rast se kjo frikë shtohet, duke bërë që robi të veproj atë që është e rekomandueshme, të heq dorë edhe nga gjërat e imëta por që janë të urryera dhe gjithashtu nga gjërat që lehtësisht janë të lejuara, kjo është mirësi shumë e lavdërueshme. Nëse frika rritet edhe më tej, derisa ajo shkakton sëmundje, vdekje, frikë e vazhdueshme saqë të pengon nga arritje e gjërave të lejuara dhe të dashura nga ana e Allahut (‘Azze ue Xhel), kjo nuk është diçka e mirë dhe e lavdërueshme.
Për këtë arsye, Të Parët Tanë Të Mirë frikësoheshin për ‘Ata es-Selmi për shkak të frikës së tij ekstreme që ishte shkak që ai të harroj Kuranin (pasi e dinte përmendësh), e rrinte vetëm në krevat.

Frika nga ndëshkimi i Allahut nuk është qëllim në vetvete/qëllimi final, por ajo duhet të jetë sikurse kamxhik i cili shtynë njeriun që ai të jetë i bindur ndaj urdhrave të Allahut.

Nëse shohim nga ky këndvështrim, vërejmë se Xhehenemi është prej mirësive të Allahut ndaj robërve të Tij të cilët i frikësohen Atij dhe bëhen të devotshëm ndaj Tij. Dhe mu për këtë shkak, Allahu (Subhanehu ue Te’ala) e ka përmendur për disa herë në suren Err-Rrahman Xhehenemin si një prej dhuntive të Tij.

Sufjan bin Ujejneh ka thënë: “Allahu krijoi Xhehenemin si mëshirë, përmes të cilit i frikëson robërit e Tij, prandaj ata u shmangen mëkateve.” (Transmeton Ebu Nu’ajm el-Hiljeh (7/275))

Qëllimi kryesor nga frika ndaj Xhehenemit, është që për shkak të saj njeriu të nënshtrohet ndaj Allahut (‘Azze ue Xhel), të veprojë atë që e do dhe e kënaq Atë, e të ndalohet nga ndalesat dhe gjërat e urryera nga Ai. Gjithashtu, nuk mohohet që edhe droja ndaj Allahut, pozita e Tij ndaj krijesave, Madhështia e Allahut në zemrat e njerëzve dhe Madhëria e Tij, janë qëllim i pamohueshëm. Mirëpo ajo çfarë të shpie drejt qëllimit të duhur (nënshtrimit ndaj urdhrave të Allahut), është frika e mjaftueshme e cila e bën njeriun të jetë afër me Allahun, duke vepruar atë që Ai ka dëshirë dhe duke u ndaluar nga ndalesat e Tij. Në rast se frika nuk është e këtij niveli, devijon nga kjo rrugë, atëherë ajo nuk jep rezultatin të kërkuar.

Shpërndaje: