Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’if-ul-Ma’arif, fq. 285-286
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Të parët tanë të mirë e kishin zakon të vepronin çdo gjë që u mundësohej, e pas kësaj ata kishin frikë se veprat do t’u refuzoheshin. Ata janë të cilët Allahu i përshkruante në ajetin:
“Dhe,ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, që e japin me zemrat e tyre gjithë frikë e përkushtim (nëse do t’u pranohet bamirësia apo jo nga Zoti i tyre), sepse ata janë të sigurt në kthimin e vet te Zoti i tyre (për llogari).” 23:60
Është transmetuar se Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Merakosuni më shumë për mospranimin e veprave tuaja sesa për të vepruarit. A nuk keni dëgjuar Allahun (azze ue xhel) të thotë:
“Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” 5:27
Fadeleh bin Ubejd ka thënë: “Po ta kisha ditur se Allahu e ka pranuar një farë sinapi prej meje, unë do ta kisha dashur atë më shumë se tërë botën dhe çdo gjë që ka në të. Ngaqë Allahu (te ala) thotë:
“Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” 5:27
Shqetësimet që vepra të mos pranohet është më i madh se vështirësia e të vepruarit.
Abdul-Aziz bin Ebi Reuad ka thënë: “Unë kam parë se si ata (selefët) i jepnin rëndësi të madhe veprave të mira. Pasi ata kryenin vepra të mira, ata shqetësoheshin se a do të pranohen ato apo jo?!”
Disa nga selefët kanë thënë: “Ata e kishin zakon t’i luteshin Allahut gjashtë muaj që t’ua mundësonte që ta presin Ramazanin. Pastaj ata e adhuronin Allahun për gjashtë muaj që Ai t’ua pranojë veprat e tyre.”
Umer bin Abdil-Aziz (rahimehullah) në njërën prej hutbeve të Fitër Bajramit tha: “O Njerëzi! Ju keni agjëruar tridhjetë ditë për hir të Allahut. Sot ju keni ardhur për ta lutur Allahun që t’ua pranojë atë prej juve.”
Njëri prej selefëve ishte i pikëlluar në Ditën e Bajramit. Kur dikush i tha se kjo është një ditë e gëzimit dhe lumturisë. Ai u përgjigj: “Ju e keni thënë të vërtetën. Por unë jam një rob i cili është urdhëruar nga Zoti i tij që të kryej një veprim. Unë nuk e di nëse Ai do ta pranojë atë nga unë apo jo.”
Uehb bin el-Uerd (rahimehullah) kur pa se si njerëzit qeshnin në Ditë e Bajramit, tha: “Në qoftë se agjërimi i tyre është pranuar, kjo (qeshja) nuk është prej veprave të falënderuesve. E në qoftë se agjërimi i tyre nuk është pranuar, kjo nuk është prej veprave të të frikësuarve.”
Hasan el-Basri (rahimehullah) ka thënë: “Allahu e ka lenë që Ramazani të jetë si një fushë vrapimi për krijesat e Tij. Në të ata konkurrojnë për të arritur kënaqësinë e Tij me bindje dhe nënshtrim të plotë. Disa vijnë të parët dhe fitojnë, e të tjerët vijnë pas dhe humbin.”
Është transmetuar se Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Sikur ta dija se veprat e kujt janë pranuar do ta përgëzoja atë njeri, e sikur ta dija se veprat e kujt nuk janë pranuar do ta ngushëlloja atë.”
Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Kujt prej nesh i janë pranuar veprat e mira në mënyrë që t’ia urojmë? Kush prej nesh ka dështuar në mënyrë që ne ta ngushëllojmë? Ty që t”u janë pranuar veprat e mira, urime! Ti që ke dështuar! Allahu të ndihmoftë në fatkeqësinë tënde!”
Çka kemi humbur në qoftë se kemi humbur mirësitë e Ramazanit? Çka kemi arritur në qoftë se kemi arritur vetëm humbje? Çka është dallimi mes personit të cilit i janë pranuar veprat e mira dhe pendimi dhe personit i cili nuk njeh asgjë tjetër përpos refuzimit dhe humbjes?! Ndoshta personi i cili qëndron në namaz gjatë netëve e vetmja gjë që fiton është pagjumësia. E ndoshta personi i cili agjëron gjatë ditës nuk fiton asgjë përveç urisë dhe etjes.”