Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Frika nga xhinët

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (vdiq. 1420)

Burimi: “Feuaid minet-Tefsir”, faqe 66-67

 Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Cili është gjykimi për tu frikësuar nga xhinët, gjë e cila u ndodh disa njerëzve? Ne dëgjojmë se si disa njerëz thonë se duhet të përmendim emrin e Allahut kur të derdhim ujë të nxehtë dhe gjëra të tjera të ngjashme, çfarë na sugjeroni?”

Përgjigje: “Frika nga xhinët është sikurse frika ndaj njerëzve. Sikur të jetë frikë e natyrshme është në rregull. Gjithashtu, është krejtësisht në rregull dhe veprim i duhur për të marrë shkaqet për të qenë i mbrojtur duke përmendur emrin e Allahut atëherë kur të hamë ndonjë gjë apo të pimë në mënyrë që shejtani të mos marrë pjesë në ushqimin dhe pijen tonë. E njëjta gjë vlen për të përmendur emrin e Allahut atëherë kur hyjmë në shtëpi në mënyrë që shejtani të mos e kalojë natën aty. E njëjta gjë vlen kur të derdhësh ujë të nxehtë; të përmendësh emrin e Allahut dhe të kërkosh mbrojtje nga Allahu në mënyrë që uji i nxehtë të mos e godasë atë. Gjithashtu nuk duhet mbyllur dera me forcë apo të veprosh diçka të panevojshme për shkak se ajo mund ta dëmtojë xhinin.

Frika ndaj xhinëve është frikë e natyrshme. Duhet mbrojtur nga të këqijat e tyre sikurse duhet mbrojtur nga të këqijat e njerëzve. Ata nuk duhet të ngacmohen, të dëmtohen, dhe të trajtohen me padrejtësi. Ai që sulmon një njeri padrejtësisht do të sulmohet. Ai që e dëmton ndonjë njeri do të dëmtohet. Sikurse i shmangesh të këqijave të njerëzve dhe komploteve të tyre, hajdutëve, udhëheqësve tiran dhe të keqes së rrethit tuaj duke qenë paqësorë dhe duke pasur parasysh se çfarë thua dhe çfarë vepron, në këtë mënyrë ti duhet të sillesh edhe me xhinët.

Xhinët janë krijesa të Allahut dhe janë të shumtë në numër. Midis tyre ka mëkatarë të pabindur, tiranë, paganë, bidatçi dhe muslimanë të mirë e të devotshëm. Prandaj është e detyrueshme për tu mbrojtur ndaj të keqes së tyre.

Është e ndaluar t’i adhurosh ata përpos Allahut, tu frikësohesh atyre me frikë të veçantë (e cila është vetëm për Allahun) ose të besosh se ata kanë në dorë diçka në univers. 

Aq duhet pasur kujdes në jetën e përditshme, saqë edhe para leximit të Kuranit duhet kërkuar mbrojtjen e Allahut nga shejtani, në mënyrë që të shpëtosh nga cytjet dhe mashtrimit të tij.”

Shpërndaje: