Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Gjithçka ka të bëjë me përfundimin

Imam Salih bin Feuzan El-Feuzan
El-Minheh Er-Rabbanijeh fi Sherh-il-Arbaim En-Neueuijeh, fq. 106-107
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ tha:

“Betohem në Atë përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë! Nga ju do të ketë njerëz që bëjnë vepra të banorëve të xhenetit derisa ndërmjet tyre dhe xhenetit t’i ndajë vetëm një parakrah, dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të bëjë vepra të banorëve të zjarrit (dhe do të hyjë në të). Gjithashtu disa nga ju do të kryejnë punë të banorëve të zjarrit derisa ndërmjet tyre dhe zjarrit të ketë vetëm një parakrah dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të punojë vepra të banorëve të xhenetit dhe do të hyjë në të.”

Transmeton Bukhari (6549) dhe Muslimi (2643).

Ky është një betim, por kush ishte ai që u betua? Me sa duket ishte i dërguari ﷺ, prandaj kjo është pjesë e hadithit. Një teori tjetër është se ishte transmetuesi Ibn Mesudi -radijAllahu anhu-, që do të thotë se kjo pjesë është futur në hadith.

Me sa duket, siç u tha duket se janë fjalët e të dërguarit ﷺ. Ai ﷺ, i sinqerti dhe i besueshmi u betua për të theksuar rëndësinë e asaj që tha:

“Nga ju do të ketë njerëz që bëjnë vepra të banorëve të xhenetit derisa ndërmjet tyre dhe xhenetit t’i ndajë vetëm një parakrah, dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të bëjë vepra të banorëve të zjarrit (dhe do të hyjë në të).”

Domethënë, ajo që është shkruar dhe caktuar për të ndodh, dhe ai fillon të veprojë ashtu siç veprojnë banorët e zjarrit duke shkaktuar kështu hyrjen e tij në të.

Pastaj ai ﷺ tha:

“Gjithashtu disa nga ju do të kryejnë punë të banorëve të zjarrit derisa ndërmjet tyre dhe zjarrit të ketë vetëm një parakrah dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të punojë vepra të banorëve të xhenetit dhe do të hyjë në të.”

Kjo dëshmon se veprat vlerësohen sipas fundit të tyre. Ajo që ka rëndësi është gjendja në të cilën një person vdes, qoftë e mirë apo e keqe. Nëse një njeri jeton një jetë të bindur ndaj Allahut, por pastaj devijon në kufër (e braktis Islamin) pak para vdekjes së tij, ai do t’i përket banorëve të zjarrit. E njëjta gjë vlen për një rob që jeton një jetë Islame por kryen një vepër (përveç kufrit) që e çon në zjarr; nëse Allahu dëshiron, ai do të hyjë në zjarr. Pra gjithçka varet nga fundi i jetës.

Po kështu një person që jeton një jetë në kufër, por Allahu e udhëzon të pendohet pak para vdekjes së tij, ai do të hyjë në xhenet. Prandaj myslimani duhet gjithmonë të lutet për një përfundim të mirë dhe të mos mashtrohet nga veprat e tij sepse ai nuk e di se në çfarë gjendje do ta përfundojë jetën e tij.

Me këtë që u tha, nuk lejohet të përcaktohet përfundimisht nëse një person do të jetë në xhenet apo në zjarr duke u bazuar vetëm në veprat e tij. Përjashtimi j vetëm është personi për të cilin i dërguari i Allahut ﷺ ka përcaktuar destinacionin e tij. Kjo sepse ky gjykim ka të bëjë me dijen e Allahut -te ala- rreth përfundimit të jetës së njerëzve, diçka që vetëm Allahu -subhanehu ue te ala- e di.

Shpërndaje: