Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Fataua El-Akideh, fq. 246-248
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Cili është gjykimi për t’i uruar dikujt krishtlindjet? Si duhet t’u përgjigjemi atyre nëse ata na urojnë neve krishtlindjet? A është mëkat të marrim pjesë në festat e tyre? A është mëkat të kryejmë ndonjë prej këtyre veprave të përmendura pa qëllim, sepse dikush e bën këtë për t’i kënaqur ata ose për arsye se turpërohet dhe nuk dëshiron që ata të lëndohen?
Përgjigje: Ekziston konsensus se është e ndaluar që t’i urosh kufarëve krishtlindjet dhe festat të tjera fetare. Këtë e ka përmendur Ibn-ul-Kajim -rahimehullah- në librin e tij dhe ku thotë:
”Ekziston konsensus se është e ndaluar t’i urosh kufarëve festat apo agjërimin e tyre, si për shembull t’u thuhet:
”Gëzuar festën.”
Nëse kjo shprehje nuk është kufër (dalje nga feja), së paku është një mëkat prej mëkateve të mëdha. Ky mëkat është aq i madh, sikurse t’i urosh ata për adhurimet që ia bëjnë kryqit. Fakti është se kjo konsiderohet të jetë më keq sesa dikush t’i urojë njerëzit për konsumimin e alkoolit, vrasjen e një personi, të bërit kurvëri e të ngjashme.
Shumë njerëz të cilët nuk e dinë vlerën e fesë bien në këtë gabim. Ata nuk dinë sesa vepër e rëndë konsiderohet kjo gjë. Kushdo që i uron dikujt për risinë në fe, mëkatin apo mosbesimin, ai veçse e ka merituar zemërimin dhe hidhërimin e Allahut.”
Arsyeja pse është e ndaluar t’i përgëzosh ata për festat e tyre është se kjo do të thotë se ti pranon dhe kënaqesh me ceremonitë e kufarëve, edhe në qoftë se ti në realitet nuk je i kënaqur me mosbesimin. Është e ndaluar për muslimanin që të kënaqet me ceremonitë e kufarëve dhe që t’i përgëzojë ata, sepse Allahu -i Madhëruar- nuk kënaqet me ato festa.
Allahu -i Lartësuar- thotë:
“Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju nëse e falënderoni. Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Pastaj do të ktheheni te Zoti juaj e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë sepse Ai e di vërtet se ç’keni në zemrat tuaja.” Zumer, 39:7
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” El-Maide, 5:3
Pra është e ndaluar t’i përgëzosh ata në festat e tyre pavarësisht nëse merr pjesë në to ose jo. Edhe nëse ata na përgëzojnë dhe na urojnë neve në festat e tyre, ne nuk duhet t’u përgjigjemi atyre ngaqë kjo nuk është festa jonë dhe prandaj Allahu -i Lartësuar- nuk e do këtë veprim. Festat e tyre ose janë të shpikura, ose janë të paracaktuara, e të cilat Islami i ka anuluar me dërgimin e Muhamedit ﷺ për të gjithë njerëzimin.
Allahu -i Madhëruar- ka thënë:
“Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë prej të humburve.” Ali Imran, 3:85
Pos kësaj, është e ndaluar për muslimanët që t’i përgjigjen ftesave të tyre dhe që të marrin pjesë në to ngaqë ky është lloji më i madh i urimit të tyre sepse merr pjesë në të.
Gjithashtu është e ndaluar për muslimanët të përngjajnë me kufarët dhe që muslimanët të bëjnë festa të ngjashme me ta, të shkëmbejnë dhurata në mes të tyre, të përgatisin ushqime për festat e tyre dhe të mos punojnë në ditë të caktuara dhe të ngjashme. Të gjitha këto bëjnë pjesë në përngjasimin me ta.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Kush i përngjason një populli, ai është prej tyre.”
Shejh-ul-Islam Ibn Tejmijeh ka thënë në librin e tij ”Iktida-us-Sirat e
El-Mustakim fi Muhalefeh As’hab-il-Xhehim”:
Të festuarit e disa prej festave të tyre aludon në dashurinë ndaj gënjeshtrës të cilën ata pasojnë dhe kushdo që bën një gjë të tillë është mëkatar, pavarësisht nëse ai e bën këtë që ata të jenë të kënaqur me të ose në qoftë se ai e bën atë nga dashuria apo turpi, ose për ndonjë arsye tjetër. Kjo në vetvete nënkupton lëshimin e fesë së Allahut. Përveç kësaj, kjo i bën kufarët që të ndjehen krenarë për fenë e tyre.
E lusim Allahun që t’i forcojë muslimanët në fenë e tyre, t’i bëjë ata të qëndrueshëm dhe t’i ndihmojë ata kundër armikut të tyre – Ai është me të vërtetë i Fortë dhe i Plotfuqishëm.