Imam Jahja bin Sharaf En-Neueui (v. 677)
Sherh Sahih Muslim (16/158)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Abdullah bin Mesudi -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
”Me të vërtetë çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij duke qëndruar dyzet ditë si një pikë uji, pastaj, pastaj po për aq ditë shndërrohet në droçkë gjaku, pastaj po për aq kohë shndërrohet në një copë mishi. Pas kësaj Allahu ia dërgon një melek i cili urdhërohet me katër gjëra, i thuhet atij shkruajë; punën e tij, furnizimin, jetëgjatësinë dhe nëse do të jetë fatzi (prej banorëve të xhehenemit) ose i lumtur (prej banorëve të xhenetit). Betohem në Atë përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë! Nga ju do të ketë njerëz që bëjnë vepra të banorëve të xhenetit derisa ndërmjet tyre dhe xhenetit t’i ndajë vetëm një parakrah, dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të bëjë vepra të banorëve të zjarrit (dhe do të hyjë në të). Gjithashtu disa nga ju do të kryejnë punë të banorëve të zjarrit derisa ndërmjet tyre dhe zjarrit të ketë vetëm një parakrah dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të punojë vepra të banorëve të xhenetit dhe do të hyjë në të.”
Transmeton Bukhari (6549) dhe Muslimi (2643).
Parakrahu është një shembull sesa afër mund të jetë njeriu me vdekjen dhe sa e shkurtër mund të jetë distanca midis jetës në këtë botë dhe jetës së përtejme. Hadithi flet për diçka që mund t’u ndodhë pak njerëzve, jo shumicës.
Përveç kësaj, i përket mirësisë dhe mëshirës së gjerë të Allahut, i Cili zakonisht u mundëson njerëzve të këqij të pendohen dhe të bëhen të mirë. Është jashtëzakonisht e rrallë që të mirët të bëhen të këqij.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kur Allahu përcaktoi krijimin, Ai shkroi një libër që është tek Ai, mbi arshin e Tij: ‘Mëshira Ime ka tejkaluar zemërimin Tim’.”
Transmeton Bukhari (7422).
Hadithi gjithashtu i referohet atij që fillon të veprojë sipas veprave të banorëve të zjarrit, duke përfshirë kufrin dhe mëkatet. Megjithatë, ata ndryshojnë në kohëzgjatjen e tyre në zjarr: kadiri do të mbetet aty përgjithmonë, ndërsa mëkatari do të dalë prej tij herët a vonë, nëse ka adhuruar vetëm Allahun.
Hadithi gjithashtu vërteton përcaktimin (kaderin), që pendimi fshin mëkatet e mëparshme dhe se njeriu gjykohet sipas veprës së tij të fundit për derisa nuk ishte prej mëkatarëve që nuk kanë rënë në kufër (nuk kanë braktisur Islamin). Allahu vendos se çfarë do të bëjë me ta, dhe Allahu e di më së miri.